VLEN-i në kërkim të shpëtimit politik

Pas largimit të pesë deputetëve të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit, koalicioni VLEN është përfshirë në një betejë të re politike për mbijetesë. Negociatat për të siguruar shumicën parlamentare përfshijnë “peshkimin” e deputetëve nga opozita dhe përpjekjet për të ruajtur ndikimin

 Ersan PAJAZITI

Shkup, 16 maj – Në prapaskenat politike të Maqedonisë së Veriut po zhvillohet një betejë e heshtur për pushtet dhe mbijetesë. Koalicioni VLEN, i mbetur me nëntë deputetë pas largimit të pesë deputetëve të Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit, po përpiqet të ruajë ndikimin e tij përmes manovrave të reja politike. Zyrtarë të lartë të koalicionit, përfshirë zv/kryeministrin Izet Mexhiti, pohojnë se do të forcojnë shumicën parlamentare duke “peshkuar” deputetë nga opozita. Zv/kryeministri Izet Mexhiti theksoi se po negociojnë me disa njerëz të cilët kanë qenë pjesë e strukturës së Arben Taravarit, por edhe me deputetë nga Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI. Siç tha Mexhiti, VLEN-i do të mbetet me numër të njëjtë deputetësh siç ka qenë para se të largohet Taravari, ndërsa nuk saktësoi nëse kjo do të thotë se po negociojnë me Ziadin Selën, lider i krahut të Aleancës për Shqiptarët e cila është pjesë e Frontit Evropian, të kryesuar nga BDI. “Negociojmë me disa dhe do t’ju njoftojmë kur do të ketë rezultate konkrete, sigurisht javën e ardhshme”, deklaroi Mexhiti duke u përgjigjur në pyetje të deputetëve pas hapjes së konferencës “Avancimi i infrastrukturës së gjelbër në Ballkanin Perëndimor”.

Në pyetjen nëse Qeveria ka legjitimitet tek shqiptarët pas daljes së Arben Taravarit, u përgjigj se VLEN-i thirret në fitoren absolute të 107 mijë votave. “Dhe asnjëri nga faktorët brenda VLEN-it nuk mund të thotë se i ka ato 107 vota në xhep. Sepse ka vota edhe të kahëzuara drejt opozitës të cilët dolën të votojnë për ndryshim dhe shpresë. Kaloi në anën tjetër Taravari, por jo edhe i tërë subjekti politik. Këto ditë e shihni se ka tensione, ka mendime të ndryshme, tërhiqen anëtarë të shquar të Aleancës për Shqiptarët dhe mendoj se shumica e anëtarësisë së Aleancës për Shqiptarët do të mbeten në VLEN sepse ata kontribuuan për fitore dhe për këto ndryshime dhe nuk do të lejojnë për shkak të interesave personale të kthehen tek Bashkimi Demokratik për Integrim”, theksoi Mexhiti.

Ai kumtoi se këto ditë janë në negociata për disa opsione politike për resorin e Shëndetësisë pas largimit të Arben Taravarit dhe në bazë të asaj do të japin propozim të ri për ministër. Në pyetjen nëse për opsionet do të bisedohet vetëm në kuadër të VLEN-it apo me kryeministrin Hristian Mickoski, Mexhiti u përgjigj, “Mendoj edhe për individë të tjerë, grupe, subjekte politike të cilët janë jashtë VLEN-it – në kuadër të Frontit Evropian, të cilët janë opozitë dhe ndoshta do të kalojnë nga ana tjetër”.

Ndërkohë, kryetari i ASH-së, Arben Taravari në një intervistë për Nacionale edhe njëherë ka bërë me dije se vendimi për t`u larguar nga koalicioni i partive shqiptare në Maqedoni të Veriut ishte një proces që kaloi nëpër disa faza. Sipas Taravarit, koaliconi VLEN ngeli në testin e pushtetit. Ai vlerëson se deri më tani VLEN-i nuk i ka përmbushur pretimet që i kishte dhënë para shqiptarëve, ndërsa sipas tij, disa njerëz të këtij koalicioni u shkëputen nga realiteti, duke harruat zotimet që kishin dhënë në fushatë zgjedhore. “Kur hymë në Qeveri ne ishim ende në euforinë e ngadhënjimit mbi sistemin e vjetër që kishte (kur them ne i referohem partive të kampit shqiptar në Qeveri). Mirëpo, ndërkohë njerëzit nuk na dhanë besimin vetëm për kaq. Ne tashmë duhej të punonim seriozisht mbi zotimet që kishim marrë. Ashtu si i çmuari presidenti Lincoln thoshte, po e parafrazoj, pushteti është test që ngel në klasë shumë burra, dhe fatkeqësisht kështu ndodhi me një pjesë të VLEN-it. Kamerat dhe dritat e tyre, gërshërët e shiritave përurues, ishin perde që disa i ndau nga gjendja reale e njerëzve të cilët me të drejtë mbetën të zhgënjyer sepse VLEN-i me ose pa dashje nga një ndryshim në fakt po rezultonte të ishte thjesht një zëvendësim”, theksoi Taravari.

Ndërkohë VLEN ka vazhduar me akuzat në drejtim të Taravarit se po bashkëpunon me BDI-në, përderisa thanë se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti përmes përçarjeve politike po synon të mbrojë kapitalin e tij dhe familjes së tij. “Për ta mbrojtur këtë kapital të jashtëzakonshëm, Ahmeti vazhdimisht krijon përçarje dhe aleanca të rrejshme mes partive shqiptare. Viktima e fundit është Arben Taravari, i cili nga një lider që e quante BDI-në ‘kancer’ dhe Ali Ahmetin ‘të korruptuar’, tani negocion me atë njeri dhe atë parti. Taravari u mashtrua nga premtimet e rreme: mbështetje në zgjedhjet lokale, ‘përkrahje të pakufizuar’ dhe privilegje personale. Por, historia tregon se kushdo që ka bërë pazar me Ahmetin, ka mbetur pa besim, pa rezultate dhe pa të ardhme, ndërsa familja Ahmeti bëhet gjithnjë e më e pasur”, theksojnë nga VLEN.

Nga koalicioni shqiptar në pushtet apelojnë anëtarësinë e ASH-së që ta braktisin Taravarin dhe të bashkohen me VLEN-in. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm