Barcelona, kryesuesja aktuale e La Liga-s me 4 pikë avantazh ndaj Real Madridit, po përjeton një fillim të jashtëzakonshëm të sezonit 2024-2025. Megjithëse ekipi është në një moment të shkëlqyer, drejtuesit blaugrana janë tashmë të fokusuar në të ardhmen dhe duket se janë gati të finalizojnë blerjen e parë për verën e vitit 2025.
Sipas medias spanjolle “Jijantes”, Barça ka arritur një marrëveshje me Jonathan Tah, qendërmbrojtësin e Bayer Leverkusenit. Deco, drejtori sportiv i klubit katalanas, udhëtoi drejt Leverkusenit për t’u takuar me lojtarin dhe agjentin e tij. Takimi, i cili u zhvillua në një restorant të qytetit, raportohet se ka përfunduar me sukses, me të dyja palët të kënaqura me marrëveshjen e arritur.
Tah, 28 vjeç, është një figurë kyçe e Bayer Leverkusenit që nga viti 2015 dhe ka luajtur një rol vendimtar në fitimin e Bundesligës sezonin e kaluar. Me 33 paraqitje për kombëtaren gjermane dhe një gol në 21 ndeshje, këtë vit, mbrojtësi pritet të transferohet në Barcelonë si lojtar i lirë.
Për klubin katalanas, i cili vazhdon të menaxhojë me kujdes sfidat ekonomike, kjo është një lëvizje strategjike për të forcuar skuadrën dhe garantuar më shumë qëndrueshmëri në mbrojtje.





