Kryetari i ASH-së, pjesë e Frontit Europian, Ziadin Sela tha se personalisht mendon se bashkë me zgjedhjet lokale, do të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sela tha se ASH-ja e mbështet këtë ide, ndërsa hodhi poshtë çdolloj bashkëpunimi me partitë e koalicionit VLEN.
“Unë mendoj, si politikan, që bashkë me zgjedhjet lokale, do të kemi edhe zgjedhje parlamentare dhe ne jemi për variantin që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dhe sipas zhvillimeve që ndodhin, çdo hap politik që ndodh, i bën më të përafërta idetë, të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare bashkë me lokalet, dhe ne jemi për këtë opsion”, tha Sela.
I pyetur nëse do të bashkëpunojë me VLEN-in, Sela u përgjigj: “Jo, bashkëpunim. Bashkëpunimi është konkret. Duhet të rezultojë me një marrëveshje nëse ka bashkëpunim. Nuk ka bashkëpunim me VLEN-in dhe nuk mendoj se duhet hyrë kësaj aventure. Unë jam për bashkim të faktorit politik shqiptar, për t’u bërë të qarta, dhe ja shfrytëzoj rastin t’u bëjë apel, për t’i bërë të qarta në letër pesë gjëra që duhet ne t’i realizojmë dhe për t’i dhënë fund dhe ta ndërpresim këtë mësymjen që faktori politik maqedonas në qeveri dhe jo vetëm , iu bëjnë të drejtave të shqiptarëve dhe qenies shqiptare këtu në RMV”.





