Referenca nuk është vetëm për Davide Frattesi, i cili pëlqehet shumë nga Roma, por edhe Hakan Calhanoglu. Edhe dje janë shfaqur zëra të rinj për një largim të mundshëm të mesfushorit turk. Sipas “Sportmediaset”, një vit pas interesimit të fortë nga Bayern Munich, lojtari nuk duket më i paprekshëm.
E njëjta media raporton se Interi mund të tundohet nga një ofertë rreth 40 milionë euro, duke marrë parasysh kontratën e tij të vlefshme deri më 30 qershor 2027. Për Calhanoglu interesohen Newcastle në Premier League, disa klube të “Saudi Pro League”, si dhe sërish Bayern Munich.
Kush mund ta zëvendësojë turkun? Një opsion i parë, siç është raportuar nga “TuttoMercatoWeb”, është Samuele Ricci, i cili pëlqehet nga Interi, por vlerësimi i tij mbetet shumë i lartë dhe për momentin Milani është në avantazh për shërbimet e italianit të Torinos.
Në aspektin e së ardhmes, Interi ka siguruar tashmë Petar Sucic, i cili do të vijë në verë nga Dinamo Zagrebi. Mesfushori i lindur në vitin 2003, i aftë të luajë si “regjisor” përpara mbrojtjes apo si trekuartist, do të ketë nevojë për kohën e duhur për t’u zhvilluar.