Sipas informacioneve zyrtare, dëmet janë vlerësuar mbi 200 mijë euro, mjete këto të cilët komuna e Tearcës nuk mund t`i sigurojë, prandaj edhe është kërkuar ndihmë nga ana e qeverisë. Kjo e fundit, ende nuk ka dalur me asnjë informacion konkret lidhur me mënyrën e kompensimit
Urim HASIPI
Tetovë, 30 tetor – Gati se katër muaj pas vërshimeve që shkaktuan shumë dëme në rajonin e komunës së Tearcës, banorët ende janë në pritje të kompensimit të dëmit nga ana e qeverisë së Maqedonisë së veriut. Nga komuna e Tearcës thonë se I kanë përfunduar procedurat që duhet të ndiqen në këtë rast dhe komisioni I formuar për evidentimin e dëmeve e ka bërë punën e tij dhe tashmë dokumentacionin e ka dorëzuar në qeveri. Pritet që qeveria të sjell vendim lidhur për kompensim, por kur do të sillet një vendim informacione nuk ka.
Kryetari i komunës së Tearcës Nuhi Neziri, shprehet optimist se qeveria para përfundimit të këtij viti do të sjell vendim për kompensim të dëmeve. Ai nënvizon se janë ndjekur procedurat e nevojshme, por nuk ka ndonjë afat se kur mund të fillojë procesi i kompensimit.
“Në komunë janë evidentuar pothuajse të gjitha rastet që u përfshinë gjatë vërshimeve më 5 korrik të këtij viti. Duke e ditur dhe duke e pasur një përvojë të suksesshme edhe të rasteve paraprake, ne jemi ndër katër komunat që kemi qenë të mbështetura dhe të aprovuara si dokumentacion dhe procedurë na është plotësuar me të gjitha normat juridike, jemi optimist sepse të gjitha dokumentacionet e këtij rasti janë dorëzuar në shkallën e dytë të komisionit të vlerësimit të dëmeve dhe jemi në pritje të vendimit të ri të qeverisë e cila duhet të mbulojë këta mjete dhe për këtë qytetarët do të jenë në kohë të informuar për procedurat rreth përfitimit të mjeteve për dëmshpërblim”, tha kryetari i komunës së Tearcës, Nuhi Neziri.
Janë 86 objekte që kanë pësuar dëme nga këto përmbytje, ndërsa banorët presin që komuna së bashku me institucionet qendrore të ndihmojnë për të tejkaluar këto probleme. Bëhet fjalë për shtëpi dhe prona në katër fshatra të komunës së Tearcës, edhe atë banorët e fshatit Leshkë, Tearcë, Neprshten dhe Sllatinë. Vërshimet e 5 korrikut, shkaktuan dëme jo vetëm në pronat e banorëve të këtyre dy fshatrave por edhe në infrastrukturën rrugore. Banorët në atë kohë denoncuar dëme në amvisëri, kryesisht bodrume të vërshuara por edhe murre të rrënuara si dhe automjete të dëmtuara. Fillimisht komisioni i formuar për këto vërshime nga ana e komunës së Tearcës ka bërë kategorizimin e dëmeve dhe pastaj vlerësimin. Sipas informacioneve zyrtare, dëmet janë vlerësuar mbi 200 mijë euro, mjete këto të cilët komuna e Tearcës nuk mund t`i sigurojë, prandaj edhe është kërkuar ndihmë nga ana e qeverisë. Kjo e fundit, ende nuk ka dalur me asnjë informacion konkret lidhur me mënyrën e kompensimit. (koha.mk)





