Nga Lirim DULLOVI
Gjatë një debati me dy ish-ministra të Shëndetësisë dhe një drejtor të Fondit Shëndetësor, të tre përfaqësues të partive të ndryshme shqiptare dhe maqedonase, shpreha një përshtypje që e kam pasur prej kohësh.
U drejtova me fjalët: më korrigjoni nëse gaboj, por kam bindjen se në Maqedoni ende shfrytëzohen kryesisht kapacitetet shëndetësore të ndërtuara gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë. Pra, objektet, repartet, spitalet dhe infrastruktura kryesore e ndërtuar nga viti 1945 deri në vitin 1990. Shtova se ndoshta mbi 70 për qind e resurseve aktuale i përkasin asaj periudhe.
Ata më korrigjuan menjëherë, të tre njëzëri.
Jo 70 për qind, thanë. Më afër realitetit është shifra prej 90, ndoshta edhe 95 për qind.
Në realitet, diskutimi nuk kishte të bënte më vetëm me sistemin shëndetësor, por me vetë funksionimin e këtij shteti.
Sepse, nëse kjo është e vërtetë, atëherë rezulton se për 35 vjet pavarësi, ky shtet nuk ka realizuar as 5 për qind të asaj që do të duhej të kishte bërë vetëm në sektorin e shëndetësisë.
Shëndetësinë e mora si shembull vetëm sepse përballë kisha njerëz që e njohin në detaje këtë sektor dhe që mund të më korrigjonin. Megjithatë, shqetësimi im është se e njëjta situatë vlen edhe për arsimin, energjetikën, infrastrukturën, gjyqësorin dhe pothuajse çdo sektor tjetër të kësaj shoqërie.
Dhe atëherë lind një pyetje thelbësore: çfarë ka ndërtuar ky shtet për 35 vjet?
Bëra një krahasim të shkurtër me Shqipërinë, e cila doli nga izolimi i regjimit të Enver Hoxhës, si dhe me Kosovën e shkatërruar nga lufta e vitit 1999 dhe ende me shumë plagë të hapura. Megjithatë, në shumë segmente, të dyja kanë arritur ta tejkalojnë Maqedoninë.
Ndërkohë, ne vazhdojmë të sillemi në të njëjtin rreth të mbyllur dhe riciklojmë politika të vjetra të dështuara.
Gjuha shqipe.
Flamuri kombëtar.
Arsimi në gjuhën shqipe.
Përfaqësimi.
Së fundmi edhe provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Të gjitha këto janë të drejta elementare që, në një shtet normal, nuk do të duhej të ishin objekt debati, e aq më pak proteste.
Në vend që të ndërtonim spitale të reja, u morëm me gjuhën e shqiptarëve. Në vend që të zhvillonim shkolla dhe universitete më cilësore, debatuam nëse shqiptari ka të drejtë të mësojë dhe të japë provime në gjuhën e vet. Në vend që të ndërtonim drejtësi funksionale, ekonomi të qëndrueshme, energjetikë moderne dhe institucione efikase, u përqendruam te flamuri shqiptar.
Edhe në sistemin gjyqësor, problemi real nuk është gjuha që përdoret. Sepse, po të ishte kështu, duke parë nivelin e besueshmërisë prej vetëm 5 deri në 7 për qind, atëherë do të duhej të zëvendësohej maqedonishtja me një gjuhë tjetër, pasi gjyqësori i pabesueshëm këtë gjuhë e përdor prej më shumë se 70 vitesh. Problemi qëndron diku tjetër: te korrupsioni, kontrolli politik, ndikimet destabilizuese nga jashtë dhe kapja e sistemit. Çështja e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës është vetëm një shmangie e vëmendjes nga thelbi i problemit.
Dhe shkaku pse ky vend ka mbetur në vendnumëro është te mendësia e vjetër që tjetrin e sheh si problem dhe jo si qytetar të barabartë.
Një shtet nuk mund të përparojë nëse e harxhon energjinë duke mohuar një pjesë të vetvetes.
Dhe më pas habitemi pse njerëzit largohen. Pse mungon besimi në institucione. Pse gjyqësori renditet në fund. Pse shëndetësia ndodhet në gjendje të rëndë. Pse qytetarët nuk e ndiejnë këtë shtet si të tyrin. Qindra mijëra ikin jashtë, qindra mijëra marrin shtetësi bullgare. Shumë të pakënaqur për një shtet prej dy milionë banorësh.
Dhe askujt kjo nuk i lë përshtypje.
Kjo është ajo që më dhemb më së shumti.
Këtë e kam thënë edhe pas protestës së parë. Kur pashë djalin tim me flamur në dorë, m’u rikthyen para syve pamjet e para 30 viteve. M’u kujtuan ngjarjet e Bit Pazarit, kur policia vrau katër qytetarë të paarmatosur dhe të pafajshëm, ndër ta edhe babanë e një miku tim të ngushtë, para dyerve të shtëpisë së tij. M’u kujtua vetja duke iu shmangur breshërive të armëve të policisë, ndërsa isha vetëm një nxënës i shkollës së mesme që po kthehej në shtëpi. E njëjta betejë, e njëjta dhimbje, e njëjta padrejtësi.
Diçka e ngjashme ndodhi edhe dje në Haraçinë: të shtëna armësh nga zyrtarë policorë në një fshat të banuar me popullatë civile. Preteksti ishte vjedhja e druve, ndërsa reagimi ishte krejtësisht disproporcional. Mungonin të angazhoheshin vetëm tanket dhe helikopterët. Për fat të mirë, këtë herë nuk pati viktima, por kjo nuk është garanci se kjo politikë nuk do t’ia marrë jetën dikujt nesër.
Këtë e kemi parë më parë në ish-Jugosllavi. E dimë mirë se ku çojnë shovinizmi, mohimi i tjetrit dhe politikat që mbijetojnë duke krijuar armiq. Ato nuk çojnë në zhvillim, nuk çojnë në paqe dhe nuk ndërtojnë një shtet normal.
Dhe kjo qasje është gabim. Është gabim për shqiptarët, është gabim për maqedonasit, është gabim për të gjithë qytetarët e këtij vendi, si dhe për vetë shtetin.
Sepse kështu po humbim ne. Po humbisni ju. Po humbim të gjithë së bashku.
Ndërkohë, jeta këtu ka mundur të ishte shumë më e mirë. Ky vend ka mundur të kishte spitale më të mira, shkolla më të mira, drejtësi më të besueshme, ekonomi më të fortë dhe institucione më normale. Ka mundur të kishte më pak frikë, më pak urrejtje dhe më shumë jetë.
Prandaj, pyetja nuk është më vetëm: çfarë po i bëhet këtij shteti?
Sepse, pas 35 vitesh pavarësi, elitat politike nuk e arsyetuan ekzistencën e këtij shteti, i cili mundohet të ecë përpara me njërën këmbë mbi urrejtjen dhe tjetrën mbi gënjeshtrën se gjithçka është në rregull.
Nuk është në rregull. Kuptojeni!
Dhe sa më gjatë të sillemi sikur gjithçka është në rregull, aq më pak shtet do të mbetet për t’u shpëtuar nesër.




