Një zhvillim historik pritet të shënojë kthesën më të madhe në konfliktin izraelito-palestinez pas dekadash dhune dhe gjakderdhjeje. Izraeli dhe grupi Hamas kanë njoftuar se kanë arritur marrëveshjen e parë të një plani paqeje, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende arabe.
Lajmin e bëri publik vetë Presidenti amerikan Donald Trump, i cili deklaroi se të dy palët kanë firmosur “Fazën e Parë të Planit të Paqes”, e cila parashikon lirimin e të gjithë pengjeve dhe tërheqjen graduale të trupave izraelite nga Gaza, drejt një vije të dakorduar ndërkombëtarisht.
“Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamas kanë rënë dakord për fazën e parë të planit tonë të paqes. Të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij. Kjo është një ditë e madhe për botën arabe, Izraelin dhe SHBA-të. Bekuar qofshin paqebërësit,” – shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social.
Sipas mediave izraelite, marrëveshja do të nënshkruhet zyrtarisht të enjten në mesditë, ndërsa lirimi i pengjeve dhe i të burgosurve palestinezë do të ndodhë ditën e shtunë, në prani të ndërmjetësve ndërkombëtarë nga Katar, Egjipti dhe Turqia.
Edhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi lajmin duke thënë se “me ndihmën e Zotit do t’i sjellim të gjithë pengjet në shtëpi”, ndërsa zyrtarë të Hamasit njoftuan se “lista e pengjeve dhe e të burgosurve që do të shkëmbehen është dorëzuar tashmë”.
Burime diplomatike bëjnë me dije se marrëveshja është rezultat i negociatave të gjata dhe sekrete që kanë zgjatur disa javë, me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të zyrtarëve amerikanë dhe arabë.
Megjithatë, pavarësisht optimizmit, sfidat mbeten të mëdha. Çështje si demilitarizimi i Hamasit, administrimi i ardhshëm i Rripit të Gazës dhe garantimi i sigurisë për Izraelin mbeten për t’u negociuar në fazat e ardhshme të planit të paqes.
Kjo marrëveshje, nëse zbatohet me sukses, mund të shënojë fundin e një konflikti të përgjakshëm që ka marrë mijëra jetë njerëzish dhe ka lënë miliona civilë në mjerim për dekada me radhë.
Diplomatët ndërkombëtarë e kanë cilësuar si “moment historik për Lindjen e Mesme” dhe një mundësi e rrallë për t’i dhënë fund një lufte që ka tronditur botën.