Këtë të martë, më 28 tetor, ishte dita e dytë e procesit gjyqësor ndaj dhjetë të pandehurve të akuzuar për ngacmimet seksiste online ndaj zonjës së parë të Francës, për përhapjen e teorive konspirative që e paraqesin bashkëshorten e presidentit Emannuel Macron si një grua transgjinore dhe madje si pedofile.
“Jam këtu si vajzë, si grua, si nënë.” Me zë të vendosur, Tiphaine Auzière, vajza më e vogël e Brigitte Macron, foli para gjykatës së Parisit. Brigitte Macron nuk ishte e pranishme, por Tiphaine u paraqit në sallë si dëshmitare për të shprehur “vuajtjen” që ka shkaktuar fushata e baltosjes në rrjetet sociale ndaj nënës së saj, e përqendruar në teori konspirative.“Është e rëndësishme të jem këtu sot për të treguar paragjykimin që ka pësuar nëna ime,” shpjegon Auzière, edhe ajo avokate, shkruan La Repubblica.
“Doja të tregoja se si ka ndryshuar jeta e saj që kur nisi kjo fushatë urrejtjeje në internet.” Sipas saj, lajmet e rreme, që kanë marrë përmasa globale dhe janë përhapur deri në SHBA, kanë shkaktuar një përkeqësim të dukshëm të kushteve të jetës së bashkëshortes së presidentit francez.
“Kam vërejtur një ndryshim real dhe një përkeqësim të shëndetit të saj, edhe pse nuk jam mjeke dhe vetëm një mjek mund ta certifikojë. Por është e dukshme.” Një certifikatë mjekësore e firmosur nga mjeku i zonjës së parë është bashkëngjitur në dosje dhe konfirmon ndikimin në shëndetin psikofizik, “të shkaktuar nga mesazhet që janë përjetuar si ngacmime.” Tiphaine Auzière, 41 vjeç, e njohur edhe si personazh publik për lidhjen e saj me prezantuesin e njohur televiziv Cyril Hanouna, përshkruan një mundim të përditshëm që ndikon në zakonet e nënës së saj.
“Që kur disa foto të bëra në kontekste familjare janë manipuluar, ajo është e detyruar të tregojë kujdes ekstrem për veshjen, qëndrimin, çdo detaj. E di shumë mirë që çdo imazh mund të shtrembërohet dhe të përdoret për të ushqyer gënjeshtra mbi identitetin dhe nderin e saj,” shpjegon vajza. “Përballet vazhdimisht me sulme. Lexon postimet që flasin për të, dhe kur nuk i lexon, ka nga ata që ia përmendin në kontekste profesionale dhe private.” Edhe pse pranon se nëna e saj “është mësuar të jetojë me këtë”, Auzière thekson se dhimbja më e madhe për Brigitte Macron mbeten “pasojat te fëmijët dhe nipërit.” “Është një person që nuk është zgjedhur, nuk ka kërkuar asgjë, dhe gjendet e ekspozuar ndaj dhunës së panevojshme, ndërkohë që të gjitha nismat ku angazhohet janë për të mirën e përbashkët.”
Gjatë seancës, vajza e zonjës së parë u pyet edhe nga avokatët e palëve civile. Disa nga të pandehurit vazhdojnë të mbështesin tezën se Brigitte Macron dhe vëllai i saj Jean-Michel Trogneux janë në fakt i njëjti person. Auzière u përgjigj pa hezitim: “E kam parë xhaxhain tim disa muaj më parë.” Avokatët e mbrojtjes i kritikuan përgjigjet si “boshe” dhe mungesën e zonjës së parë në seancë. “Shkon në sfilata mode, por nuk vjen në gjykatë,” ironizoi një nga avokatët e të pandehurve. Në bankën e të akuzuarve është edhe publicisti Aurélien Poirson-Atlan, i cili ka përhapur teori konspirative me pseudonimin Zoé Sagan, dhe profili i tij në X është bllokuar. Poirson-Atlan ka mbrojtur të drejtën e tij për të shprehur, si “satirë”, një “pikëpamje alternative ndaj medias kryesore.”
“Jam absolutist i lirisë së shprehjes,” shtoi ai. Prokurori ka kërkuar dënime nga 3 deri në 12 muaj burg për nëntë nga dhjetë të pandehurit. Vendimi pritet të jepet në javët e ardhshme. Ndërkohë, zonja e parë ka një tjetër proces në Gjykatën e Kasacionit kundër dy grave që kishin përhapur lajmin e rremë katër vite më parë. Çifti presidencial ka paditur gjithashtu influenceren amerikane Candace Owens në Gjykatën e Lartë të Delaware.




