Lehtësohen shërbimet për mërgimtarët

Pritet së shpejti edhe oborret e shkollave fillore dhe të mesme të hapen për parkim pa pagesë deri në fund të muajit gusht

Urim HASIPI

Gostivar, 2 korrik – Ardhja e mërgimtarëve në vendlindje ka bërë që Komuna e Gostivarit të aktivizojë Zyrën për Mërgimtarët me orar të zgjatur pune, me qëllim lehtësimin e shërbimeve administrative për diasporën. Vendimi është marrë në prag të sezonit veror, kur shumë bashkatdhetarë kthehen në vendlindje dhe kanë në dispozicion një kohë të kufizuar për të kryer obligimet e tyre. Sipas kryetarit të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, masa synon t’u mundësojë mërgimtarëve qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në shërbimet komunale.

Autoritetet lokale e konsiderojnë këtë hap jo vetëm si një detyrim administrativ, por edhe si një mesazh mirëseardhjeje dhe mbështetjeje për diasporën. Kryetari Limani theksoi se stafi komunal është udhëzuar të ofrojë asistencë maksimale për qytetarët. Edhe në rastet kur kërkesat e tyre nuk janë në kompetencë të drejtpërdrejtë të komunës, punonjësit do t’i orientojnë drejt institucioneve përkatëse.

Gjatë periudhës së fluksit të mërgimtarëve, Zyra për Mërgimtarët do të punojë çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 18:00. “Zyra e Mërgimtarëve do të punojë me orar të zgjatur me të vetmin qëllim që t’u dalim në ndihmë mërgimtarëve për t’i kryer obligimet e tyre. Ky është edhe një mesazh dhe një gjest ndaj të gjithë bashkatdhetarëve që vijnë në vendlindje dhe e kanë kohën e kufizuar. Zakonisht kërkesat e tyre nuk lidhen drejtpërdrejt me kompetencat e komunës, por punonjësit tanë përpiqen t’i udhëzojnë drejt institucioneve ku mund të marrin shërbimin e nevojshëm”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.

Krahas kësaj, pritet që së shpejti oborret e shkollave fillore dhe të mesme të hapen për parkim pa pagesë deri në fund të muajit gusht. Ndërkohë, deri më 10 korrik do të vazhdojnë punimet intensive infrastrukturore në rrugët ku po zhvillohen rikonstruksione, ndërsa pas kësaj date ato do të ndërpriten përkohësisht për shkak të ardhjes së mërgimtarëve.

Sipas kryetarit Limani, rritja e ndjeshme e numrit të automjeteve gjatë verës, e kombinuar me praninë e makinerive ndërtimore në rrugë, krijon vështirësi shtesë në komunikacion. Për këtë arsye, komuna ka arritur marrëveshje me kompanitë që punojnë në terren që deri më 10 korrik të përfundojnë punimet e planifikuara dhe më pas t’i ndërpresin ato deri në përfundim të sezonit të mërgimtarëve. “Me të gjitha kompanitë që janë duke punuar aktualisht kemi rënë dakord që deri më 10 korrik të përfundojnë punimet dhe pas kësaj date të mos ketë punime në terren, sepse fluksi i qytetarëve do të rritet. Në këtë mënyrë do t’ua lehtësojmë lëvizjen mërgimtarëve tanë”, tha Limani.

Me këto masa, Komuna e Gostivarit synon të shmangë ngarkesën në komunikacion dhe t’u mundësojë qytetarëve qarkullim më të lirë gjatë muajve të verës. Aktualisht, punime infrastrukturore po zhvillohen edhe në një nga bulevardet kryesore të qytetit, bulevardin “Braqa Gjinovski”. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm