Në kuadër të aktiviteteve të sotme, ministri i Punëve të Brendshme, së bashku me një pjesë të udhëheqjes së Ministrisë, vizitoi Departamentin për Armë, Mjete Shpërthyese dhe Substanca të Rrezikshme – Shkup dhe DPB Gjevgjeli, ku nga afër inspektoi punën aktuale.
Siç njoftoi MPB, u theksua veçanërisht se qytetarët nga rajoni i Shkupit, krahasuar me pjesët e tjera të vendit, presin pak më gjatë për lëshimin e lejeve dhe licencave për armë. Megjithatë, falë bashkëpunimit me autoritetet gjyqësore, që nga sot është mundësuar kontrolli elektronik i evidencës së kundërvajtjeve të gjykatave. Punonjësve u janë dhënë udhëzime që sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë kronologjike, të kryejnë të gjitha kontrollet e mbetura të individëve dhe t’i informojnë qytetarët për ecurinë e procedurave.
“Si rezultat i punës së madhe në periudhën e kaluar, vetëm këtë vit, janë shqyrtuar pothuajse 8,000 raste në të gjithë vendin – si nga rastet e ,betura nga vitet e kaluara ashtu edhe nga kërkesat elektronike të sapopranuara. Për krahasim, ajo që është realizuar deri më tani në vitin 2025 është katër herë më shumë se mesatarja vjetore deri në vitin 2023. Mënyra e re e punës çrrënjos korrupsionin në këtë fushë, i cili për fat të keq ishte shumë i theksuar. Në këtë drejtim, ministri u bën thirrje të gjithë qytetarëve të raportojnë nëse dikush kërkon shpërblim për një veprim zyrtar që është një detyrim për t’u kryer”, theksoi ministri Toshkovski në lidhje me lëshimin e lejeve dhe licencave për armë.
Në periudhën e ardhshme, shtohet, do të punohet për përmirësimin e aplikacionit dixhital, i cili do t’u lejojë qytetarëve të bashkëngjisin disa nga provat në kërkesë në mënyrë elektronike, dhe prania personale do të kërkohet vetëm gjatë marrjes së miratimit.
Ministri zhvilloi edhe një vizitë pune në Departamentin e Punëve të Brendshme të Gjevgjelisë, ku me udhëheqjen diskutoi situatën e sigurisë në rajon, i cili është porta jugore e vendit tonë dhe nëpër të cilën kalojnë mijëra turistë çdo verë. U konstatua se situata e sigurisë është e qëndrueshme dhe se në periudhën e kaluar janë vërejtur përmirësime në pothuajse të gjitha fushat e punës së policisë.
“Unë besoj fuqimisht se forca e vërtetë e policisë qëndron në partneritet, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat lokale dhe me vetë qytetarët. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë së bashku një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, theksoi ministri, thuhet në kumtesë.