Lidhja Socialdemokrate akuzon kryeministrin Hristijan Mickoski se përmes votimit elektronik të diasporës synon të krijojë kushte për manipulim zgjedhor, ndërsa partia në pushtet kundërpërgjigjet se LSDM-ja dhe Levica po bllokojnë reformat
Ersan PAJAZITI
Shkup, 2 korrik – Debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor është ashpërsuar edhe më tej, me akuza të ndërsjella mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, ndërsa procesi parlamentar mbetet i bllokuar pas dështimit të bisedimeve mes koordinatorëve të grupeve parlamentare. Opozita socialdemokrate akuzon kryeministrin Hristijan Mickoski se përmes votimit elektronik të diasporës synon të krijojë kushte për manipulim zgjedhor, ndërsa partia në pushtet kundërpërgjigjet se LSDM-ja dhe Levica po bllokojnë reformat duke paraqitur dhjetëra mijëra amendamente.
Në reagimin e saj të sotëm, LSDM-ja vlerëson se pas shfuqizimit të qeverisë teknike, Mickoski po përpiqet të imponojë, siç thonë, “modele autokratike” përmes ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor. Sipas partisë opozitare, qëllimi i ndryshimeve është futja e votimit elektronik për diasporën, gjë që, sipas tyre, do të linte rreth 200 mijë vota pa kontrollin e duhur. “Derisa qytetarët që votojnë në vend kalojnë procedura të rrepta verifikimi – identifikim me dokumente, nënshkrim në listën zgjedhore dhe kontroll biometrik, Mickoski dëshiron të krijojë mundësi absolute për manipulim përmes votimit nga distanca”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Partia me seli në Bihaçka, rikujton edhe një hetim që, sipas saj, është hapur në Shtetet e Bashkuara në dhjetor të vitit të kaluar lidhur me vjedhje votash, ku pretendohet se janë përfshirë serverë në pronësi të një kompanie serbe të afërt me Partinë Progresive Serbe (SNS) dhe presidentin Aleksandar Vuçiq. LSDM-ja pretendon se ekzistojnë lidhje të ngushta mes Vuçiqit dhe Mickoskit. “Të gjithë e dimë për marrëdhëniet mes Vuçiqit dhe Mickoskit, për lidhjen e tyre ‘vëllazërore’ dhe partitë motra. E dimë për përdorimin e së njëjtës platformë botësh dhe fermave të trollëve për ndikim në rrjetet sociale”, thuhet në komunikatë.
Në reagim, opozita akuzon gjithashtu për ndikim të madh serb dhe hungarez në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut, duke pretenduar se 40 për qind e mediave janë në pronësi të strukturave të lidhura me kryeministrin hungarez Viktor Orbán dhe veprojnë në favor të partisë në pushtet. LSDM-ja përmend edhe projektet për ndërtimin e qendrave të të dhënave, duke pretenduar se ato janë të dëmshme për mjedisin dhe mund të shkaktojnë probleme në furnizimin me energji elektrike. Sipas partisë, këto janë arsye të mjaftueshme që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të mos miratohen, ndërsa Mickoskin e akuzon për, siç thotë, “autoritarizëm të plotë”.
Një ditë më parë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor nuk janë as evropiane dhe as demokratike, duke kundërshtuar veçanërisht dispozitën që parasheh mundësinë e votimit elektronik të diasporës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2029.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE reagoi duke akuzuar LSDM-në dhe partinë Levica se me paraqitjen e dhjetëra mijëra amendamenteve po bllokojnë miratimin e Kodit Zgjedhor dhe po pengojnë proceset reformuese në vend.
Sipas partisë në pushtet, të dyja partitë opozitare kanë marrë pjesë në konsultimet dhe harmonizimin e tekstit ligjor, por tani, përmes numrit të madh të amendamenteve, po tentojnë të pengojnë miratimin e tij.
VMRO-DPMNE thekson se Kodi i ri Zgjedhor është harmonizuar me rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it dhe përbën pjesë të obligimeve reformuese të vendit. Partia e Hristijan Mickoskit vlerëson se, në vend të propozimeve thelbësore, LSDM-ja dhe Levica po përdorin obstruksione parlamentare, duke shtuar se është e gatshme të diskutojë çdo vërejtje konstruktive që do të përmirësonte procesin zgjedhor. “Nëse LSDM-ja dhe Levica vërtet kanë vërejtje thelbësore, le t’i propozojnë ato. Askush nuk i shmanget një debati të argumentuar. Por dhjetëra mijëra amendamente nuk janë përpjekje për ta përmirësuar ligjin, por një obstruksion klasik parlamentar”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Njëkohësisht, VMRO-DPMNE përsërit qëndrimin se diaspora maqedonase duhet të fitojë të drejtën për të votuar në mënyrë elektronike në zgjedhjet presidenciale, duke argumentuar se çdo qytetar, pavarësisht se ku jeton, duhet ta ushtrojë më lehtë të drejtën e votës. Nga partia në pushtet vlerësojnë se pas veprimeve të LSDM-së dhe Levicës qëndron frika nga humbja në zgjedhje, ndërsa theksojnë se Qeveria do të vazhdojë me reformat pavarësisht përpjekjeve, siç thonë, për t’i bllokuar ato.
Përndryshe, bllokada erdhi pas dy ditësh bisedimesh të pasuksesshme mes koordinatorëve të grupeve parlamentare. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikola Micevski, deklaroi se edhe ditën e dytë të bisedimeve nuk u arrit marrëveshje, edhe pse pati tërheqje nga disa qëndrime, dhe se VMRO-DPMNE i pranoi të gjitha vërejtjet e BDI-së dhe të Levicës, duke hequr disa nene kontestuese, por nuk arriti ta bindë LSDM-në të tërhiqet nga qëndrimi për votimin e diasporës. Si rezultat, LSDM-ja dhe Levica kanë dorëzuar një numër rekord amendamentesh në Komisionin për Sistem Politik. LSDM-ja ka dorëzuar 10 mijë amendamente, ndërsa Levica 3.500, duke e çuar numrin e përgjithshëm në rreth 13.500. Edhe pse grupi punues kishte punuar gjashtë muaj për tekstin e ligjit, Maqedonia e Veriut rrezikon të mbetet me Kodin aktual Zgjedhor, pasi pengesa kryesore ka vazhduar të jetë mënyra elektronike e votimit të diasporës. Seanca e Komisionit për Sistem Politik nuk arriti të debatonte fare mbi përmbajtjen e Kodit, pasi u kufizua vetëm në votimin e rendit të ditës dhe u ndërpre me arsyetimin se amendamentet e shumta duhet së pari të arkivohen dhe të përkthehen edhe në gjuhën shqipe.
Vetë kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, e ka justifikuar numrin e lartë të amendamenteve si mjet për të penguar miratimin e një ligji që, sipas tij, hap dyshime serioze për abuzime. Partia Levica ka dorëzuar amendamentet e veta për arsye pjesërisht të ndryshme, të lidhura kryesisht me financimin shtetëror të partive, ndonëse edhe ajo e kundërshton modelin e propozuar për votimin e diasporës.
Kryeministri Mickoski, nga ana tjetër, ka theksuar se kërkesa e vetme e mbetur e qeverisë është që votimi elektronik i diasporës të fillojë me zgjedhjet presidenciale të vitit 2029, duke argumentuar për kosto më të ulëta dhe lehtësim të procesit për qytetarët jashtë vendit. Njëkohësisht, kryeministri ka sinjalizuar gatishmëri për kompromis të pjesshëm. Mickoski ka deklaruar se VMRO-DPMNE është e gatshme të pranojë dy nga tri kërkesat e LSDM-së, përkatësisht mënyrën e shënimit të votës me emër në vend të numrit dhe zgjerimin e së drejtës së ankesës post-zgjedhore për vëzhguesit dhe përfaqësuesit e autorizuar të partive, nëse LSDM-ja i paraqet ato si amendamente formale.
Me bllokadën aktuale në Komisionin për Sistem Politik dhe mungesën e konsensusit për votimin elektronik të diasporës, mbetet e paqartë nëse Kodi i ri Zgjedhor do të arrijë të miratohet përpara zgjedhjeve të radhës, apo nëse vendi do të vazhdojë të funksionojë me kornizën aktuale ligjore. (koha.mk)





