Nga komuna e Tearcës njoftojnë personat që kanë qen në pronësi të tyre, t’i mbajnë ata nën përkujdesje sepse kapja e tyre në vende publike do të sjellë pasoja ligjore për pronarët
Urim HASIPI
Tetovë, 20 tetor – Prej ditës së premte ka filluar trajtimi i qenve endacak në komunën e Tearcës. Sipas informacioneve në ditën e parë të këtij aksioni janë larguar 20 qen endacak të cilët më pas do të trajtohen nga qendra adekuate e cila ka marrë përsipër të trajtojë qentë endacak nga territori i komunës së Tearcës. Kryetari i komunës së Tearcës Nuhi Neziri, thotë se brenda tre viteve, kjo është hera e dytë që nënshkruhet marrëveshje me një operator që do të bëjë kapjen e qenve endacak nga territori i komunës së Tearcës. “Në bazë të planit paraprak edhe në kuadër të qendrës rajonale të Pollogut, ne disa herë kemi kërkuar që të vëmë në jetë ose të planifikojmë menaxhimin e q eneve endacak. Ky nuk është problem vetëm i komunës së Tearcës por është problem në nivel të të gjitha komunave në Pollog dhe jo vetëm. Kjo është hera e dytë që këto tre vite që kemi hapur tenderimin për trajtimin dhe menaxhimin e qenve endacak. Procedura është kryer dhe ne e kemi nënshkruar kontratën me një operator i cili ka marrë përsipër të ndjek të gjitha procedurat për trajtimin dhe vendosjen e tyre në vende apostafate të të gjithë atyre qenve endacak të cilët kërkojnë trajtim shëndetësor nga ana e veterinerëve”, deklaroi Nuhi Neziri, kryetar i komunës së Tearcës.
Neziri thotë se sipas informacioneve që kanë prezantuar përfaqësuesit e operatorit gjatë tenderimit, ata kanë dy qendra për trajtimin e qenve endacak, njëra qendër është në Shkup kurse tjetra është në afërsi të komunës së Tearcës. Sipas tij. kapaciteti i tyre është që të trajtojnë mbi 100 qen endacak. Por, edhe pse kjo komunë ka nënshkruar kontratë për trajtimin e qenve endacak, megjithatë problemi është në nivel të rajonit të Pollogut. Qendra rajonale për trajtimin e qenve endacak në Pollog assesi të jetësohet. “Ne insistojmë se ky është një problem pastaj sepse kapaciteti që duhet t`i mbulojë për nëntë komunat e rajonit, sigurisht që kërkon edhe një lokacion specifik por edhe largësi nga vendbanimet. Ne kemi pasur disa opsione, ose propozime konkrete nga donatorë të jashtëm që janë ofruar për të na mbështetur por gjithmonë kanë qenë limitet ose mundësitë e limituara, për të cilët ofrohen për trajtimin e gjithë rajonit, jo vetëm një komune. Ne jemi shumë të vetëdijshëm sepse edhe ligji për kafshët na vendos para kufizimeve të caktuara, që ne edhe pse tentojmë t`i trajtojmë pastaj ata duhet të lëshohen në vendin ku janë marrë”, deklaroi Neziri.
Nga komuna e Tearcës njoftojnë personat që kanë qen në pronësi të tyre, t’i mbajnë ata nën përkujdesje sepse kapja e tyre në vende publike do të sjellë pasoja ligjore për pronarët. (koha.mk)