Pirja e duhanit është kudo – në rrugë, parqe, para shkollave dhe çerdheve, madje edhe në spitale e lokale. Hulumtimet tregojnë se 7.7 për qind e të rinjve të moshës 13-15 vjeç në Maqedoni janë duhanpirës aktivë, ndërsa 4.1 për qind e fëmijëve 11-vjeçarë kanë provuar të paktën një herë cigare, me përqindje dukshëm më të lartë te djemtë. Institucionet thonë se Ligji i ri synon ta thyejë këtë normalitet të rrezikshëm, por sfida mbetet zbatimi
Evis HALILI
Shkup, 15 janar – Vështirë se ka vend në vend ku nuk shihet dikush me cigare në dorë. Pihet duhan në rrugë dhe parqe, por edhe para shkollave dhe çerdheve, para spitaleve, në restorante, kafene dhe diskoteka – shkurt, pihet kudo. Kjo pamje është bërë prej kohësh pjesë e përditshmërisë dhe pyetja nuk është më nëse fëmijët dhe të rinjtë eksperimentojnë me zakone të dëmshme, por sa herët e nisin dhe kush ua mundëson këtë. Edhe pse ligjet formalisht ndalojnë shitjen e cigareve dhe alkoolit për të miturit, realiteti është krejt tjetër. Këto produkte janë lehtësisht të qasshme – në supermarkete, kioska dhe lokale, pa kontroll moshe dhe pa frikë reale nga sanksionet.
Të miturit blejnë, pinë duhan dhe konsumojnë alkool publikisht, para syve të të gjithëve, ndërsa kontrolli institucional mbetet vetëm në letër. Kjo pandëshkueshmëri dërgon një mesazh të qartë: rregullat ekzistojnë, por nuk zbatohen. Kur fëmijët çdo ditë shohin se si pihet duhan para shkollave e çerdheve, apo se si tymi i pret në hyrje të restoranteve dhe diskotekave, është e vështirë të flitet për parandalim, zakone të shëndetshme dhe përgjegjësi.
TË DHËNA ALARMANTE PËR DUHANIN DHE ALKOOLIN TE TË RINJTË
Sipas studimit ESPAD 2024, të realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik, të rinjtë në Maqedoni nisin me zakone të rrezikshme shumë më herët sesa mendohet. Disa fëmijë provojnë cigaren e parë që në moshën 9-vjeçare, ndërsa përvoja e parë me alkoolin ndodh më së shpeshti në moshën 13-14 vjeç. Gati 38 për qind e adoleshentëve kanë provuar cigare, ndërsa të rriturit pinë mesatarisht deri në 20 cigare në ditë.
As të dhënat për popullatën e rritur nuk janë më pak shqetësuese. Një duhanpirës aktiv në Maqedoni konsumon mesatarisht rreth 18 cigare në ditë, shpesh edhe një paketë të plotë. Më shumë pinë meshkujt, veçanërisht ata me perceptim më të ulët të rreziqeve nga duhani dhe me qasje më të madhe në hapësira ku pirja lejohet. Ndërkohë, dëshira për ta lënë duhanin është dukshëm më e lartë te ata që pinë më pak cigare në ditë. Sa u përket produkteve të reja të duhanit, pajisjet për duhan të ngrohur si IQOS kanë ende përdorim relativisht të ulët – vetëm 4.5 për qind e të anketuarve ishin përdorues aktivë në momentin e studimit. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i tyre mund të rritet, sidomos te të rinjtë, nëse nuk vendoset rregullativë dhe kontroll i qartë.
Studimi Global Youth Tobacco Survey (2016) tregon se 7.7 për qind e të rinjve të moshës 13-15 vjeç janë duhanpirës aktivë, ndërsa Health Behaviour in School-aged Children (2018) zbulon se 4.1 për qind e fëmijëve 11-vjeçarë kanë provuar të paktën një herë cigare, me përqindje dukshëm më të lartë te djemtë.
LIGJI I RI SI PËRGJIGJE NDAJ SHIFRAVE ALARMANTE?
Të dhënat alarmante për ekspozimin e hershëm ndaj duhanit dhe alkoolit janë një nga arsyet pse së fundmi ka nisur debati publik për projektligjin e ri për kontrollin e pirjes së duhanit. Ai parashikon ndryshime thelbësore: ndalim të plotë të pirjes së duhanit në hapësira publike dhe pune, kufizime më të rrepta për reklamimin dhe promovimin e produkteve të duhanit dhe nikotinës, si dhe gjoba dukshëm më të larta për shkelësit. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ditë më parë theksoi se qëllimi i ndryshimeve ligjore nuk është represioni, por parandalimi dhe mbrojtja e shëndetit publik, me fokus të veçantë te fëmijët dhe të rinjtë. Sipas tij, duhani dhe nikotina janë ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë së parakohshme, ndërsa produktet e reja të nikotinës, të shtyra nga marketing agresiv, po synojnë gjithnjë e më shumë të miturit.
Projektligji parashikon ndalim gjithëpërfshirës të pirjes së duhanit dhe përdorimit të cigareve elektronike, duhanit të ngrohur dhe produkteve të tjera me nikotinë. Risi është ndalimi edhe në automjete private kur brenda ka fëmijë. Pirja e duhanit do të ndalohet rreptësishtë në institucione shëndetësore, arsimore e sociale, institucione shtetërore dhe komunale, vende pune, transport publik, objekte hotelierike e tregtare, si dhe në hapësirat e përbashkëta të ndërtesave banesore. Përjashtime do të ketë vetëm për hapësira të jashtme të përcaktuara qartë, të ndara fizikisht dhe të hapura nga së paku tre anë.
Një risi tjetër kyçe është ndalimi i plotë i reklamimit dhe promovimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës, përfshirë platformat digjitale, influencerët, sponsorizimet dhe përmbajtjet mediatike. Po ashtu, ndalohet prodhimi dhe shitja e produkteve me aroma dhe shije që, sipas ekspertëve, i tërheqin veçanërisht të rinjtë dhe rrisin rrezikun e varësisë së hershme. Ligji ndalon edhe shitjen e produkteve të duhanit me copë, përmes automatëve, vetëshërbimit ose online, ndërsa ekspozimi i tyre në dyqane do të kufizohet rreptësishtë. Parashikohen gjoba të larta – nga disa mijëra euro për persona juridikë deri në gjoba për individë, si dhe mundësia e ndalimit të përkohshëm të veprimtarisë për lokalet që nuk respektojnë rregullat.
Mbikëqyrjen e zbatimit do ta kryejnë disa institucione: Inspektorati Shtetëror i Tregut, Inspektorati Sanitar, Inspektorati i Punës dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Megjithatë, përvoja e së kaluarës ngre dilemën nëse edhe ky ligj do të sjellë ndryshim real, apo do të mbetet mes qëllimeve të mira dhe zbatimit të dobët në terren. Me ndalim pothuajse të plotë në hapësirat publike dhe të punës, kufizime të forta për reklamimin dhe gjoba të larta, ligji i ri ka potencial të mbrojë shëndetin publik dhe sidomos të rinjtë. Por përvoja tregon se vetëm ligjet nuk mjaftojnë – suksesi varet nga zbatimi konsekuent dhe mbikëqyrja e vazhdueshme. A do të arrijë Maqedonia këtë herë ta zbatojë Ligjin dhe ta ulë pirjen e duhanit te të rinjtë, mbetet për t’u parë.




