Ujërat e kristalta, kripa në lëkurë, rrezet e diellit, puhizat e lehta, perëndimet e mahnitshme e gjithë peizazhet verore. Ishujt janë ata që në mendjen njerëzore përfaqësojnë më së miri fantazitë e pushimeve verore, e plazheve, e natyrës parajsë e qetësi
Stina e bukur ka hyrë tashmë plotësisht, e bashkë me të edhe ajo e pushimeve verore. Dhe në mendjen e kujtdo janë ujërat e kristalta, kripa në lëkurë, rrezet e diellit, puhizat e lehta, perëndimet e mahnitshme e gjithë peizazhet verore. Ishujt janë ata që në mendjen njerëzore përfaqësojnë më së miri fantazitë e pushimeve verore, e plazheve, e natyrës parajsë e qetësi. Toka është e pasur me mrekulli, e në të numërohen 456 mijë ishuj, ku shteti me më shumë ishuj është Suedia, që mban rekordin botëror me rreth 221.800 ishuj.
Ishulli më i madh është Groenlanda me rreth 2 mln km² sipërfaqe, ndërsa shteti ishullor më i madh është Indonezia, e cila përbëhet nga 17 mijë të tillë.

Shumë vende janë të pasura me ishuj, edhe në Italinë fqinje numërohen jo pak, por 800 të tillë, më i madhi ndër të cilët është Sicilia, tokë e diellit. Ndërsa Greqia, e famshme për numrin e ishujve mesdhetarë, numëron 6000, ndër të cilët 227 të banuar dhe mjaft të njohur botërisht për bukuritë e natyrës, ndër ata të Detit Egje, sikurse dhe ata të Detit Jon, me gjelbërim të pasur.
MAURITIUS. Mauritius është një tjetër mrekulli e natyrës Tokë, me ujëra oqeanike që krijojnë ujëvarën nënujore, një efekt optik që është i dallueshëm nga lart. Një ishull me skenar kartoline, me një faunë të egër, pyje të lashta e madhështore, tempull i biodiversitetit, gjendet në Oqeanin Indian rreth 800 km në lindje të Madagaskarit. Botanika është sovrane në këtë parajsë natyrore, të mbushur me bukuri të panumërta mes të gjelbrës e të kaltërs.
MALDIVE. Maldivet janë mjaft të njohura për peizazhe ekzotike, ujëra të kthjellëta e rërë të bardhë në 1200 ishujt që përbëjnë arkipelagun. Maldivet janë emblemë e parajsës tropikale, me një florë e faunë të jashtëzakonshme, me barriera koralore e laguna xixëlluese.
ZANZIBAR. E njohur ndryshe edhe si ishulli i erëzave, gjendet 35 km në lindje të bregdetit afrikan. Përbëhet nga 3 ishuj kryesorë, Unguja, Pemba dhe Mafia, ish-sulltanat e më pas koloni britanike, djep i kulturës Suahili. Me natyrë të pasur, ujëra në të gjitha nuancat blu, shtëpi e majmunëve të kuq dhe blu, trashëgimi e njerëzimit UNESCO.

BORA BORA. Ndër ishujt më të bukur në botë, Bora Bora në Polinezinë Franceze është padyshim në podium, në mes të Oqeanit Paqësor. I famshëm për lagunën e kaltër dhe panoramat si në përralla, rrethuar nga barriera koralore, me rërë të bardhë, hije palmash dhe zhytje fantastike për t’u prekur nga afër me kafshët detare, përfshirë peshkaqenët e ujërave të cekëta.
MAHÉ, SEYCHELLES. Seychelles gjithashtu është një ndër arkipelagët më spektakolarë në Oqeanin Indian, me Mahé që është ishulli kryesor. Rrethuar nga ujëra turquoise dhe natyrë të virgjër, këtu kombinohen plazhet parajsë, pyjet e dendura tropikale, shkëmbinj graniti të bardhë, e me një pasuri natyrore të jashtëzakonshme. Le Seychelles numërojnë një grumbull prej 100 ishujsh dhe janë të famshëm për një biodiversitet të pakrahasueshëm dhe specie të mbrojtura, siç është edhe breshka gjigande Aldabra. Mahé, me peizazhet me ngjyrat e panumërta, konsiderohet një ndër vendet më të bukura të të gjithë planetit, por edhe një ndër vendet ideale për të notuar e për të praktikuar sporte ujore e zhytje të gjata, për të admiruar thellësitë e oqeanit.
BALI, INDONEZIA. Bali në Indonezi është një ndër më të famshmit dhe destinacionet tipike për eksperienca të thella në natyrë, në një kulturë të lashtë, të qetë e shpirtërore aziatike, ndryshe nga gjithë kultura frenetike perëndimore. Në këtë ishull, plazhet, fushat e orizit të gjelbra, vullkanet, ujëvarat e tempujt antikë datojnë që prej 300 vjet p.e.s.
SARDEGNA. Mesdheu i ndritshëm është një djep ishujsh të bukur dhe një ndër rajonet më të çmuara në botë për klimën dhe bukuritë natyrore e kulturore. Ndër më të bukurit, i dyti për nga madhësia pas Sicilisë, në kontinentin tonë, është Sardegna, e famshme për ujërat e kthjellëta, plazhet me rërë shumë të hollë e të bardhë. Përveç ishullit kryesor, territori përfshin edhe arkipelagë të vegjël, me bukuri e mrekulli të panumërta. Ndër më të famshmit është ai i Maddalenës, në verilindje, dhe përfshin ishujt ikonikë Maddalena, Caprera dhe Budelli, i famshëm kryesisht për Plazhin Rozë. Edhe ishulli Asinara është një parajsë e vërtetë natyrore dhe park kombëtar, i famshëm edhe për kafshën tipike nga ka marrë emrin, gomarin e bardhë.

SANTORINI. Santorini, ose Thira, xhevahiri i Cikladeve, fsheh disa nga faktet dhe historitë më magjepsëse në Mesdhe. Forma gjysmëhënë e ishullit është rezultat i shpërthimit gjigant Minoan rreth vitit 1600 p.e.s., një nga më të mëdhenjtë në historinë e Tokës, që krijoi kalderën e famshme. Mendohet se kataklizma e lartpërmendur dhe qytetërimi i zhdukur i Akrotirit frymëzuan legjendën e Platonit për qytetin e humbur të Atlantidës. Dikur Santorini quhej “Më e Bukura”. Në antikitet ishulli njihej si Calliste (që do të thotë “më e bukura”), ndërsa emri i tij aktual vjen nga kisha e Shën Irinit (Santa Irene) gjatë periudhës veneciane.
Shtëpitë nuk ishin gjithmonë të bardha: Dikur, arkitektura tradicionale përfshinte ngjyra të tjera si të kuqe, bordo dhe të verdhë. Ngjyrosja e bardhë dhe blu e shtëpive nisi më vonë për arsye higjiene (përdorimi i gëlqeres). Është një nga rajonet më të vjetra të verës në botë. Për shkak të erërave të forta, hardhitë nuk rriten lart, por mbështillen në formë shporte (kouloura) direkt në tokën vullkanike për të përthithur lagështirën. Santorini është i njohur mbi të gjitha për panoramat magjepsëse dhe perëndimet e diellit.




