Fushata e shkatërrimit, që ka nisur në fillim të gushtit, përfshin bombardime intensive dhe përdorimin e makinerive të rënda për të shembur ndërtesat, duke lënë pas rrënoja dhe dëshpërim. Analiza të imazheve satelitore nga CNN (nga 9 gusht deri më 5 shtator) tregojnë se një pjesë e madhe e ndërtesave janë shkatërruar nga veprimet tokësore të ushtrisë, dhe jo vetëm nga bombardimet ajrore. Deri tani, rreth 1 mijë e 800 ndërtesa janë rrafshuar në qytet dhe në zonat përreth
Ofensiva izraelite në Gaza vazhdon me intensitet të lartë, duke shkaktuar shkatërrime masive dhe zhvendosje të mëdha të popullsisë civile. Një nga simbolet më të fundit të shkatërrimit është Burj al-Jafari, një nga kullat ikonike përgjatë vijës bregdetare të qytetit, e cila është shembur plotësisht pas një sulmi ajror izraelit. Kulla, e cila strehohej nga qindra civilë, u godit menjëherë pas një paralajmërimi nga ushtria izraelite (IDF) për evakuimin e zonës përreth, duke përfshirë lagjen Rimal dhe portin e Gazës.
Sipas ushtrisë izraelite, ndërhyrja në këtë zonë synon objektiva të Hamasit dhe ka si qëllim eliminimin e “infrastrukturës terroriste”. Megjithatë, sulmet kanë sjellë pasoja të rënda për civilët dhe ndërtesat e banimit.
Më shumë se 50 kulla banimi janë shkatërruar që nga shpallja e objektivit të ri nga kryeministri Benjamin Netanyahu për marrjen e plotë të qytetit. Fushata e shkatërrimit, që ka nisur në fillim të gushtit, përfshin bombardime intensive dhe përdorimin e makinerive të rënda për të shembur ndërtesat, duke lënë pas rrënoja dhe dëshpërim. Analiza të imazheve satelitore nga CNN (nga 9 gusht deri më 5 shtator) tregojnë se një pjesë e madhe e ndërtesave janë shkatërruar nga veprimet tokësore të ushtrisë, dhe jo vetëm nga bombardimet ajrore. Deri tani, rreth 1 mijë e 800 ndërtesa janë rrafshuar në qytet dhe në zonat përreth.
Lagjet më të prekura përfshijnë Zeitoun, Jabalia dhe pjesë të qendrës si Rimal, ndërsa ofensiva vazhdon të zgjerohet. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, gjenerali Efi Dufferin, deklaroi se 40% e territorit të qytetit është aktualisht nën kontrollin e Izraelit. Megjithatë, ky kontroll nuk ka rezultuar në një evakuim të plotë të popullsisë. Nga rreth 1 milion banorë të Gaza, vetëm 250 mijë persona kanë arritur të largohen drejt jugut, në zonën “humanitare” al-Maëasi në Khan Younis, e cila tashmë është mbipopulluar dhe pa mundësi për të strehuar më shumë njerëz.
Evakuimi është i vështirë për shumë persona kushton deri në 1 mijë dollarë, ndërsa të tjerët zgjedhin të qëndrojnë për shkak të mungesës së alternativave apo lodhjes së skajshme. Sipas banorëve si Najeeb Kaddoumi, ajo që po ndodh është “pastrim etnik i qëllimshëm”.
Pamjet nga sateliti tregojnë se Gaza sot i ngjan qyteteve si Rafah dhe Khan Younis, të shkatërruara gjatë luftimeve të mëparshme. Sipas autoriteteve të Hamasit, në dy vite luftë janë vrarë rreth 64.000 persona, me një mesatare prej 1 mijë e 500 viktimash në muaj, dhe këto të dhëna janë konsideruar të besueshme nga Kombet e Bashkuara.
IZRAELI KA KRYER GJENOCID NË GAZA
Komisioni Hetimor i Pavarur i Kombeve të Bashkuara për Territoret e Pushtuara ka publikuar një raport të ri, ku thuhet se ekzistojnë baza të arsyeshme që dalin në përfundimin se Izraeli ka kryer katër nga pesë aktet e përcaktuara të gjenocidit sipas Konventës së vitit 1948. Sipas raportit, forcat izraelite kanë kryer vrasje të anëtarëve të grupit palestinez, kanë krijuar kushte shkatërrimtare për mbijetesën e tyre dhe kanë ndërmarrë veprime për të penguar lindjet, përfshirë shkatërrimin e klinikës më të madhe të fertilitetit në Gaza. Komisioni thotë se deklaratat e udhëheqësve izraelitë tregojnë nxitje për kryerjen e gjenocidit.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Izraelit e ka cilësuar raportin si “të shtrembëruar dhe të rremë”, duke e akuzuar komisionin se shërben si “zëdhënës i Hamasit”. Izraeli këmbëngul se fushata ushtarake synon vetëm çmontimin e kapaciteteve të Hamasit, jo popullin palestinez, dhe se veprimet ushtarake zhvillohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Që prej sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë, forcat izraelite kanë zhvilluar një ofensivë të gjerë në Rripin e Gazës. Autoritetet shëndetësore të drejtuara nga Hamasi raportojnë se mbi 64 mijë persona janë vrarë në Gaza gjatë sulmeve ajrore dhe tokësore. Raporti paralajmëron se shtetet e tjera kanë detyrimin ligjor të parandalojnë dhe ndëshkojnë gjenocidin, përndryshe mund të konsiderohen bashkëpërgjegjëse. Izraeli e ka quajtur këtë proces “tërësisht të pabazë” dhe të ndërtuar mbi “pretendime të njëanshme”.
“GAZA PO DIGJET”, IZRAELI NË OFENSIVË TË RE
Pas një nate me bombardime të rënda mbi qytetin e Gazës, ministri i mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, deklaroi se ushtria izraelite ka hyrë në një fazë të re të ofensivës kundër territorit tashmë të shkatërruar, ku po strehohen qindra mijëra civilë. “Gaza po digjet”, tha Katz të martën në mëngjes, duke shtuar se “IDF po godet me grusht hekuri infrastrukturën terroriste”. Ai theksoi se “ushtarët po luftojnë heroikisht për të krijuar kushtet për lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit. Ne nuk do të tërhiqemi deri sa misioni të përfundojë”. Gjatë natës mes së hënës 15 dhe të martës 16 shtator, ushtria izraelite ka nisur një pushtim masiv të Gazës duke përdorur avionë, dronë, raketa dhe helikopterë.
“Ky operacion është vetëm fillimi”, thanë drejtuesit e lartë ushtarakë izraelitë. Tanket dhe trupat speciale kanë avancuar deri në qendër të qytetit, ku besohet se fshihen shumë nga pengjet.
Ndërkohë bilanci i viktimave është rritur në 62. Agjencia e lajmeve Wafa, duke cituar burime mjekësore, njoftoi se shumica e të vrarëve nga sulmet e nisura mbrëmjen e së hënës ndodheshin në qytetin e Gazës. Mes tyre janë edhe dy persona që humbën jetën në lagjen Nassr të qytetit, ndërsa po strehoheshin në një tendë. Intensifikimi i sulmeve izraelite erdhi menjëherë pas vizitës së sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio, i cili nga Tel Avivi deklaroi mbështetjen “e palëkundur” të administratës Trump për Izraelin. Para nisjes drejt Katarit, Rubio paralajmëroi se koha për një marrëveshje po mbaron. “Nuk kemi më muaj, ndoshta vetëm ditë apo javë”, tha ai.
Nga ana tjetër, Hamasi akuzoi administratën amerikane për “përgjegjësi të drejtpërdrejtë” në përshkallëzimin e konfliktit për shkak të “anshmërisë së hapur” ndaj Izraelit, duke paralajmëruar se ofensiva rrezikon jetën e ushtarëve izraelitë të mbajtur peng. Në Gaza ndodhen ende 48 pengje të rrëmbyer nga Hamas dhe grupet aleate më 7 tetor 2023. Besohet se vetëm 20 prej tyre janë ende gjallë. Familjet e pengjeve paralajmëruan një protestë të martën në mëngjes para rezidencës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Jerusalem, ndërsa policia ka mbyllur rrugën përreth.