Aktualisht, nëntë vende që aspirojnë të anëtarësohen në BE mbajnë statusin e kandidatit dhe ndodhen në faza të ndryshme të procesit të pranimit. Shtatë prej tyre kanë hapur tashmë negociatat e anëtarësimit, fazën e fundit drejt hyrjes në Union
Nga Vincenzo GENOVESE
Vendet aspirante për anëtarësim në Bashkimin Europian nga Ballkani Perëndimor janë përballur me vonesa shumëvjeçare në rrugën e tyre drejt BE-së. Në prag të samitit të madh të zgjerimit më 4 nëntor, Euronews analizon arsyet pse procesi ka humbur vrullin në vitet e fundit dhe pse disa qytetarë të rajonit tani po shfaqin hezitim. “Duke pritur Godonë”, drama ku personazhet presin diçka që nuk ndodh kurrë, është bërë shprehja e preferuar e kryeministrit shqiptar Edi Rama për të përshkruar ndjesinë e disa vendeve kandidate ndaj anëtarësimit të mundshëm në BE. “Shqipëria është Estragoni, Bashkimi Europian është Samuel Beckett”, tha Rama në qershor 2022, pas një samiti BE–Ballkani Perëndimor.
Aktualisht, nëntë vende që aspirojnë të anëtarësohen në BE mbajnë statusin e kandidatit dhe ndodhen në faza të ndryshme të procesit të pranimit. Shtatë prej tyre kanë hapur tashmë negociatat e anëtarësimit, fazën e fundit drejt hyrjes në Union.
Megjithatë, procesi është ngadalësuar në Bruksel, të paktën që nga koha e Komisionit Europian të drejtuar nga Jean-Claude Juncker. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shtyrë përpara me vite përparimin e këtij procesi. Shqipëria dhe Serbia aplikuan për anëtarësim në vitin 2009, Mali i Zi në 2008, ndërsa Maqedonia e Veriut po pret që nga viti 2004. Procesi duket se ka hyrë në ngërç, duke shkaktuar zhgënjim si te udhëheqësit, ashtu edhe te qytetarët e vendeve të rajonit. Kroacia, vendi i fundit që iu bashkua BE-së në vitin 2013, priti 10 vjet nga aplikimi deri në miratimin përfundimtar, ndërsa Rumania dhe Bullgaria negociuan për 12 vjet. Vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të presin, pavarësisht përpjekjeve për të përafruar politikat dhe për të zbatuar reformat. Megjithatë, lufta e Rusisë në Ukrainë dhe ndryshimet e shpejta gjeopolitike kanë qenë ndër arsyet kryesore që kanë rigjallëruar shtytjen për zgjerim dhe interesin strategjik të Brukselit për të pranuar anëtarë të rinj.
Zgjerimi drejt juglindjes shihet gjerësisht si një mjet kyç i politikës së jashtme dhe një përparësi strategjike për BE-në në tërësi, në atë masë saqë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e quajti atë “ribashkimi i Europës” në fjalimin e fundit për Gjendjen e Unionit. “Sot ka një ngadalësim të procesit të zgjerimit, nëse e krahasojmë me retorikën e angazhimit që dëgjojmë nga zyrtarët e lartë të BE-së”, tha për Euronews Teona Lavrelashvili, kërkuese në Qendrën e Studimeve Europiane Wilfried Martens.
“Sot është shumë më e vështirë të bëhesh anëtar i BE-së. Vendet duhet të respektojnë një sërë rregullash, të garantojnë sundimin e ligjit dhe të përmbushin standarde që më parë nuk ishin kaq të rrepta. Gjithashtu, gjeopolitika është bërë shumë më e vështirë për t’u menaxhuar”, shtoi ajo. Për t’u anëtarësuar në BE, çdo vend duhet të përmbushë kriteret e Kopenhagës, të vendosura në vitin 1993, me Komisionin Europian që vlerëson progresin dhe vendimin përfundimtar që kërkon votën unanime të 27 vendeve anëtare.
FRIKA NGA MË SHUMË VETO MES VENDEVE TË BE-së
Javën e ardhshme, Komisioni Europian do të prezantojë paketën e zgjerimit për vitin 2025, një raport vjetor që vlerëson përparimin e vendeve kandidate. Këtë vit, paketa do të përfshijë edhe “rishikimin e politikës para-zgjerimit” mbi ndryshimet që duhet të bëjnë vendet anëtare aktuale për të pranuar të rinjtë, kanë thënë burime në Bruksel për Euronews. Sipas Lavrelashvili-t, vendet aktuale të BE-së kanë shqetësime për anëtarët e rinj, sidomos për çështjet e kohezionit. Por sipas saj, frika kryesore është se një BE e zgjeruar do të ecë edhe më ngadalë në çështjet që kërkojnë unanimitet.
“Arkitektura institucionale e BE-së është ‘elefanti në dhomë’”, tha ajo. Të 27 vendet anëtare duhet të bien dakord për vendime në fusha të gjera, përfshirë politikën e jashtme dhe atë financiare. Shtimi i anëtarëve pa reformuar strukturën institucionale do të thotë më shumë zëra që mund të përdorin të drejtën e vetos. Parlamenti Europian, për shembull, beson se “proceset e zgjerimit dhe unifikimit europian duhet të ecin paralelisht” dhe se “reformat institucionale dhe financiare janë të nevojshme për t’u përballur me sfidat e zgjerimit aktual dhe për të garantuar aftësinë e BE-së për të përthithur anëtarë të rinj”, thuhet në rezolutën e fundit të miratuar për këtë çështje.
NJË MËNYRË PËR TË ZHBLLOKUAR PROCESIN?
Gjatë viteve, një nga idetë për të dalë nga ky ngërç ka qenë dhënia e anëtarësimit vendeve të reja pa të drejtë vetoje. Aktualisht, nuk ka pasur asnjë diskutim në nivel zyrtar në BE për këtë propozim, kanë thënë për Euronews tre burime të ndryshme nga Brukseli. Por Steven Blockmans, nga qendra e studimeve “Centre for European Policy Studies” (CEPS), mendon se kjo mund të ndryshojë në të ardhmen e afërt.
“Është e pamohueshme se kjo do të krijonte një diferencim mes anëtarëve ekzistues dhe atyre të rinj, por do të ishte i përkohshëm”, tha Blockmans për Euronews. Sipas tij, kjo zgjidhje do të lehtësonte vendimmarrjen brenda BE-së dhe do të ishte e pranueshme ligjërisht, pasi do të zbatohej për të gjithë kandidatët e ardhshëm në mënyrë të barabartë. “Kështu nuk do të kishte diskriminim dhe nuk do të shkelej ligji i BE-së”, përfundoi ai. (Euronews.com)




