Tetovë, 28 tetor – Uji në Tetovë vazhdon të mos jetë i pijshëm. Valon Zeqiri nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” thotë se përpos që është jashtë funksioni filtër stacioni i Tetovë, si institucion po përballen me problem tjetër, respektivisht edhe uji nga burimet e Kodrës së Diellit është ndotur nga reshjet e mëdha të shiut. Kjo që ndodhi sipas Zeqirit është hera e parë që uji nga burimet në Kodrën e Diellit të jetë i ndotur. Prandaj edhe pritet që të bëhen investime në rrjetin e ujësjellësit për të evituar në të ardhmen probleme të kësaj natyre. “Uji me analizat e para të cilat i kemi marrë, vazhdon të mos jetë i pijshëm, deri pasdite presim analiza të reja dhe pastaj do të dalim me konfirmim të ri. Kjo që ka ndodhur, nuk ka ndodhur asnjëherë që uji që vjen nga burimet e Kodrës së Diellit, të jetë i turbullt, për herë të parë na ndodh kjo situatë”, deklaroi drejtori Zeqiri.
Në ndërkohë, edhe Qendra për Shëndet Publik njoftojnë se uji në Tetovë nuk është i pijshëm dhe rekomandohet të konsumohet uji i ambalazhuar. “Sasia e madhe e reshjeve që ka rënë këtyre ditëve në rajonin tonë dhe veçanërisht në Malin Sharr, shkaktoi ndotje të ujit të pijshëm. Analizat kimike dhe fizike tregojnë se ka trend të uljes së ndotjes së ujit dhe është në kuadër të vlerave normale sipas rregullores për sigurinë e ujit të pijshëm, por duhet patjetër që të presim analizat mikrobiologjike. Dhe derisa presim rezultatet mikrobiologjike rekomandojmë që uji të mos konsumohet për pije”, tha Ratko Davidovski, mjek. Qytetarët luten që ujin ta përdorin vetëm për nevoja elementare si higjienë dhe pastrim, derisa të përfundojnë analizat e reja laboratorike. (koha.mk)




