Politikanët e BDI-së vazhdojnë ta keqkuptojnë dhe keqinterpretojnë çdo mbështetje amerikane për Marrëveshjen e Ohrit si dëshmi se kjo marrëveshje duhet të mbetet edhe kufiri përfundimtar i aspiratave politike të shqiptarëve. SHBA-të vërtetë po e mbrojnë zbatimin e M. se Ohrit, por nuk e kanë shpallur Ohrin si tavan për aspiratat politike të shqiptarëve.
Fuqitë ndërkombëtare mbrojnë rendin ekzistues dhe marrëveshjet që tashmë kanë prodhuar stabilitet. Nuk ekziston ASNJË rast ku një fuqi ndërkombëtare (duke përfshirë edhe SHBA-të) të ketë ardhur te një popullatë pasive dhe t’i ketë thënë: “Ju duhet një status i ri, edhe pse ju vetë nuk po e kërkoni.” Kur realiteti në terren ndryshon, kur status quo-ja bëhet më destabilizuese se ndryshimi dhe kur ekziston një kërkesë e organizuar politike, atëherë ndryshon edhe qëndrimi ndërkombëtar. Dhe Kosova është ndoshta shembulli më i fortë për këtë tezë për ne shqiptarët.
Çfarë thotë realisht urdhri amerikan për Marrëveshjen e Ohrit?
Njoftimi presidencial i 22 qershorit 2026 e vazhdon për një vit gjendjen e jashtëzakonshme amerikane lidhur me Ballkanin Perëndimor. Ai kujton se urdhri fillestar i vitit 2001 kishte për qëllim personat e përfshirë në dhunë ekstremiste dhe në pengimin e marrëveshjeve të paqes. Marrëveshja e Ohrit u përfshi më vonë, me Urdhrin Ekzekutiv 13304 të vitit 2003, si një nga marrëveshjet zbatimi i së cilës nuk duhet penguar. Korniza amerikane përfshin gjithashtu Dejtonin, Rezolutën 1244, Marrëveshjen e Prespës, integritetin territorial, korrupsionin dhe institucionet demokratike.
Pra, dokumenti:
- nuk thotë se Marrëveshja e Ohrit është zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptare
- nuk thotë se ajo nuk mund të përmirësohet me rrugë demokratike dhe kushtetuese
- nuk thotë se çdo kërkesë për status më të avancuar është kërcënim për paqen
- nuk konstaton konkretisht se sot po “zhbëhet Marrëveshja e Ohrit” nga një aktor i caktuar në Maqedoninë e Veriut. Faj për këtë ka edhe politika shqiptare, që madje e patë shpallur si të përfunduar pjesën normative të Marrëvshjes së Ohrit.
Dokumenti thotë se pengimi, shkelja ose minimi i marrëveshjeve të paqes mund të sanksionohet. Interpretimi i BDI-së se ky dokument e shpall Ohrin “garanci të përhershme për të ardhmen” është (keq)interpretim politik, jo formulim i administratës amerikane.
Në vitin 1981, kur shqiptarët e Kosovës kërkonin status republike dhe përballeshin me represion, prioriteti amerikan ishte ruajtja e stabilitetit dhe unitetit të Jugosllavisë. Edhe në vitin 1998, kur dhuna në Kosovë kishte marrë përmasa të rënda, qëndrimi zyrtar i administratës amerikane vazhdonte të ishte kundër pavarësisë. Kërkohej autonomi e zgjeruar dhe vetëadministrim brenda Jugosllavisë.
Edhe pse qysh nga fundi i viteve të 80’ u vunë kontaktet jorzyrtare me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës e Ibrahim Rugovën dhe nisi ndihma amerikane për procesin e rezistencës fillimisht paqësore, edhe pasi presidenti George H. W. Bush në 1992 (dhe Klinton në 1993) i kishte dërguar Millosheviqit paralajmërimin e njohur si “Christmas Warning” që Serbia të mos shkaktonte konflikt në Kosovë, zyrtarisht siç mund të shifet edhe në dëshmitë para Senatit amerikan nga 6 maji i 1998, madje edhe pas heroizmit të familjes Jashari, qëndrimi i administratës u formulua pa asnjë paqartësi:
“SHBA-ja kundërshtonte pavarësinë e Kosovës dhe kërkonte status të avancuar dhe vetëadministrim kuptimplotë brenda Republikës Federale të Jugosllavisë.” (shif arkivat -> https://www.govinfo.gov/content/pkg/CHRG-105shrg49265/html/CHRG-105shrg49265.htm).
Administrata arsyetonte se copëtimi i mëtejshëm i rajonit nuk do t’i shërbente paqes dhe sigurisë.
Pavarësia nuk erdhi sepse bashkësia ndërkombëtare e kishte projektuar që në fillim. Pa ata nuk do bëhej për qka u jemi falenderues pafundsisht, por parakushti u bë nga shqiptarët e Kosovës, pasi ata e mbajtën gjallë kërkesën politike, rezistuan, krijuan institucione dhe e bindën botën se status quo-ja nuk mund të vazhdonte.
E njëjta logjikë u pa edhe në Maqedoni. Në vitin 1991, shqiptarët refuzuan ta mbështesnin një Kushtetutë që i zhveshte nga pozita shtetformuese. Megjithatë, nuk pati ndonjë presion serioz ndërkombëtar për ridefinimin e shtetit.
Universitetin e Tetovës shqiptarët nuk e fituan sepse dikush nga jashtë ua dhuroi. E hapën vetë, në shtëpi private, bodrume dhe objekte të improvizuara, duke u përballur me dhunë policore, burgime dhe një shtet që refuzonte ta njihte.
Edhe në Gostivar, në vitin 1997, kur u vranë shqiptarë gjatë intervenimit policor për heqjen e flamurit, SHBA-ja kritikoi përdorimin e tepruar të forcës. Por nuk e shndërroi çështjen shqiptare në kërkesë për ndryshim të menjëhershëm të rendit kushtetues.
Prandaj, vazhdimi i urdhrit amerikan për Ballkanin Perëndimor dhe mbrojtja e Marrëveshjes së Ohrit janë të rëndësishme. Ato janë garanci kundër kthimit prapa, kundër cenimit të të drejtave të fituara dhe kundër destabilizimit.
Por është gabim të përdoret mbështetja amerikane për Marrëveshjen e Ohrit si argument që shqiptarët duhet ta kufizojnë gjithë projektin e tyre politik brenda dispozitave të vitit 2001.
Marrëveshja e Ohrit nuk është zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptare. Amerika e mbron një marrëveshje ekzistuese të paqes. Ajo nuk ka thënë se shqiptarët nuk mund të kërkojnë më shumë barazi, përfaqësim, gjuhë zyrtare reale dhe status më të qartë kushtetues.
Ndërkombëtarët mund ta garantojnë atë që është arritur. Por vizionin për të ardhmen duhet ta ndërtojnë vetë shqiptarët. Dhe duhet unifikuar popullin mbi atë vizion, gjë që kërkon kohë dhe mund.
Ohri është garanci kundër regresit, por nuk mund të jetë ndalim i progresit. Është dysheme e të drejtave të fituara, jo domosdoshmërisht tavani i statusit politik të shqiptarëve. (koha.mk)




