Veturat e reja të policisë tashmë në terren

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se pas një kohe të gjatë ky sektor pajiset me vetura të reja të cilët janë më efikase dhe do t`ju mundësojnë pjesëtarëve të policisë të arrijnë në kohë në vendngjarje

Urim HASIPI

Tetovë, 5 janar – 10 automjetet e reja të cilët arritën para vitit të ri në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë tashmë mund të shihen në terren, me të cilët policia kryen veprimet e tyre të përditshme për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Nga SPB-Tetovë thonë se këta automjete do të kontribuojnë në ushtrimin më efikas të detyrave të përditshme të policisë, ndërhyrje më të shpejtë në terren dhe prani të shtuar të policisë aty ku qytetarët kanë nevojë më të madhe për siguri.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se pas një kohe të gjatë ky sektor pajiset me vetura të reja, të cilët janë më efikase dhe do t`ju mundësojnë pjesëtarëve të policisë të arrijnë në kohë në vendngjarje, por edhe për të rritur efikasitetin edhe gjatë veprimeve tjera operative. “Me pranimin e këtyre automjeteve do të lehtësohet në masë të madhe puna e pjesëtarëve të policisë së Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, sidomos të atyre pjesëtarëve që çdo ditë ndërmarrin veprime në terren. Kjo, pasi që një pjesë e veturave që janë 24 orë në terren, ndonjëherë kanë edhe defekte dhe me këto vetura nuk do të ketë problem gjatë transportit të patrullave policore”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Kohë më parë, është bërë e ditur se një furnizim i këtillë i automjeteve të policisë është i pari pas 15 vjetësh, ndërkaq bëhet fjalë për automjete moderne dhe të fuqishme me të cilat nëpunësit policorë do t’i ushtrojnë detyrat e tyre të punës me më shumë efikasitet. Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme thekson se furnizimi me automjete të reja është pjesë e një procesi më të gjerë të modernizimit të policisë, i cili përfshin edhe rinovimin e pajisjeve, digjitalizimin e proceseve, avancimin e trajnimeve dhe reformat sistemore me qëllim krijimin e një shërbimi policor profesional, efikas dhe modern.

“Automjetet e reja në kuadër të pajisjeve të tyre teknike, kanë të gjitha karakteristikat moderne teknologjike për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave, si çdo polici tjetër në botë. Në të gjitha automjetet do të instalohen sistemet më moderne ‘Tetra’ me informacionin e nevojshëm me qëllim që nëpunësit policorë të kryejnë të gjitha ato verifikime të nevojshme të evidencës në vendngjarje, të gjitha ato analiza të dhënash që i ka policia, analizat e evidencës për kundërvajtjet dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme që të njëjtat të jenë efikase në suaza të punës së tyre dhe, së fundmi, t’u përgjigjen të gjitha atyre sfidave me pajisje, informacion dhe teknologji, të tilla që i ka çdo vend tjetër evropian”, njoftuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Disa nga automjetet që arritën në Tetovë janë ndarë edhe për stacionin policor në Gostivar. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm