Krahas kësaj, edhe kanali kryesor i ujitjes që kalonte nëpër pronat bujqësore të Pollogut është bllokuar në shumë segmente. Kjo ka vështirësuar ndjeshëm punën e fermerëve, një pjesë e të cilëve kanë braktisur aktivitetin bujqësor për shkak të mungesës së një sistemi funksional të ujitjes
Urim HASIPI
Tetovë, 24 qershor – Kanalet për ujitje, të cilat dikur kalonin nëpër fshatra dhe deri te pronat bujqësore, po zhduken gradualisht me kalimin e kohës. Në të kaluarën, këto kanale, të furnizuara me ujë nga Mali Sharr, përdoreshin gjerësisht për vaditjen e tokave bujqësore. Megjithatë, sot një pjesë e madhe e tyre kanë dalë jashtë funksionit. Bllokimi i kanaleve ka ndodhur kryesisht brenda vendbanimeve, duke bërë që gjatë reshjeve të dendura të shiut të shkaktohen vërshime të konsiderueshme. Në territorin e Komunës së Tearcës tashmë ka filluar aksioni për pastrimin e tyre, ndërsa krahas bllokimeve, në shumë vende është evidentuar edhe derdhja e ujërave të zeza.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi. Sipas tij, derdhja e ujërave të ndotura në kanalet e ujitjes jo vetëm që dëmton mjedisin, por paraqet edhe rrezik serioz për interesin publik.
“Aktualisht kemi filluar pastrimin e kanaleve përgjatë rrugës kryesore, por fatkeqësisht po përballemi me një situatë shqetësuese. Gjatë pastrimit kemi konstatuar se në këto kanale, të cilat përdoren edhe për ujitje, derdhen ujëra të ndotura dhe hidhen mbeturina të llojeve të ndryshme. Kjo jo vetëm që dëmton mjedisin, por paraqet edhe rrezik për interesin e përgjithshëm publik. Ky është vetëm fillimi. Inspektorati komunal do të veprojë në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi ndaj çdo shkeljeje të konstatuar. Interesi publik është mbi çdo interes individual dhe mbrojtja e mjedisit mbetet përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve”, deklaroi Daut Memishi, kryetar i Komunës së Tearcës.
Sipas tij, problem më vete mbetet fakti se shumë kanale janë bllokuar qëllimisht nga individë të papërgjegjshëm. Pasojat e kësaj shfaqen sidomos gjatë reshjeve të mëdha, kur uji del në sipërfaqe dhe përmbyt rrugë e objekte banimi.
“Në çdo fshat kemi pasur iniciativa për pastrimin e kanaleve që dalin nga rruga kryesore në drejtim të pronave bujqësore, por nuk kemi arritur t’i lirojmë të gjitha, pasi në shumë raste ato janë bllokuar qëllimisht nga individë për nevojat e tyre personale. Përmes inspektoratit do të ndërmarrim masa për eliminimin e këtyre problemeve. Duke jetuar rrëzë Malit Sharr, reshjet e rrëmbyeshme krijojnë vështirësi të mëdha kur kanalet nuk janë funksionale. Përveç pengimit të qarkullimit të lirë të banorëve, ato shkaktojnë edhe dëme në objekte banimi”, theksoi Memishi.
Mosfunksionimi dhe bllokimi i kanaleve ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në sektorin e bujqësisë. Shumë fermerë kanë hequr dorë nga kultivimi i tokave të tyre për shkak të mungesës së ujit për vaditje. Krahas kësaj, edhe kanali kryesor i ujitjes që kalonte nëpër pronat bujqësore të Pollogut është bllokuar në shumë segmente. Kjo ka vështirësuar ndjeshëm punën e fermerëve, një pjesë e të cilëve kanë braktisur aktivitetin bujqësor për shkak të mungesës së një sistemi funksional të ujitjes. Zhbllokimi dhe rikthimi në funksion i këtyre kanaleve pritet të jetë një nxitje e rëndësishme për bujqit që të rikthehen në punimin e tokave të braktisura, të cilat dikur përbënin burimin kryesor të të ardhurave dhe mbijetesës për shumë familje në rajonin e Pollogut. (koha.mk)




