E enjte, 30 Tetor, 2025
3.8 C
Skopje

Veterani i UÇK-së bëhet Kampion Shtetëror në Bodybuilding në Maqedoni

Në Shkup, një histori e jashtëzakonshme e forcës dhe qëndrueshmërisë ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve: një ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), i cili humbi një këmbë gjatë Luftës së 2001-shit, arriti të shpallet Kampion Shtetëror i Maqedonisë në garat e bodybuilding-ut.

Pavarësisht kufizimeve fizike dhe përdorimit të protezës, ai doli në skenë dhe garoi krahas atyre që nuk kanë pengesa fizike, duke fituar garën.

Pas fitores, ai e shprehu mirënjohjen dhe nderimin ndaj Zotit, duke thënë: “Falë ndihmës dhe mëshirës së Allahut, arrita të bëhem Kampion Shtetëror i Maqedonisë në bodybuilding, edhe pse jam i paaftë nga lufta dhe garova me protezë. Kjo fitore i dedikohet Zotit, që më dha forcën, durimin dhe vullnetin për të mos u dorëzuar kurrë.”

Atleti, i njohur me emrin Bejtulla Elezi, përfaqësoi me krenari Klubin “Atleta”, duke falënderuar trajnerin e tij dhe pronarin e klubit, Mile, për mbështetjen dhe besimin që treguan gjatë gjithë periudhës së përgatitjeve.

Ai përfundoi me një mesazh frymëzues: “Kjo fitore tregon se me besim në Zotin dhe me përkushtim, asgjë nuk është e pamundur.”

Ky triumf është më shumë se një arritje sportive – ai përfaqëson guximin, durimin dhe shpirtin e pathyeshëm të një veterani, i cili, edhe pas sakrificave të luftës, vazhdon të inspirojë të tjerët me shembullin e tij të jashtëzakonshëm.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm