Lufta kundër korrupsionit dhe përparimi drejt integrimit evropian kanë qenë temat e takimit midis zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti me ambasadoren amerikane, Angela Agelet. Në një postim në Facebook, Mexhiti shkruan se në takim është diskutuar gjerësisht për thellimin e partneritetit strategjik mes vendeve tona, mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së për reformat në drejtësi dhe përpjekjet tona të palëkundura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Postimi i plotë i Mexhitit:
Lufta kundër korrupsionit dhe përparimi drejt integrimit evropian nuk kanë alternativë. Ky ishte mesazhi që përcolla sot në një takim të rëndësishëm me ambasadoren e ShBA-së në Maqedoninë e Veriut, znj. Angela Aggeler, një aleate dhe mike e madhe e vendit tonë.
Diskutuam gjerësisht për thellimin e partneritetit strategjik mes vendeve tona, mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së për reformat në drejtësi dhe përpjekjet tona të palëkundura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
E ritheksova përkushtimin e Qeverisë për procesin eurointegrues dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në kuadër të NATO-s, si garanci për siguri, stabilitet dhe zhvillim.
Biseduam gjithashtu për projektet madhore infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10D, që janë thelbësore për rritjen ekonomike dhe lidhjen e qëndrueshme rajonale.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore e konstruktive, duke rikonfirmuar vullnetin tonë të përbashkët për një bashkëpunim të thelluar dhe afatgjatë me Shtetet e Bashkuara.





