E premte, 26 Shtator, 2025
18.8 C
Skopje

Vizioni diplomatik i Turqisë për drejtësi dhe mirëqenie

Në dritën e përvojave të dhimbshme që kemi kaluar, jemi të bindur se një e ardhme e mbështetur mbi të vërtetën, drejtësinë dhe solidaritetin mund të ndërtohet vetëm përmes vullnetit tonë të përbashkët. Të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi, Turqia do të vazhdojë të udhëheqë marshimin e njerëzimit drejt një të ardhmeje të denjë dhe të drejtë

Nga Recep Tayyip Erdogan

Ka një kohë të gjatë që bota po përballet me një valë të pandërprerë pasigurish dhe sfidash gjithnjë në rritje. Konfliktet, mungesa e sundimit të ligjit, sulmet terroriste, pandemitë, katastrofat klimatike, si edhe përkeqësimi i padrejtësisë dhe pabarazisë po bëjnë presion të jashtëzakonshëm mbi rendin aktual ndërkombëtar. Në kundërpërgjigje, Turqia vepron me vizionin që – pa shmangur qasjen e saj në politikën e jashtme të bazuar në parimet e drejtësisë, paqes dhe solidaritetit – të veprojë përmes krizave gjithëpërfshirëse, komplekse dhe shpesh të dhimbshme, duke mbrojtur si sigurinë e saj kombëtare, ashtu edhe të ardhmen e përbashkët të njerëzimit.

Thirrja jonë prej kohësh, e bazuar në parimin se “Bota është më e madhe se pesë”, nuk përbën thjesht një kritikë ndaj rendit global ekzistues, por përfaqëson një vizion për të ardhmen e përbashkët të njerëzimit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore për të ruajtur paqen dhe sigurinë, fatkeqësisht nuk është më në gjendje të përmbushë funksionin e saj thelbësor përballë krizave dhe konflikteve të ditëve të sotme. Këshilli i Sigurimit, organi kryesor i OKB-së, i cili u themelua mbi pretendimet për drejtësi dhe barazi, është kufizuar në vullnetin dhe interesat e vetëm pesë vendeve në vendimmarrje për krizat rajonale dhe globale. Kjo strukturë e padrejtë, që përbën një nga burimet kryesore të ngërçeve të kohës sonë, ka nevojë urgjente për reformim, në mënyrë që OKB-ja të mund të funksionojë si qendër e vërtetë e multilateralizmit efektiv, në përputhje me parimet e saj themeluese, si dhe të mundësojë krijimin e zgjidhjeve të drejta për sfidat globale.

Pavarësisht boshllëkut të krijuar nga rënia e efikasitetit të OKB-së dhe sfidave të shumëfishta gjeopolitike, Turqia e vë diplomacinë e dialogut dhe ndërmjetësimit në qendër të politikës së saj të jashtme. Nisma për Drithërat e Detit të Zi, të cilën e kemi zbatuar së fundmi, është shembulli më i qartë i kësaj qasjeje, duke dhënë kontribute konkrete për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe global. Në një rajon të gjerë që shtrihet nga Kaukazi në Afrikë dhe nga Lindja e Mesme në Ballkan, Turqia nuk ka hezituar të marrë përgjegjësinë për t’i dhënë fund konflikteve përmes zgjidhjeve të drejta diplomatike dhe për të sjellë një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë.

Vizioni diplomatik i Turqisë reflektohet jo vetëm në zgjidhjen e krizave, por edhe në adresimin e çështjeve humanitare. Pozicioni i Turqisë si një nga ofruesit kryesorë të ndihmës humanitare në botë, dëshmon përgjegjësinë që buron nga historia dhe vlerat tona të rrënjosura. Në këtë kontekst, Turqia do të vazhdojë me vendosmëri të luajë një rol udhëheqës në forcimin e solidaritetit global.

Pushtimi i vazhdueshëm dhe mizoritë që po kryhen nga Izraeli në Gazë përbëjnë një nga sprovat më të rënda për ndërgjegjen njerëzore.

Kjo sprovë përfundon me turp për gjithë njerëzimin, duke filluar nga vetë akterët e sistemit ndërkombëtar. Fëmijët dhe gratë po humbin jetën, ndërsa miliona njerëz mbeten të privuar nga nevojat më bazike. Turqia vazhdon përpjekjet për të siguruar një armëpushim, për të mundësuar shpërndarjen e pandërprerë të ndihmës humanitare dhe për të ringjallur zgjidhjen me dy shtete. Mbi 100 mijë tonë ndihma që kemi dërguar në Gazë përbëjnë vetëm një nga hapat që kemi ndërmarrë për të shëruar plagët e vëllezërve dhe motrave që përballen me urinë nën bllokadën çnjerëzore të Izraelit. Përballë një mizorie në të cilën dhjetëra palestinezë të pafajshëm humbin jetën çdo ditë – qoftë nga uria, mungesa e barnave, apo nga plumbat dhe bombat e forcave pushtuese izraelite – ne besojmë se bashkësia ndërkombëtare duhet të demonstrojë një qëndrim më të vendosur dhe më të sinqertë.

E vërteta, për të cilën kemi folur me këmbëngulje dhe guxim, është sërish e dukshme: Paqja e drejtë është e mundur vetëm përmes themelimit të një shteti sovran palestinez mbi kufijtë e vitit 1967, me integritet territorial dhe me Al-Kudsin [Jerusalemin Lindor] si kryeqytet. Kjo është thelbësore për një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme. Thirrja jonë ndaj shteteve të botës është e qartë: “Njiheni shtetin e Palestinës”. Në të vërtetë, njohja e Palestinës përbën reagimin më të fuqishme ndaj pushtimit, bllokadës dhe shtypjes. Përgëzojmë vendet që së fundmi kanë shpallur vendimin e tyre në mbështetje të kësaj përpjekjeje dhe presim që ato të mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre, duke e përkthyer përkushtimin në hapa konkretë.

Siria është një tjetër vend me rëndësi të madhe për stabilitetin rajonal. Që nga viti 2011, konflikti në Siri ka shkaktuar vdekjen e qindra-mijëra njerëzve, zhvendosjen e miliona të tjerëve dhe një shkatërrim të gjerë.

Sot, rindërtimi dhe rikuperimi i Sirisë është thelbësor për stabilitetin e gjithë Lindjes së Mesme. Interesat e popullit sirian duhet të jenë prioritet në çdo vendim që ka të bëjë me të ardhmen e Sirisë. Duhet theksuar gjithashtu se paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Siri mund të arrihen vetëm duke marrë parasysh vullnetin e përbashkët të të gjithë popullit sirian, pa favorizuar asnjë sekt apo grup të veçantë. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë parimin e respektimit të integritetit territorial dhe unitetit politik të Sirisë, ashtu siç kemi riafirmuar në të gjitha sferat. Turqia është kundër çdo nisme që shpërfill vullnetin e popullit sirian dhe që krijon hapësirë për ambicie separatiste apo organizata terroriste. E vetmja mënyrë për të korrigjuar gabimet e bëra në Siri gjatë 14 vjetëve të fundit, është mbështetja për krijimin e një rendi të qëndrueshëm shtetëror dhe shoqëror, të bazuar në qasjen e sigurisë së përbashkët.

Në dritën e përvojave të dhimbshme që kemi kaluar, jemi të bindur se një e ardhme e mbështetur mbi të vërtetën, drejtësinë dhe solidaritetin mund të ndërtohet vetëm përmes vullnetit tonë të përbashkët. Të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi, Turqia do të vazhdojë të udhëheqë marshimin e njerëzimit drejt një të ardhmeje të denjë dhe të drejtë. (Newsweek)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm