Ligji i propozuar parashikon ulje apo heqje të ndjeshme të kostove dhe komisioneve bankare. Në këtë mënyrë ulen edhe shpenzimet mujore të qytetarëve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 30 tetor- Bankat në vend me vite janë ndër sektorë më fitimprurës në vend. Ekspertët e sistemit financiar thonë se fitimet e larta të bankave e sidomos e bankave më të mëdha në shtet vjen nga politikat konservatore të punës së tyre, kujdesin e madh që bëjnë ato me kreditimin e atyre klientëve që mund të kthejnë pjesën kryesore të borxhit, dhe kamatat. Njëherësh në favor të fitimit të madh të bankave shkon edhe margjina e madhe e kamatës, apo me fjalë të tjera, e dallimit në përqindje midis kamatave aktive dhe pasive, apo kamatave me të cilat ofrohen kreditë e ndryshme dhe kamatave të kursimeve. Nuk janë të vogla edhe fitimet nga kompensimet e ndryshme për shërbimet që I kryejnë bankat. Apo me fjalë të tjera një shumë e madhe parash vjen edhe nga të ardhurat që nuk llogariten në kamatë. Vitin e kaluar, të 13 bankat në Maqedoni së bashku kanë pasur fitime neto prej mbi 100 milionë euro, vetëm nga komisionet dhe tarifat, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore.
Në vitin 2022, bankat realizuan një fitim rekord pas taksimit prej mbi 157 milionë euro, që është 8.5 milionë euro më shumë se një vit më parë. Ata kanë realizuar të ardhura prej 287 milionë euro nga kamatat, apo 32 milionë euro më shumë se në vitin 2021. Ata fitojnë edhe të ardhura nga diferencat e kursit të këmbimit dhe për arsye të tjera. Nga ana tjetër ato kanë shpenzime për operacione administrative, paga, zhvlerësime, sigurime, dëme, taksa dhe shpenzime të tjera. Në fund u mbeten 157 milionë euro fitime të pastra.
Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se bankat në 5 vitet e fundit kanë rritur fitimet për 16 për qind, por të hyrat nga komisionet dhe tarifat janë rritur për gati 35 për qind. Nga Banka Popullore presin që Ligji i ri për shërbimet e pagesave dhe sistemet e pagesave, i çili hyri në fuqi në fillim të vitit, të rrisë konkurrencën dhe të kontribuojë në uljen e çmimeve të shërbimeve. Ligji lejon që përveç bankave, shërbime pagesash të mund të ofrohen edhe nga bankat e kursimeve dhe kompanitë e tjera që do të marrin leje nga Banka Popullore. Faturat do të mund të paguhen pranë këtyre kompanive apo agjentëve të tyre, kështu që teorikisht do të mund të paguhet për energjinë elektrike dhe ujin në trafik apo në supermarket. Duke iu përgjigjur një pyetjeje parlamentare, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha në fund të qershorit 2022 se është legjitime të pyetet se sa nga fitimi i bankave vjen nga kamata dhe sa nga komisionet.
“Duke respektuar standardin e vendosur për të mos komentuar politikën monetare, do t’u bëj thirrje deputetëve, pa përjashtim, përfshirë edhe nga LSDM-ja, ku edhe unë jam anëtar, ta rishikojnë Ligjin për bankat në këtë pjesë dhe përmes dëgjimit publik, këtu. në Kuvend, së bashku me ju, të konstatojmë nëse mund të ndërhyhet në lidhje me shumën e shumës absolute në fitimin e përgjithshëm të bankave që vjen nga të ardhurat jo kamatore”, theksoi Kovaçevski më 29 qershor 2022.
Nga ana tjetër, po pret për miratim në Parlament, Propozim Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shërbimet e pagesave dhe sistemet e pagesave, sipas procedurës së shkurtuar, i paraqitur më 12 korrik nga përfaqësuesit e Partisë Liberal Demokratike dhe të Majtë, ka ngecur në kuadër të seancës së 120-të të Parlamentit dhe Komisionit Financiar dhe buxhetit, thotë kryetarja e Partisë Liberal Demokrate, Monika Zajkova. “Apelojmë që ky ligj të rishikohet sa më shpejt për të mbrojtur qytetarët që përdorin shërbimet e bankave në baza ditore. Jemi dëshmitarë të kostove dhe komisioneve të larta, si për miratimin e kredisë, mbajtjen e llogarive, komisionet për kontrollin e një llogarie transaksioni, madje edhe tërheqjen e parave nga një bankë tjetër, nëse është ndryshe nga banka depozituese e qytetarëve”, thekson kreu i PLD-së dhe deputetja Zajkova. Ajo shton se ky ligj i propozuar parashikon ulje apo heqje të ndjeshme të kostove dhe komisioneve bankare. “Në këtë mënyrë ulen edhe shpenzimet mujore të qytetarëve, që është një hap më afër një mjedisi financiar më të drejtë për të gjithë. Jemi të vetëdijshëm se edhe pse këto çështje janë pjesë e politikës së brendshme të bankave, rregullimi ligjor është ende i nevojshëm sepse bëhet fjalë për një fitim të madh”, shprehet ajo.
“Apelojmë që ky ligj të rishikohet sa më shpejt për të mbrojtur qytetarët që përdorin shërbimet e bankave në baza ditore. Jemi dëshmitarë të kostove dhe komisioneve të larta, si për miratimin e kredisë, mbajtjen e llogarive, komisionet për kontrollin e një llogarie transaksioni, madje edhe tërheqjen e parave nga një bankë tjetër, nëse është ndryshe nga banka depozituese e qytetarëve”
Ndryshe, në Maqedoni punojnë 13 banka ku pesë banka janë të mëdha si Stopanska, Komerciale dhe NLB Tutunska. Pas integrimit të Shparkase Banka Maqedoni me Bankën e Ohrit që posedohej nga gjigandi francez Sosiete Zhenarl nga viti 2007, disa vite më parë atë e bleu Shparkase Banka Shkup ku banka e konsoliduar zë vendin e katërt për nga totali i aktivave apo disponimit me para , dhe atë para Halkbank Shkup e cila u rendit në vendin e 5-të. Përskaj bankave më të mëdha në vend punojë edhe tre banka të mesme dhe pesë banka të vogla. Rreth 80 për qind e të ardhurave nga komisionet dhe tarifat përfundonin te pesë bankat më të mëdha dhe 20 për qind e mbetur ndahet nga të tjerat. Pesë bankat më të mëdha realizojnë 90 për qind të të gjitha fitimeve të bankave. (koha.mk)