E shtunë, 10 Maj, 2025
14.8 C
Skopje

Kritere plus për emërimin e drejtorëve në kulturë

Nëse Ligji kufizohej vetëm me posedimin e njohurive në gjuhën angleze, me ndryshimet e reja përfshihen edhe gjuhët e tjera të Bashkimit Evropian, si gjermanishtja apo frëngjishtja. Në seancën e së premtes janë shtuar edhe amendamente të tjera, ku mungesa e një certifikate mund të zëvendësohet me një komision që do të verifikonte nivelin e zotërimit të gjuhës së huaj të kandidatit për drejtor

Evis HALILI

Shkup, 9 maj – Komisioni parlamentar i kulturës dhe turizmit është duke shqyrtuar propozimet për ndryshimin e Ligjit të kulturës, sa i takon kritereve për emërimin e drejtorëve në institucionet nacionale. Nëse Ligji kufizohej vetëm me posedimin e njohurive në gjuhën angleze, me ndryshimet e reja përfshihen edhe gjuhët e tjera të Bashkimit Evropian, si gjermanishtja apo frëngjishtja. Në seancën e së premtes janë shtuar edhe amendamente të tjera, që synojnë të krijojnë një mekanizëm shtesë për verifikimin e aftësive të gjuhëve të huaja midis kandidatëve për drejtorë të institucioneve kulturore kombëtare, konkretisht një komision ekspertësh që do të vlerësojnë njohuritë gjuhësore të kandidatëve për drejtorë. Në nenin 1, shtohet paragrafi “Për nivelin e arritur të njohurive të një gjuhe të huaj midis të gjithë kandidatëve të regjistruar që nuk posedojnë asnjë nga certifikatat ndërkombëtare të listuara në këtë pikë, Ministria e Kulturës formon një komision të përbërë nga të paktën tre profesorë të gjuhës përkatëse nga një institucion i akredituar i arsimit të lartë, i cili kryen një kontroll të njohurive të gjuhës së huaj përkatëse.”

“ Duke qenë se ndryshimet e propozuara zgjerojnë listën e certifikatave të pranueshme të zotërimit të gjuhëve të huaja, duke përfshirë certifikatat nga institucionet e regjistruara si ofrues të këtyre shërbimeve në vend, është e nevojshme të sigurohet një standard i unifikuar dhe objektiv për vlerësimin e kompetencës gjuhësore. Formimi i një komisioni ekspertësh për të kontrolluar njohuritë e gjuhës së huaj do të ofrojë një garanci shtesë për cilësinë dhe besueshmërinë e aftësive gjuhësore të paraqitura,  në rastet kur kandidatët nuk posedojnë asnjë nga certifikatat e njohura ndërkombëtarisht”, thuhet në amendament. Propozimi vjen për të ruajtur nivelin e kompetencës gjuhësore të drejtorëve të institucioneve kulturore, pasi ulja drastike e rezultateve të TOEFL IBT nga 74 në 30 dhe e IELTS nga 6 në 3 nuk është në përputhje me Kornizën e Përbashkët Evropiane të Referencës për Gjuhët dhe nivelin B2 të përmendur në të njëjtin artikull. Certifikata KET korrespondon me nivelin A2 sipas Kornizës Evropiane, i cili është dukshëm më i ulët se B2 dhe nuk është i përshtatshëm për pozicione drejtuese në institucione me bashkëpunim dhe përfaqësim ndërkombëtar.

Amendamenti i propozuar synon të sigurojë një periudhë të përshtatshme kalimtare për zbatimin e kritereve të ndryshuara për zotësinë e gjuhëve të huaja midis drejtorëve të institucioneve kombëtare. Kjo u lejon institucioneve dhe kandidatëve potencialë të përgatiten në mënyrë të përshtatshme për zbatimin e kritereve të reja. Detyrimi  i propozuar për të analizuar efektet e zbatimit të ligjit është në përputhje me Metodologjinë për Vlerësimin e Ndikimit Rregullator dhe ofron një mekanizëm për monitorimin e rezultateve dhe nevojën e mundshme për korrigjime shtesë nëse përcaktohet se ndryshimet nuk prodhojnë efektet e pritura në praktikë.

Ligji për Kulturën me nenin 29 rregullon kushtet e përgjithshme dhe mënyrën e emërimit të drejtorëve.  Kështu, një nga kërkesat për emërimin e një drejtori të një institucioni kombëtar në fushën e kulturës është posedimi i një certifikate të njohur ndërkombëtarisht të aftësisë në gjuhën angleze, me certifikatat si TOEFL IBT (të paktën 74 pikë), IELTS (të paktën 6 pikë), ILEC (të paktën niveli B2 (B2), FCE (Cambridge English: First) – i kaluar ose BULATS – të paktën 60 pikë dhe APTIS – të paktën niveli B2 (B2).

(koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm