E enjte, 9 Tetor, 2025
20.8 C
Skopje

Transportojnë udhëtarë me automjete pa frena dhe me defekte

Tetovë, 7 tetor – Vazhdon të mbetet i lartë numri i parregullsive që konstatohen gjatë transportit publik. Në këtë drejtim, shumë transportues privat të udhëtarëve me autobusë, minibus, taksi furgonë dhe automjete të taksive, kryejnë këtë veprimtari me automjete të parregullta. Në shumicën e rasteve, bëhet fjalë për parregullsi teknike ku transportohen udhëtarë me automjete me defekte. Kështu, nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se për tetë muaj janë konstatuar parregullsi tek 95 automjete, respektivisht 53 në rajonin e Tetovës dhe 42 në rajonin e Gostivarit. Tek automjetet ku janë konstatuar parregullsi teknike menjëherë janë marrë masa dhe janë larguar nga pjesëmarrja e mëtutjeshme në komunikacion.

“Te shumica prej tyre janë konstatuar parregullsi në pajisjet e frenimit dhe të drejtimit, përkatësisht te 30 automjete, në Tetovë 25 dhe 5 në Gostivar, të cilat menjëherë janë përjashtuar nga komunikacioni. Gjithashtu, janë parashtruar 35 kërkesa për fillimin e procedurës kundërvajtëse për personat juridikë dhe përgjegjës”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Megjithatë, nuk konstatohen vetëm parregullsi teknike, por edhe vozitës të cilët e ushtrojnë veprimtarinë e transportit publik pa licencë adekuate. Gjatë tetë muajve të kaluar janë dënuar 15 vozitës të cilët nuk kishin licencë dhe dokumente adekuate. “Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe 15 drejtues automjetesh kanë kryer transport publik të udhëtarëve pa licencë, si dhe kundërvajtje të tjera lidhur me mbingarkesën e udhëtarëve, drejtimin pa patentë shoferi, mospërdorimin e rripit të sigurisë, drejtimin me kategori joadekuate, dërgimin në kontroll teknik dhe nuk është paraqitur, e të tjera. Për shkelësit janë hartuar parashtresa adekuate dhe të njëjtit do të përballen me dënimet ose sanksionet e parapara me ligj”, tha Rexhepi.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë bëjnë apel deri tek transportuesit publikë, si dhe drejtuesve të tjerë të automjeteve, që me kohë të kontrollojnë gjendjen teknike të automjeteve dhe të largojnë çdo lloj mangësie, të respektojnë rregullat dhe dispozitat ligjore, sinjalizimin e vendosur horizontal dhe vertikal, ta përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të rrugës, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë për një komunikacion të sigurt dhe rrjedhshëm. Një apel i veçantë është bërë për drejtuesit e autobusave që në asnjë mënyrë të mos dilet në komunikacion me autobus që kanë defekte ose parregullsi tjera teknik sepse pasojat janë fatale. Krahas kësaj, apelohet që në periudhën në vazhdim më shumë kujdes të ketë sidomos në zonat malore për shkak se pason një periudhë me lagështi dhe me ngrica në rrugë. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm