Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Kurti priti Rutten në kryeministri, me vizitën e parë të tij në Kosovë si sekretar i NATO-s, shkruan IndeksOnline.
Pas takimit, Kurti deklaroi se gjatë bashkëbisedimit u vlerësua bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe u rikonfirmua angazhimi për siguri rajonale dhe evropiane.
“Theksova gjithashtu progresin e rëndësishëm demokratik të Kosovës. Megjithatë, si shumë vende evropiane, ne kemi qenë në shënjestër të ndërhyrjeve në zgjedhje, në rastin tonë, nga Serbia me ndihmën ruse, një mjet i përhapur që përbën një kërcënim kritik për demokracinë në epokën aktuale”, shkroi Kurti në X.
Ky është postimi i plotë i tij:
“Kënaqësi të mirëpres sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që vjen në Prishtinë në vizitën e tij e parë në rolin e tij aktual në krye të Aleancës. Ne vlerësojmë bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe rikonfirmojmë angazhimin tonë për sigurinë rajonale dhe evropiane. Theksova gjithashtu progresin e rëndësishëm demokratik të Kosovës. Megjithatë, si shumë vende evropiane, ne kemi qenë në shënjestër të ndërhyrjeve në zgjedhje, në rastin tonë, nga Serbia me ndihmën ruse, një mjet i përhapur që përbën një kërcënim kritik për demokracinë në epokën aktuale” ka shkruar Kryeministri Albin Kurti
Kujtojmë se para se të takohej me Kurtin, Rutte u prit në një takim nga presidentja Vjosa Osmani.