Situata në Gaza është përtej alarmantes, ku për shkak të gjithë situatës së krijuar pas bombardimeve të Izraelit dhe dëshpërimit të krijuar te popullsia, me mijëra njerëz kanë bastisur magazinat e OKB-së, duke marrë gjithë ushqimet e shportës që mund të gjenin.
Kështu ka bërë me dije vetë Agjencia e OKB-së për Refugjatët palestinezë, UNRWA, duke përcaktuar se qendrat e shpërndarjes së ndihmave janë mësyrë dhe nga aty janë marrë mielli, si edhe gjithë ushqimet e tjera bazike.
“Kjo është një shenjë shqetësuese se rendi civil ka filluar të prishet pas tre javësh lufte dhe një rrethimi të ngushtë në Gaza”, tha UNRWA në një deklaratë.
“Njerëzit janë të frikësuar, të frustruar dhe të dëshpëruar. Tensionet dhe frika përkeqësohen nga shkurtimet në telefonat dhe linjat e komunikimit në internet”.
Deklarata e UNRWA-së e lëshuar të dielën nuk specifikon se cilat depo janë bastisur apo kur ka ndodhur kjo.
Shefi humanitar i OKB-së, Martin Griffiths, tha të enjten se ndihma kishte “mezi rrjedhur” në Gaza gjatë javës së kaluar, ndërsa bombardimet izraelite po intensifikoheshin.





