Në kompanitë vendase, rritja e pretenduar e produktivitetit fsheh lodhje, demotivim dhe mungesë vlerësimi. Të dhënat statistikore shpesh tregojnë rritje produktiviteti, por pas shifrave qëndrojnë njerëz që mezi ia dalin mbanë
Besa IBRAIMI
Shkup, 20 gusht – Situata në shumë kompani vendase po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Stafi është përgjysmuar, por volumi i punës ka mbetur i njëjtë, duke krijuar një ambient ku përpjekjet e punonjësve shpesh nuk vlerësohen. Ekspertët paralajmërojnë se ky fenomen nuk është vetëm një problem i punëtorëve, por ka të bëjë edhe me strukturën e ekonomisë dhe qëndrimin e pronarëve.
Disa kompani po investojnë në teknologji të reja, dixhitalizim dhe automatizim, duke lehtësuar pjesërisht barrën e punës. Por ka edhe kompani ku teknologjia është vetëm simbolike, ndërsa numri i punonjësve është përgjysmuar.
Në një kompani shpërndarjeje në Shkup, disa vite më parë punonin rreth njëzet veta në depo. Sot, kanë mbetur tetë. Një punëtor i anonim tregon se porositë mbërrijnë në të njëjtin vëllim, paletat nuk janë më pak të rënda, dhe megjithatë stafi është më i vogël, pa ndryshuar paga.
Një histori e ngjashme ndodh edhe në një studio të vogël marketingu: pesë vjet më parë ishin shtatë persona, tani vetëm tre. “Nuk ka automatizim për krijimin e fushatave, nuk ka teknologji që mund të zëvendësojë kreativitetin. Ne mbulojmë të gjithë punën – nga komunikimi me klientët deri te dizajni përfundimtar. Dhe paga është e njëjtë si pesë vjet më parë”, tregon një punonjës.
Të dhënat statistikore shpesh tregojnë rritje produktiviteti, por pas shifrave qëndrojnë njerëz që mezi ia dalin mbanë. Analisti ekonomik Bojan Kraljev thekson se nëse produktiviteti ndërtohet mbi presionin e vazhdueshëm dhe mbi potencialin e shtypur të punonjësve, në afat të shkurtër mund të duket efektiv, por në afat të gjatë sjell rënie të cilësisë dhe rraskapitje të fuqisë punëtore.
Të gjithë ekspertët bien dakord: pa investim në njerëz, nuk ka produktivitet të vërtetë. Teknologjitë dhe automatizimi janë të nevojshme, por nuk mund të zëvendësojnë kreativitetin, njohuritë dhe angazhimin e punonjësve. “Nëse një person punon për dy persona, nuk ka kohë të mësojë ose të përparojë. E tëra që bën është të shuajë zjarret. Ky është imazhi më i keq për një shoqëri që dëshiron të jetë konkurruese”, përfundon Kraljev. (koha.mk)





