E enjte, 2 Tetor, 2025
6.8 C
Skopje

VLEN-i mbetet edhe pa dy ministra?!

Ndryshe nga Bilall Kasami që thotë se Ministria e Shëndetësisë i takon koalicionit VLEN, kryeministri Mickoski përsëriti se Komiteti Qendror e ka autorizuar për dorëzimin e dy emrave – një për në Shëndetësi dhe një për zëvendëskryeministër në vendin e Arben Fetait

Ersan PAJAZITI

Shkup, 14 maj – Pas largimit të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit nga qeveria, u bë e qartë se faktori politik shqiptarë në pushtet mbeti me nëntë deputetë. Megjithatë, tani do të mbetet edhe pa dy ministri – pa ministrin e Shëndetësisë dhe pa zëvendëskryeministër, detyrë të cilën e ka ushtruar Arben Fetai. Megjithëse të martën mbrëma, Komiteti Qendror i VMRO-së e autorizoi Mickoskin tqë propozojë dy emra për dy dikasteret që i patën takuar ASH-së, në VLEN nuk “dorëzohen”. Thonë se dy ministritë e Taravarit i takojnë partive shqiptare në koalicionin qeveritar.

“Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së mbajti një takim të rregullt ku diskutuam për situatën aktuale ekonomike dhe politike në vend. Kishte edhe disa çështje të tjera kadrovike, përgatitje për aktivitetet në periudhën e ardhshme. Pres që deri në fund të muajit, përafërsisht, të dal para anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv me propozime për kandidatë për kryetarë komunash. Procedura është e tillë, dhe më pas kalon në Komitetin Qendror”, tha Mickoski.

Njëri nga krerët e VLEN-it, Billal Kasami, ndryshe nga dje, sot tha se Ministria e Shëndetësisë i ngelet VLEN-it. “Nuk ka bisedime për këmbim të ministrive. Unë e dhashë një deklaratë se një ndër shkaqet që e kemi marrë Ministrinë e Shëndetësisë ka qenë që drejtpërdrejtë Arben Taravari ka kërkuar që të jetë ministër i Shëndetësisë dhe sigurisht, kur bën kombinatorikat për pozicionet, përgjegjësitë që duhet të ndahen, ndahet edhe në bazë të kapaciteteve që i kemi. Unë e thash si një mundësi që nëse do të ketë nga VLEN ndonjë kombinatorikë tjetër për ndonjë kuadër tjetër që është më i rëndësishëm, duhet ta bisedojmë me Qeverinë. Për momentin nuk është folur, mbetet Ministria e Shëndetësisë te VLEN-i”, tha Kasami.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka thënë se Qeveria është stabile dhe se punojnë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Mexhiti, madje paralajmëroi se ditëve në vijim do të ketë transferime të deputetëve nga Fronti Europian në VLEN. “BDI në fillim anëtarësinë e mbanin me gënjeshtra që do të kthehen për një muaj, dy muaj, tani është rrena e radhës që do të kthehen së shpejti. Sa i përket deputetëve, loja nuk ka përfunduar, por ka filluar. Nëse dikush ka menduar se me largimin e Taravarit loja ka përfunduar, do të shohim në vijim se loja ka filluar dhe do të luhet në terrenin e Frontit Europian”, tha mes tjerash Mexhiti.

Por, ndryshe nga Kasami, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se Ministria e Shëndetësisë dhe posti i zëvendëskryeministrit i takon VMRO-së. Ai dje informoi se në takimin e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, anëtarët e autorizuan atë që të nominojë emra të rinj që do të zëvendësojnë ata që, siç tha ai, vendosën të shkojnë në përqafimin e Ali Ahmetit dhe BDI-së, dhe që vijnë nga radhët e partisë së Arben Taravarit. Kryeministri u pyet nëse të gjithë funksionarët nga Aleanca e Arben Taravarit po largohen ose ka disa që do të vazhdojnë të veprojnë në pushtet, si dhe nëse do të ketë shkarkime apo do të pritet dorëheqja e funksionarëve.

“Gjatë periudhës që pason, shumë gjëra do të jenë më të qarta, kështu që, le të jemi të durueshëm dhe të bisedojmë. Jam i sigurt se në ato biseda do të arrijmë një marrëveshje, kështu që, pres që tashmë gjatë javës së ardhshme të ketë më shumë për këtë temë. Janë planifikuar aktivitete për fundjavë, të shtunën dhe të dielën, kështu që, javën e ardhshme pres që shumë më tepër të bëhen të njohura çështjet për të cilat më pyesni”, tha Mickoski.

Ndërkohë, çështja e largimit të Taravarit nga Qeveria vazhdon të jetë temë e përplasjeve në mes partive politike. Kështu, VMRO-DPMNE thotë se Taravari duhet të përgjigjet se me çfarë është shantazhuar. Sipas tyre, kjo sjellje e paarsyeshme e tij mund të ndodhë vetëm si pasojë e shantazhit dhe “nën diktatin e lobit kriminal, i njëjti që e gjunjëzoi LSDM-në dhe e bashkoi atë në një partneritet dhe martesë me mafian e BDI-së”. “Arben Taravari duhet të jetë i ndershëm dhe të pranojë se informacioni që po përhap tani për largimin nga qeveria, si p.sh. se çështjet shqiptare nuk u trajtuan mirë ose se pati ngecje në integrimin në BE, është vetëm alibi e zbehtë për veprimet e tij të shantazhuara. Arben Taravari është një njeri i shantazhuar, çmimi i një shantazhi të tillë duhet kërkuar në motive biznesi ose të llojeve të tjera. Ai ka konfirmuar se nuk është partner i qëndrueshëm me të cilin mund të ndërtohet politikë. Ai duhet t’u shpjegojë votuesve të tij se si BDI është tani opsioni i vërtetë dhe i vetëm për të”, thonë nga VMRO.

Aleanca për Shqiptarët ndërkohë, thekson se me vëmendje po i ndjekin “pretendimet” e VMRO-DPMNE-së ndaj ASh-së dhe kryetarit të saj. Sipas tyre është e pritshme që “në këto ditë të rënda të kësaj Qeverie në hall” dhe në mungesë të plotë të argumenteve politike, të ketë shpifje të llojit më absurd. “Ne jemi qetësisht të përqendruar në punën tonë drejt Fitores së Tetorit dhe nuk duam të rëndojmë me asnjë fyerje apo pseudo-akuzë VMRO-në e cila ka mjaftueshëm halle aktualisht. Vetëm fakti që dolëm nga Qeveria me vullnetin tonë flet qartë se sa pak të korruptueshëm jemi dhe ndoshta kjo është e pakonceptueshme për disa parti që janë në pushtet. Aleanca për Shqiptarët është në rrugën e duhur dhe në ditët e saj më të mira!”, thonë nga ASH.

Nga ana tjetër, BDI ka përshëndetur vendimin e Taravarit për dalje nga qeveria. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Faton Ahmeti ka thënë se me daljen e Taravarit nga qeveria është hapur edhe mundësia e bashkëpunimit me të në zgjedhjet lokale.

“Taravari të gjitha çështjet i ka diskutuar haptas në publik çfarë ka pasur për të thënë. Ka pasur kanale komunikimi. Atë që ka thënë haptas dhe publikisht ata do të kandidojnë veçmas me lista dhe kandidat ndërsa në të ardhmen do të shihen mundësitë se ku dhe me çfarë mund të bashkëpunojmë. Sa i përket bashkëpunimi, me vet faktin e lëshimit të kësaj qeverie mund të shihen mundësitë por tani për tani nuk ka diçka të tillë”, theksoi Ahmeti. Kujtojmë se turbulencat në koalicionin VLEN dhe në Qeveri u shkaktuan nga krahu i Aleancës për Shqiptarët në partnerin qeveritar VLEN, kur kjo e fundit vendosi të dilte me listat e veta të këshilltarëve në zgjedhjet lokale në tetor. Kjo nuk u pranua nga partnerët e tij të koalicionit në VLEN. Kjo u pasua nga largimi i Taravarit nga koalicioni VLEN, dhe në publik lindën spekulime se ai po negocionte me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm