E enjte, 9 Tetor, 2025
18.8 C
Skopje

Komisioni i OKB-së: Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza, përgjegjës edhe Netanyahu

Një komision hetues i Kombeve të Bashkuara të martën konkludoi se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza dhe se zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, i kishin nxitur këto akte.

Hetimi përmend shembuj të shkallës së vrasjeve, bllokadave të ndihmave, zhvendosjes së detyruar dhe shkatërrimit të një klinike fertiliteti për ta mbështetur konkluzionin se është kryer gjenocid, duke u bashkuar me grupe për të drejtat e njeriut që kanë arritur në përfundimin e njëjtë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Gjenocidi është duke ndodhur në Gaza” – tha Navy Pillay, drejtoreshë e Komisionit të Hetimit në Territorin e Pushtuar Palestinez dhe ish-gjykatëse e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

“Përgjegjësia për këto krime mizorie bie mbi autoritetet izraelite në rangjet më të larta, të cilat kanë orkestruar një fushatë gjenocidale për tashmë gati dy vjet me qëllimin specifik që të shkatërrohet grupi palestinez në Gaza”- shtoi ajo.

Izraeli ka refuzuar që të bashkëpunojë me këtë komision. Misioni diplomatik i Izraelit në Gjenevë e akuzon komisionin se ka agjendë politike kundër Izraelit.

Analiza ligjore me 72 faqe e komisionit hetues është e gjetura më e fuqishme e OKB-së deri më tani, por ky organ është i pavarur dhe nuk flet zyrtarisht në emër të Kombeve të Bashkuara. OKB-ja ende nuk e ka përdorur termin gjenocid, por është nën presion në rritje për ta bërë këtë.

Izraeli është duke luftuar me një rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ku gjithashtu akuzohet për gjenocid. Ky shtet i ka hedhur poshtë akuzat e tilla, duke e përmendur të drejtën për vetëmbrojtjes pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor 2023.

Konventa e Gjenocidit e OKB-së e vitit 1948, e miratuar pas vrasjes masive të hebrenjve nga Gjermania naziste, gjenocidin e përshkruan si krim të kryer “me synimin për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si të tillë”. Për t’u llogaritur si gjenocid, duhet të ndodhë të paktën njëri nga këto akte.

Komisioni i OKB-së vlerësoi se Izraeli ka kryer katër prej tyre: vrasje, shkaktim të lëndimit trupor ose mendor, shkaktim të qëllimshëm të kushteve të jetës që llogaritura se do ta sjellin shkatërrimin e palestinezëve pjesërisht ose plotësisht dhe vendosjen e masave që e kanë për qëllim parandalimin e lindjeve.

Si dëshmi, komisioni përmendi intervista me viktima, dëshmitarë, mjekë, dokumente të vërtetuara me burime të hapura dhe analiza të pamjeve satelitore që janë grumbulluar që nga fillimi i luftës.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm