Nga ndërmarrja publike komunale, apelojnë qytetarët që sa më tepër të kenë kujdes me përdorimin e ujit, sidomos me keqpërdorimin e tij, me qëllim që i gjithë qyteti të mund të ketë pak ujë për të paktën mbushjen e depozitave të ujit
Urim HASIPI
Tetovë, 6 nëntor – Shkaku i ujit të turbullt në burimet në Leshnicë, sërish një pjesë e madhe e qytetit të Tetovës nuk furnizohet me ujë të pijshëm këtyre ditëve. Kjo shkaktoi reagime të mëdha të qytetarëve të cilët përmes rrjeteve sociale reaguan për mungesën e ujit në shtëpitë e tyre. Nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë njoftojnë se kur uji është I turbullt sistemi I ri automatikisht ndërpret furnizimin me ujë të pijshëm. Kjo situatë ndodh kur ka reshje të shiut me intensitet më të madh. Momentalisht qyteti I Tetovës furnizohet nga burimet e vjetra dhe sasia që akumulohet është shumë e vogël për të patur ujë qytetarët.
Që qyteti i Tetovës të furnizohet me ujë të pijshëm normalisht nevojiten 300 litra ujë në sekondë kurse aktualisht kurse turbullimi i ujit nga burimet e Leshnicës, ka bërë që qyteti të ketë rreth 140 litra ujë në sekondë më pak se nga ajo që është e nevojshme për tu plotësuar kërkesat e qytetit për ujë të pijshëm. Nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë thonë se nuk do të vendosin restrikcione të ujit sepse shkaku i sistemit të vjetëruar kur lëshohet uji mund të ketë defekte të mëdha në sistemin shpërndarës të ujit brenda në qytet.
“Kemi mungesë afër 140 litra ujë në sekondë. Me daljen e sistemit të Leshnicës nga përdorimi ne i humbim 1420 litra që janë sasia e nevojshme për qytetin. Për momentin kemi 220 litra në total nga gjitha burimet. Restrikcioni është forma më e vështirë e hapit që duhet ta marrim, sepse ballafaqohemi me sistem të vjetërsuar dhe pas çdo ndalese që bëjmë na paraqiten pastaj defekte të mëdha, andaj nuk e bëjmë, shkaku se dhjetë orë pasi bëjmë shpëlarjen e sistemit, humbim shumë andaj është e pakuptimtë. Më tepër do e pësojnë pjesët e epërme të qytetit, apo periferike, edhe pse tentojmë që ata të kenë furnizim të paktën të mbushin depozitat, por do e pësojë edhe gjithë qyteti realisht”, tha Lulzim Shaqiri, udhëheqës i Njësisë së Ujësjellësit dhe Kanalizimit.
Nga kjo ndërmarrja njoftojnë se në bashkëpunim me Institutin Publik Shëndetësor, kanë bërë analiza të ujit dhe sigurojnë se uji është i pijshëm, dhe i pastër. “Prurjet vjetore nga të reshurave të shiut janë në rrezik të zvogëlohen, veçanërisht zvogëlim të ujit ka dhe është detyra jonë të bëjmë ndryshime pozitive. Poashtu tani është paraqitur edhe nevoja e ndërprerjes së furnizimit me ujë nga burimet e Leshnicës nga ujërat sipërfaqësor për arsye të të reshurave të shiut gjatë kësaj periudhe”, thonë nga NPK në Tetovë.
Nga ana tjetër, nga komuna e Tetovës që para dy vitesh kanë paralajmëruar një studim fizibiliteti për një projektin për zgjidhje afatgjate të problemit me ujin për pije në qytetin e Tetovës, megjithatë, deri në këto momente, nuk ka asnjë hap konkret në këtë drejtim. Nga komuna e Tetovës thonë se janë kah fundi i studimit të fizibilitetit, pas çka do kërkohen fonde për realizimin e projektit. Nga ndërmarrja publike komunale, apelojnë qytetarët që sa më tepër të kenë kujdes me përdorimin e ujit, sidomos me keqpërdorimin e tij, me qëllim që i gjithë qyteti të mund të ketë pak ujë për të paktën mbushjen e depozitave të ujit. Situatë e këtillë me mungesën e ujit pritet që vazhdojë edhe ditëve në vijim. Më keq situata paraqitet në lagjet që ndodhen në viset e larta të qytetit të Tetovës. (koha.mk)




