Në Tetovë problem janë 5 rreth-rrotullime, të cilët aspak nuk e lehtësojnë komunikacionin, ndërsa hapja e bulevardeve, rrugëve të reja shihet si një zgjidhje për të zbutur kaosin. Ekspertë të planifikimit dhe njohës të rrethanave urbane, disa herë kanë shprehur mendimet se zgjidhja më e mirë do të ishte që të ndërtoheshin edhe nënkalime me qëllim që mos krijohet kaos në pjesën qendrore
Urim HASIPI
Tetovë, 11 maj – Plani i mobilitetit për të gjetur zgjidhje ne kaosin në komunikacion në Tetovë është prezantuar nga ana e Institutit INSI nga Kosova. Ekspertët thonë se problem ka në të pothuajse të gjithë akset rrugore, ndërsa ata thonë se bashkë me planin gjeneral urbanistik mund të gjendet zgjidhje konkrete dhe janë duke punuar. Sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ky është realiteti ku jetojmë dhe në bazë të këtyre analizave do të gjendjet zgjidhje.
“Ishte faza e parë e analizës së gjendjes ekzistuese sa iu përket hyrje-daljeve të veturave dhe ku janë të koncentruara më shumë në kuadër të planit të mobilitetit urban për qytetin. Është ky studimi bazë sa i përket planit gjeneral urbanistik që është në përpilim e sipër dhe patëm debatin e parë ku përfaqësuesit e institutit, treguan matjet për pikat kritike të qytetit. Nga ky studim të dalim me një zgjidhje e cila do jetë më mirë e realizueshme dhe e qëndrueshme”, deklaroi Bilall Kasami. Për matjet e para si të trafikut por edhe planimetrisë së qytetit, Instituti INSI i Prishtinës, ka përdorur kamerat digjitale por edhe matës të mençur për hyrje daljet e qytetit.
Në Tetovë problem janë 5 rreth-rrotullime, të cilët aspak nuk e lehtësojnë komunikacionin, ndërsa hapja e bulevardeve, rrugëve të reja shihet si një zgjidhje për të zbutur kaosin. Ekspertë të planifikimit dhe njohës të rrethanave urbane, disa herë kanë shprehur mendimet se zgjidhja më e mirë do të ishte që të ndërtoheshin edhe nënkalime me qëllim që mos krijohet kaos në pjesën qendrore ku janë të koncentruara shumë institucione dhe tërë fokusi i trafikut është në këtë pjesë.
“Analiza e gjendjes është tregues që ka mbingarkesë qoftë në trafik, qoftë në parkingje apo parkingje zonale, mos zbatimi i planit gjeneral e tjera që janë identifikuar dhe në një të ardhme të afërt do të merren disa orientime që pas aprovimit të dokumentit, do të jenë të karakterit obligativ për Tetovën. Ne jemi duke bërë hulumtimet e para nëse mund të bëhet një rikategorizim se cilat rrugë bulevarde mund të karakterizohen në rrugë urbane, cilat mund të karakterizohen me parkingje zonale ose heqje parkingjesh nga bulevardet apo cilat janë prioritete te parkingjet”, tha Ismet Baqari, drejtor i Instituti INSI Prishtinë. Plani i mobilitetit të qëndrueshëm urban pritet të jetë gati brenda gjashtë muajsh bashkë me propozimet konkrete, ndërsa një periudhë më e gjatë, do të nevojitet për planin gjeneral urbanistik.
Ndryshe, sipas të dhënave, në Tetovë ka 52 mijë vetura të regjistruara dhe është qyteti i dytë pas Shkupit ku ka mbikngarkesë të madhe në trafikun rrugor. Situata bëhet më e tmerrshme në komunikacion gjatë periudhës së verës kur dyfishohet numri i automjeteve në rrugët e Tetovës. Së fundmi, edhe pse në tërë rajonin e Pollogut dhe jo vetëm, janë ndërmarrë masa më të rrepta ndaj vozitësve, sidomos atyre që parkojnë vend e pa vend, megjithatë rezultatet janë larg pritshmërive. Në Tetovë, nuk ka parkingje në kate, nuk ka vende të reja parkimi dhe me numër të lartë, komunikacionin mbetet i paralizuar dhe pa zgjidhje edhe për një kohë të gjatë. (koha.mk)





