Kushtetutë selektive dhe e selektuar

Nga Nikica KORUBIN

Kushtetuta është themeli i çdo sistemi juridik, baza mbi të cilën qëndron shteti. Ajo është “ligji themelor” për çdo qytetar, dhe veçanërisht për ata që, mbi bazën e saj, janë zgjedhur dhe emëruar të “qeverisin” sipas postulateve të saj. Në të gjenden të gjitha rregullat dhe e gjithë drejtësia. Dhe ajo është e barabartë për të gjithë, sepse është pasqyrim i ekzistencës së brendshme dhe ndërkombëtare të shtetit. Atëherë pse “beteja” për të është selektive? Dhe zbatimi i saj i selektuar – nxirret ajo që është e përshtatshme dhe injorohet ajo që është e papëlqyeshme?

Me kaq shumë përmendje të kushtetutës dhe sidomos me “ashpërsinë” për “mosndryshimin” e saj, është e çuditshme se si i qaset në mënyrë selektive ruajtjes së Kushtetutës ekzistuese me të gjitha dispozitat e saj. Përfshirë edhe nenet që burojnë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Ose veçanërisht ato. Pra, kur Kushtetuta “mbrohej” nga “futja e bullgarëve” apo kur “mbrohej” nga përfshirja e Marrëveshjes së Prespës (Marrëveshjes së Përkohshme), ajo “mbrohej dhe mbrohet” bashkë me Marrëveshjen e Ohrit brenda saj.

Atëherë pse mungon mbështetja masive mediatike për të drejtat e përdorimit të gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në shtet në tërësi (përveç në politikën e jashtme), në të gjitha situatat, përfshirë edhe “zbatimin selektiv” më të ri të kushtetutës lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës? Dhe po aq e rëndësishme, pse mungon plotësisht mbrojtja e zbatimit të kushtetutës nga ana e “elitës” politike maqedonase? A është kushtetuta një, apo ka “kushtetutë për maqedonasit” dhe një kushtetutë të selektuar “për shqiptarët”?

Dhe pikërisht kjo mungesë pothuajse e plotë e referimit zyrtar politik ndaj moszbatimit të dispozitave kushtetuese që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe – e cila është përcaktues identitar për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve – në kushte të bllokimit të tërë shtetit për shkak të një “rrezikimi identitar” të pretenduar të maqedonasve, tregon keqpërdorimin e dyfishtë (si në nivel partiak/politik, ashtu edhe në nivel qytetar) të kushtetutës dhe një neglizhencë faktike ndaj saj.

Nëse Kushtetuta është “e shenjtë”, atëherë ajo është “e shenjtë” me të gjitha dispozitat që përmban; atëherë për ne është “i shenjtë” edhe emri kushtetues, për ne është “i shenjtë” edhe e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe; për ne janë “të shenjta” edhe të drejtat e të gjithë qytetarëve që burojnë prej saj. Atëherë ku është ai kujdes, ku janë kumtesat partiake, ku janë analizat e mediave, ku janë qëndrimet politike për moszbatimin e Kushtetutës në raport me të drejtën e përdorimit të gjuhës së dytë zyrtare? Ku janë maqedonasit për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, ndërkohë që vazhdimisht vajtojnë për të drejtat e tyre? Ku janë për ta mbrojtur Kushtetutën?

Sepse, nëse nenet kushtetuese që burojnë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit trajtohen si “problem” dhe jo si “arritje”, me një tendencë të qartë e të rrezikshme për relativizimin dhe pezullimin e tyre, atëherë del se “rreziku më i madh për Kushtetutën” si themel i rendit juridik të shtetit nuk janë as “hyrja e bullgarëve”, as “gjuha e shqiptarëve” – por refuzimi i maqedonasve për ta respektuar dhe zbatuar Kushtetutën e tyre. Përkatësisht, “të zgjedhurit dhe të emëruarit” maqedonas, pikërisht në përputhje me atë Kushtetutë.

Duke imponuar edhe një herë, në vargun e shumë përpjekjeve gjatë 35 viteve të pavarësisë, një tentativë për supremaci etnike (politike) – se maqedonasit janë ata që i japin të drejtat, e jo Kushtetuta; maqedonasit janë ata që vendosin për ndryshimin e kushtetutës, e jo marrëveshjet ndërkombëtare dhe qytetarët – në kundërshtim me Kushtetutën dhe frymën e shoqërisë, në dëm absolut të të gjithë qytetarëve dhe edhe të vetë maqedonasve etnikë.

Pa e kuptuar se mbrojtja e të drejtës së shqiptarëve për ta përdorur gjuhën e dytë zyrtare në shtet, gjuhën e tyre amtare, është mbrojtje e Kushtetutës dhe duhet të jetë detyrim i të gjitha institucioneve dhe i të gjithë funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar. Heshtja dhe bashkëfajësia janë de-fakto “shkelje” e Kushtetutës. Ndërsa shkelja e Kushtetutës mbi një bazë, ia heq legjitimitetin “mbrojtjes” së Kushtetutës mbi një bazë tjetër.

Nuk ka “Kushtetutë për maqedonasit” dhe “Kushtetutë për shqiptarët” apo “Kushtetutë për të gjithë të tjerët”. Ka Kushtetutë të shtetit, emri i të cilit është Republika e Maqedonisë së Veriut, në të cilën janë përfshirë (ose do të përfshihen) të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që e ndërtojnë dhe stabilizojnë shtetin në marrëdhënie komplekse gjeopolitike dhe e ndihmojnë mbijetesën dhe funksionalitetin e tij. Për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe të secilit prej nesh. Kushtetuta është një, dhe respekti ndaj saj dhe zbatimi i saj janë një. Në tërësi. Të drejtat e shqiptarëve janë detyrim edhe i maqedonasve. Sepse janë të drejta të qytetarëve, me përcaktim të qartë etnik. Kush është rojtar i Kushtetutës në tërësi është rojtar edhe i shtetit tonë. Jo-selektiv dhe jo-i selektuar.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm