Barcelona po e sheh me seriozitet vazhdimin e përforcimeve në mbrojtje, pas disfatës në “El Clasico” ndaj Real Madridit. Humbja në “Santiago Bernabeu” ka theksuar edhe një herë nevojën për stabilitet më të madh defensivë, dhe trajneri Hansi Flick tashmë ka identifikuar objektivin e tij të radhës në afatin kalimtar.
Sipas raportimeve të TEAMtalk, tekniku gjerman i ka kërkuar drejtuesve të klubit katalanas që të përshpejtojnë kontaktet për Gonçalo Inacio, mbrojtësin 24-vjeçar të Sporting Lisbonës.
Inacio, që ka kontratë me klubin e Lisbonës deri në vitin 2027, është një prej shtyllave kryesore të skuadrës portugeze dhe vlerësohet shumë për qetësinë dhe saktësinë e tij në dalje me topin.
Barcelona e sheh Inacion si përforcimin ideal për të rigjallëruar sistemin mbrojtës dhe për të shtuar konkurrencën në qendër të prapavijës, ku aktualisht Flick po vuan nga mungesa e stabilitetit.
Sportingu nuk është i gatshëm ta lëshojë lehtë yllin e tij, por është i vetëdijshëm për interesimin serioz të Barcelonës, e cila mund të bëjë një lëvizje konkrete në afatin e ardhshëm të transferimeve. Gjiganti portugez e vlerëson yllin e tyre rreth 70 milionë euro.Në rast se marrëveshja finalizohet, Gonçalo Inacio do të ishte një shtesë e rëndësishme në projektin afatgjatë të Hansi Flick, që synon ta rikthejë Barcelonën në majën e futbollit evropian.



