GARA PËR ÇAIRIN: Osmani dhe Mexhiti në duel për tenderë e ndërtime të egra

Çairi, një nga komunat më të rëndësishme dhe më të populluara shqiptare në Shkup, pritet të jetë një prej betejave kryesore politike. Kjo komunë ka një peshë të madhe simbolike dhe elektorale, prandaj gara për kryetarin e saj ka marrë dimension kombëtar. Shembulli më i fundit i përplasjes politike është ai midis BDI-së dhe koalicionit VLEN, ku në qendër të vëmendjes është ish-ministri i jashtëm dhe kandidati i BDI-së për Çairin, Bujar Osmani

Ersan PAJAZITI

Shkup, 8 gusht – Me afrimin e zgjedhjeve lokale, klima politike në vend po tensionohet gjithnjë e më shumë. Partitë politike kanë intensifikuar akuzat dhe kundërakuzat, duke përdorur çdo mundësi për të diskredituar kundërshtarët. Ky fenomen është i zakonshëm në prag të garave elektorale, por këtë vit duket se goditjet po bëhen më të ashpra, veçanërisht ndaj kandidatëve që tashmë kanë konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen e tyre në garë. Çairi, një nga komunat më të rëndësishme dhe më të populluara shqiptare në Shkup, pritet të jetë një prej betejave kryesore politike. Kjo komunë ka një peshë të madhe simbolike dhe elektorale, prandaj gara për kryetarin e saj ka marrë dimension kombëtar. Shembulli më i fundit i përplasjes politike është ai midis BDI-së dhe koalicionit në pushtet VLEN, ku në qendër të vëmendjes është ish-ministri i jashtëm dhe kandidati i BDI-së për Çairin, Bujar Osmani.

VLEN e akuzon Osmanin për tenderë të paligjshëm të lidhur me organizimin e samitit të OSBE-së në Shkup, që u zhvillua në vitin 2023. Sipas tyre, raporti i Entit Shtetëror të Revizionit ka konfirmuar se në këtë aktivitet janë kryer shkelje ligjore dhe procedurale.

“Sipas raportit të revizionit: Mbi 120 milionë denarë u shpenzuan pa të dhëna të qarta; Nuk ka dokumentacion se çfarë saktësisht është dorëzuar, instaluar ose lënë si pajisje e përhershme në sallën Boris Trajkovski; Kontratat dhe prokurimet publike u zbatuan pa transparencë dhe me mangësi serioze ligjore. Ky është edhe një konfirmim se Bujar Osmani, kudo që shkon, lë pas tendera të dyshimtë dhe kriminale!”, theksojnë nga koalicioni VLEN, duke shtuar se për këtë arsye Osmani nuk duhet të jetë në krye të Çairit.

Megjithatë, ndaj pretendimeve të VLEN-it është kundërpëprgjigjur nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, duke bashkangjitur në Facebook edhe fotografinë e raportit të revizionit, në të cilin sipas Ademit ky institucion ka konfirmuar se Ministeriali i OSBE-së në Shkup ka kaluar pa asnjë vërejtje ligjore apo procedurale, ndërsa akuzoi VLEN-in se po manipulojnë raportin e Entit për të fabrikuar akuza.

“Dokumenti zyrtar thotë qartë: Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur rastin në vitin 2023 dhe ka vazhduar ta shqyrtojë në vitin 2024. Në seancën e 99-të, më 26 janar 2024, ka marrë vendim se dyshimet nuk janë konfirmuar. Pra, jo vetëm që nuk ka pasur asnjë shkelje, por raporti është dëshmi se organizimi i samitit ka qenë model i transparencës dhe profesionalizmit”, ka shkruar Ademi në facebook.

Edhe BDI zyrtarisht ka reaguar ndaj akuzave të VLEN-it duke thënë se përpjekjet e VLEN për të shpifur nuk janë gjë tjetër veçse keqdashje dhe xhelozi politike, ndërsa theksojnë se për Ministeriali i OSBE-së, ishte një aktivitet i vlerësuar nga çdo partner dhe institucion ndërkombëtar, i përshkruar si i përkryer në organizim dhe si një moment që na bëri krenarë të gjithë qytetarët, kurse të gjitha organet shtetërore përgjegjëse përfshirë ato të mbikëqyrjes kanë konfirmuar ligjshmërinë, transparencën dhe zbatimin shembullor të tij. “Maqedonia e Veriut priti botën dhe realizoi një aktivitet që do të mbahet mend si triumf diplomatik dhe organizativ. Ky sukses i takon qytetarëve, institucioneve dhe çdo personi që punoi me përkushtim për të treguar më të mirën e vendit tonë. E kuptojmë se për ata që nuk kanë organizuar kurrë asgjë me vlerë ndërkombëtare, është më e lehtë të shpifin sesa të pranojnë realitetin. Por faktet mbeten fakte dhe asnjë zhurmë politike nuk mund të fshijë një histori suksesi kombëtar. Fushata e shpifjeve e VLEN nuk është sulm ndaj një personi është fyerje për çdo zyrtar, vullnetar e qytetar që kontribuoi që Ministeriali i OSBE-së të jetë burim krenarie për Maqedoninë e Veriut”, theksojnë nga BDI.

“Ndërkohë, Osmani është bërë shënjestër edhe e kundërkandidatit të tij nga VLEN, Izet Mexhiti, i cili, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për qëndrimin e tij ndaj ndërtimeve të egra, temë për të cilën ditët e fundit ka folur edhe Osmani, tha se ky i fundit është personi i fundit që ka të drejtë të flasë për këtë çështje, pasi vetë jeton në një ndërtesë të tillë.

“Është mirë që Bujar Osmani të përmend fillimisht se jeton në ndërtim të egër. Shtëpia të cilën e ka ndërtuar është ndërtuar si ndërtim i egër dhe e ka legalizuar. Pa marrë parasysh se a është legalizuar është ndërtim i egër. Gjithë kohës ishte ministër në disa funksione dhe ka të legalizuar ndërtim të egër. Do të ketë moratorium për ndërtimet e egra, por nëse dikush nuk ka të drejtë morale të flasë për ndërtimet e egra është Bujar Osmani”, theksoi Mexhiti.

Sa i përket pretendimeve se Mexhiti nuk jeton në Çair, por në komunën e Butelit, ai tha se përgjigje rreth kësaj çështje do të je gjatë fushatës zgjedhore. “Janë çështje teknike. Do të informojmë gjatë fushatës”, theksoi Mexhiti, ndërsa njoftoi se bartës listës së këshilltarëve për komunë të Çairit nga koalicioni VLEN do të jetë Muhamed Murtezi.

“Bartës liste do të jetë dr. Muhamed Murtezi, njeriu që vjen jashtë politikës dhe është vlerë e shtuar e VLEN-it. Pra VLEN del me kandidat të pavarur, në këtë rast me Muhamed Murtezin, i cili vjen nga sektori civil, i cili e ka bërë atë që e ka parim politika, t’i shërbejë qytetarëve, t’i shërbejë shoqërisë”, theksoi Mexhiti. Nga ana tjetër, nga BDI janë deklaruar se si koalicion Aleanca Kombëtare për Integrim shumë shpejtë do të dalin me emrat e kandidatëve për kryetar komunash në ato komuna ku ende nuk kanë nxjerrë kandidatë, ndërsa edhe me bartësit e listës për këshilltarë, përfshirë këtu edhe për komunën e Çairit. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm