BDI vazhdon të jetë shënjestër e Mickoskit

Në vend që të përgjigjej për krizën me ligjet që kërkojnë shumicë të dyfishtë, kryeministri Hristijan Mickoski e shfrytëzoi rastin për të akuzuar BDI-në se, përmes presioneve dhe manipulimeve, synon me çdo kusht rikthimin në qeveri. Ndërkohë, në bllokun shqiptar vazhdon përplasja mes VLEN-it dhe BDI-së lidhur me ndikimin e kapitalit serb në vend

Ersan PAJAZITI

Shkup, 20 gusht – Kryeministri Hristijan Mickoski po vazhdon të shfrytëzojë çdo paraqitje publike për të adresuar kritika dhe sulme ndaj BDI-në. I pyetur në lidhje me atë se a i ka kjo shumicë parlamentare numrat për ligjet që kërkojnë të miratohen me Badenter, duke e marrë për bazë situatën e fundit ku shumica e deputetëve votoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por ato nuk u miratuan pasi nuk kaluan votimin e shumicës së deputetëve të bashkësive jo-maqedonase, Mickoski në vend që të përgjigjet – akuzoi BDI-në se nëpërmjet presionit dhe manipulimit, dëshiron me çdo kusht të jetë pjesë e Qeverisë.

Ai tha se kjo shumicë parlamentare do të jetë fituese në zgjedhjet lokale, ndërsa i bëri thirrje BDI-së që nëse dëshiron të jetë pjesë e Qeverisë, të reformohet.

“BDI pas 20 viteve është në opozitë dhe vështirë e përballon atë. Është e dukshme se në kuadër të strukturës së tyre kanë probleme të mëdha, mundohen që nëpërmjet trukeve të caktuara të bëjnë presion që të jenë përsëri në qeveri. Mendoj se i qartë është fituesi në zgjedhjet lokale, fitues do të jetë koalicioni qeveritar. Ashtu që ne vazhdojmë në shtegun e reformave, punës ës ndershme. Tani veç më 14 muaj kjo qeveri funksionon në mënyrë stabile”, theksoi Mickoski. Përndryshe, një javë pasi u shpallën zgjedhjet lokale, në Parlament u mbajt një seancë e jashtëzakonshme për të miratuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

Në votimin e parë votuan 86 deputetë, prej tyre 66 pro, ndërkaq 18 ishin kundër. Në votimin e dytë, kur votimi u bë nga deputetët e komuniteteve jo shumicë, nga 29 deputetë të regjistruar, 11 deputetë votuan pro, kurse 18 kundër.

VLEN DHE BDI ME AKUZA TË NDËRSJELLA PËR BOTËN SERBE

Ndërkohë, partitë vazhdojnë me përplasjet politike ditore. BDI dhe VLEN, dy subjektet kryesore politike të bllokut shqiptar në vend, po përplasen për shkak të depërtimit të supozuar të kapitalit dhe ndikimit serb në vend. Sipas njoftimit të VLEN-it, BDI prej kohësh ka reshtur së mbrojturi interesat e shqiptarëve, pasi, siç pretendojnë ata, ka lejuar hyrjen e kompanive serbe dhe malazeze në sektorë ekonomikë kyç, përfshirë industrinë e telefonisë mobile dhe kazinotë.

“BDI është një parti që e ka shitur dinjitetin e shqiptarëve për interesa personale dhe klanore. Ata e sollën “botën serbe” në zemër të vendit, e futën MTEL-in, lejuan penetrimin e strukturave të nëntokës serbe në kazinotë vendore dhe, përmes Bujar Osmanit, punuan për Beogradin dhe kundër Kosovës. Por qytetarët tashmë e kanë kuptuar të vërtetën. BDI nuk është më forcë unifikuese e zhvillimit, por një partner i politikës serbe që synon dobësimin dhe destabilizimin e Maqedonisë”, theksojnë nga VLEN.

BDI, nga ana tjetër, përgjigjet se VLEN në programin zgjedhor për vitin 2024 kishte premtuar themelimin e një Banke Shqiptare me kapital dominant shqiptar, si garanci për fuqizimin ekonomik të shqiptarëve dhe zhvillimin e barabartë rajonal, por në vend të kësaj solli bankën serbe.

BDI përsërit se shteti nuk guxon dhe nuk duhet të lejojë që sektori bankar dhe institucionet strategjike të merren nën kontroll nga interesat destabilizuese të Beogradit. “Në vend që të garantojnë kapital shqiptar dhe zhvillim ekonomik të barabartë, VLEN dhe partnerët e saj po e dorëzojnë sektorin bankar, zemrën e ekonomisë, në duart e Beogradit. Kjo nuk është çështje ekonomike, por çështje sigurie kombëtare. Banka serbe do të thotë ndikim serb mbi kreditë, bizneset dhe vendimmarrjen financiare në vend. Do të thotë kontroll i sektorëve strategjikë dhe dobësim i orientimit euroatlantik”, thuhet në reagimin e BDI-së.

ASH: VLEN HARROI DIASPORËN

Ndërkohë nga Aleanca për Shqiptarët akuzoi VLEN-in se nuk ka realizuar masat e premtuara në periudhë para-zgjedhore për sa i përket mërgatës.

“Gjatë fushatave zgjedhore, VLEN i kushtoi rëndësi të veçantë mërgatës shqiptare, duke premtuar garantimin dhe lehtësimin e votimit të saj sipas modeleve evropiane, eliminimin e deputetëve të diasporës dhe përfshirjen e votuesve jo-rezidentë në listat e brendshme. Po ashtu, u premtua krijimi i Ministrisë së Diasporës me buxhet të veçantë, përfshirja e kuadrove nga mërgata në kabinetin qeveritar dhe në administratë, si dhe lehtësira tatimore e subvencione për kthimin e mërgimtarëve dhe hapjen e bizneseve në vend. Pas gati një viti e gjysmë qeverisjeje, këto zotime kanë mbetur vetëm në letër”, theksojnë nga ASH.

Nga ky subjekt politik pyesin VLEN-in nëse është kthyer ndonjë mërgimtar përmes masave të premtuara, apo, përkundrazi, është shtuar numri i atyre që e kanë lëshuar vendin.

“Pse nuk është themeluar ende Ministria e Diasporës dhe pse nuk janë përfshirë kuadro nga mërgata në nivele vendimmarrëse? A po rrezikon mërgata të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke qenë se qeveria nuk ka tërhequr vendimin për fshirjen e saj nga listat zgjedhore dhe për zvogëlimin e numrit të këshilltarëve komunalë, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese?”, pyesin nga ASH, duke thënë se mërgata shqiptare ka dhënë shumë për vendin tonë, ndaj për këtë arsye, premtimet ndaj saj nuk guxojnë të mbeten të pambajtura. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm