Deponia mes Dobroshtit dhe Gllogjës filloi të largohet

Kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, u bën apel banorëve të zonës që të kenë kujdes dhe të mos hedhin përsëri mbeturina në vendet që pastrohen

 

Urim HASIPI

Tetovë, 25 shkurt – Ka filluar pastrimi i mbeturinave të grumbulluara në ambient të hapur në një deponi të egër të krijuar në Komunën e Tearcës, respektivisht në rrugën që lidhë fshatin e Dobroshtit me atë të Gllogjës. Kjo deponi kohëve të fundit kishte arritur sasi të madhe të mbeturinave që ishin hedhur nga banorët përreth. Krahas kësaj, kjo deponi është shfrytëzuar për dërgimin e mbeturinave gjatë periudhës së vërshimeve dhe prej atëherë e njëjta kohë pas kohe është pastruar por sërish është mbushur me mbeturina. Kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, thotë se pastrimi i kësaj deponie ka filluar dhe do të vazhdohet me punë deri sa të përfundojë tërësisht. Ai bën me dije se përveç mbetjeve të hedhura, nga aty duhet të largohet edhe një sasi e madhe e prurjeve që erdhën nga mali si pasojë e vërshimeve.

“Deponia është shkaktuar nga shumë procese natyrore që kanë ndodhur paraprakisht gjatë këtyre viteve të fundit që kanë ndodhur. Realisht ne po ballafaqohemi çdo ditë me kërkesat e qytetarëve të cilët gravitojnë jo vetëm në rrugën por edhe në hapësirat rreth e përqark kësaj deponie, për të cilat në vazhdimësi – Komuna ka qenë e gatshme për të dalë dhe për tu ballafaquar edhe me sanksione ndaj atyre të cilët nuk janë të përgjegjshëm për ruajtjen e ambientit. E veçanërisht për grumbullimin e atyre mbeturinave gjë për të cilën Komuna ka angazhuar kompani të veçantë për të cilën bën grumbullin e rregullt në çdo fshat. Por këto ditë ne kemi marr aktivitete konkrete për largimin dhe zhvendosjen e atyre mbeturinave të cilat janë grumbulluar në mënyrë të padrejtë. Nga ana e Komunës është angazhuar një makineri e posaçme e cila bën sanimin dhe largimin veçanërisht nga hapësirat që janë drejt për drejtë të qasshme jo vetëm nga ata të cilët kalojnë por edhe nga ambientet dhe hapësirat e shtëpive që janë afër këtyre deponive”, deklaroi Neziri.

Kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, u bën apel banorëve të zonës që të kenë kujdes dhe të mos hedhin përsëri mbeturina në vendet që pastrohen. Ai bëri me dije se ka të rregulluar pastrimin dhe grumbullimin e mbeturinave në të gjitha fshatrat dhe u bën apel që të respektojnë natyrën dhe vendbanimin ku jetojnë. Përndryshe 60% e territorit të Komunës së Tearcës është pjesë e Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, ndërsa së fundmi është mbajtur edhe një seancë e përbashkët mes drejtorisë së Parkut Kombëtarë, Komunës së Tearcës dhe qytetarëve si palë, për të diskutuar në lidhje me ruajtjen e natyrës, florës dhe faunës së “Malit Sharr”. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm