E mërkurë, 29 Tetor, 2025
13.8 C
Skopje

Trump dhe Musk pajtohen sërish: Gjithmonë më ka pëlqyer Elon

Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se marrëdhëniet e tij me Elon Musk janë përmirësuar ndjeshëm pas muajsh tensionesh dhe përplasjesh publike. Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One, gjatë udhëtimit drejt Japonisë, Trump deklaroi se është në kontakt me themeluesin e Tesla dhe pronarin e platformës X, dhe se “gjithmonë e ka pëlqyer” atë.

“Gjithmonë më ka pëlqyer Elon. Ai kaloi një kohë të vështirë, një periudhë të keqe. Por mua më pëlqen Elon, dhe dyshoj se gjithmonë do ta bëj,” – u shpreh Trump, sipas Politico.
Të dy janë takuar së fundmi në funeralin e Charlie Kirk në Arizona, dhe që prej asaj kohe, sipas Trump, kanë folur “herë pas here”.

Ky zhvillim shënon një fazë të re normalizimi në marrëdhëniet mes dy figurave, pas një vere të tensionuar me sulme të ndërsjella publike. Konflikti kishte nisur pasi Musk kishte lënë të hapur mundësinë për të mbështetur kandidatë kundër republikanëve, madje edhe për të krijuar një parti të re politike, të quajtur “Partia e Amerikës”.

Në atë periudhë, Trump e kishte paralajmëruar Muskun për “pasoja shumë serioze” nëse do të ndiqte planet e tij, madje kishte sinjalizuar masa të mundshme përmes Agjencisë së Efikasitetit të Qeverisë, ku Musk kishte pasur një rol këshillues.

Sipas Politico, afrimi i fundit mes Trump dhe Musk mund të ketë pasoja të rëndësishme politike dhe ekonomike në prag të zgjedhjeve të 2026-s dhe 2028-s, duke sinjalizuar një aleancë të mundshme mes politikës dhe biznesit të teknologjisë në Shtetet e Bashkuara.(TP)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm