Pesë vjet në ndërtim, gati “Bambi” në Çair

Kopshti “Bambi” në Çair përfundimisht do të hapë dyert. Projekti për ndërtimin e tij ka nisur në vitin 2020, ndërsa punimet kanë ngecur duke shtyrë për disa vjet inaugurimin e tij

Evis HALILI

Shkup, 8 gusht – Pesë vjet pas nisjes së punimeve, Komuna e Çairit ka njoftuar të premten inaugurimin e objektit kopshtit “Bambi”. Me një kapacitet për përkujdesjen e 350 fëmijëve dhe 22 grupe, kopshti është tërësisht i kompletuar me inventar dhe interier modern, në përputhje me standardet më të larta për institucionet parashkollore dhe garanton kushte të sigurta, për edukimin dhe përkujdesjen e hershme të fëmijëve, thuhet në njoftimin e komunës. “Hapim kopshtin më modern në vendin tonë, një inverstim për fëmijët dhe të ardhmen tonë”, ka thënë  Fatmir Limani, minsitri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Ndërsa  zëvendëskryeminsiyri Izet Mexhiti gjatë inagurimit ka deklaruar se edhe dy objekte të tjera në komunë janë duke u ndërtuar.

Në raportin e fundit të Revizionit adresoheshin vërejtje lidhur me fondet e investuara për ndërtimin dhe zgjerimin e institucioneve të edukimit parashkollor. Kopshti i papërfunduar në Komunën e Çairit, i nisur në vitin 2020 dhe i kontraktuar për t’u inauguruar në vitin 2022 ceket nga Raporti si një nga shembujt më flagrant sjell zvarritjen e punimeve në Bambi, dhe pikëpyetjet mbi efektivitetin e investimeve dhe prioritetet e tyre.

“Sigurojnë investimet publike në kopshte përdorimin efektiv të fondeve dhe a kontribuojnë në ofrimin e kushteve të përmirësuara të jetesës, mbulimit optimal dhe të rritur të fëmijëve parashkollorë, si dhe kujdesit dhe edukimit të tyre?”, është pyetja që ngrihet nga Revizioni. Sipas Raportit, deri në dhjetor të vitit 2024 janë lidhur tetë anekse të marrëveshjes, të arsyetuara me ndryshimet në rolet e kontraktorëve pjesëmarrës, punimet shtesë dhe të paparashikuara ndërtimore, pengesat administrative…

“Edhe pse deri më tani janë paguar 82 për qind nga mjetet e dakorduara (99 nga gjithsej 120 milionë denarë), kopshti ende nuk funksionon”, thuhet në raport. Konstatimi i përgjithshëm është se aktivitetet e ndërmarra nga Ministria nuk kanë dhënë rezultatet e pritura në sigurimin e kushteve për mbulim optimal të fëmijëve në sistemin e të drejtave të mbrojtjes së fëmijëve. Kopshtet publike financohen me fonde nga buxhetet shtetërore dhe komunale, fondet IPA, kredi nga Banka Botërore dhe donacione të ndryshme. Një burim i rëndësishëm financiar është kredia e Bankës Botërore në shumën prej 28.7 milionë eurosh, nga të cilat 15.1 milionë euro janë të destinuara për ndërtimin dhe rehabilitimin e kopshteve.

Rreth 70 për qind e çerdheve në rang vendi kanë funksionuar me kapacitete që kanë tejkaluar kufizimet për numrin e fëmijëve në një grup, deri edhe në dyfishin e normave të lejuara, ndërsa mungesat në personel ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e shërbimit që ofrojnë. Sipas raportit të revizionit për “Investimet publike për sigurimin e kapaciteteve dhe kushteve për mbrojtjen e fëmijëve në çerdhe”, zvarritja prej disa vitesh e procesit të vënies në funksion të çerdheve të reja është një nga shkaktarët kryesorë që në listat e pritjes në tetor të vitit të kaluar figuronin rreth pesë mijë fëmijë. Lidhur me këtë problem nga Qeveria kanë deklaruar se po rikonstruktohen, 15 objekte, ndërsa 11 të tjera janë objekte të reja që po ndërtohen.

“Në kushtet e kapaciteteve të kufizuara në kopshte, numri i fëmijëve të regjistruar vazhdon të tejkalojë kapacitetin e parashikuar, gjë që çon në pasoja për cilësinë e procesit arsimor. Kapaciteti i plotësuar për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve parashkollorë në shtator 2023 në 31% të kopshteve tejkalon kapacitetin e disponueshëm, dhe në maj 2024 në 67% të kopshteve. Kjo çon në ngarkesë të tepërt të grupeve, veçanërisht në grupmoshat 3-4 dhe 4-5 vjeç, gjë që ndikon në kushtet e punës së edukatorëve dhe cilësinë e kujdesit për fëmijët”, thuhet në Raport. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm