Nga Faton Mehmedi
Kriza morale nuk na erdhi nga jashtë; ajo ishte këtu, e ulur këmbëkryq mes nesh, duke u ushqyer me heshtjen tonë derisa u kthye në një përbindësh që sot gëlltit fëmijët tanë.
Lajmi për abuzimin dhe shantazhimin e një të miture nga 15 të rritur nuk është thjesht një krim individual, por dëshmia e thyerjes përfundimtare të busullës sonë kolektive.
Ku ishte shoqëria ndërsa 15 “burra” ndërtonin një rrjet tmerri?
Ku ishte vëmendja jonë kur kjo vajzë humbiste zërin në mes të një turme që sytë i mban te ekrani, por zemrën e ka të ngrirë nga indiferenca?
Jemi shndërruar në një komunitet që nuk tronditet më nga krimi, por vetëm nga fakti që krimi u mor vesh.
Mjaft me hipokrizinë e “vlerave” që i mbrojmë vetëm me fjalë, ndërsa në jetën e përditshme zgjedhim të relativizojmë çdo të keqe me shprehjet “nuk është puna ime” apo “kështu është bota”.
Ky është rezultati i një shoqërie që ka normalizuar të ligën dhe ka zëvendësuar integritetin me cinizëm.
Nuk mund të kërkojmë fajtorë diku tjetër kur ne vetë kemi krijuar terrenin ku abuzuesit ndihen të sigurt në fshehtësinë e tyre.
Sot, turpi nuk i përket vetëm atyre 15 personave, por çdonjërit prej nesh që me heshtje dhe relativizim ka lejuar që kjo krizë morale të kalbëzojë themelet e shtëpisë sonë të përbashkët.




