Nga një perspektivë më e gjerë, ky fenomen pasqyron një tension të vazhdueshëm midis ndërgjegjes morale dhe interesit institucional. Kur individi gjendet përballë këtij konflikti, shpesh ndodh racionalizimi i mosreagimit përmes justifikimeve të tilla si neutraliteti profesional apo kujdesi institucional, duke zbehur funksionin kritik të ndërgjegjes publike
Nga Muharem XHEZAIRI
Në hapësirën publike profesionale dhe akademike vërehet një fenomen që meriton një trajtesë më të thelluar: Ditëve të kaluara erdhi në shprehje një indiferentizëm i një pjese të elitës politike si dhe i një segmenti të intelektualëve dhe akademikëve karshi zërit të Lëvizjes Studentore për çështje që prekin indin kombëtar në Maqedoninë e Veriut. Ky indiferentizëm dhe kjo heshtje, nuk mund të reduktohet në interpretim thjesht politik, por kërkon një qasje ndërdisiplinare psikologjike dhe sociologjike, pasi lidhet me mënyrën se si ndërgjegjja funksionon në raport me pushtetin, interesin institucional, të drejtën dhe përgjegjësinë publike.
Në psikologjinë sociale, ndërgjegjja konceptualizohet si një strukturë e brendshme rregulluese që integron komponentë njohës, emocionalë dhe normativë, duke orientuar individin drejt vlerësimit moral të sjelljes së tij dhe të tjerëve. Megjithatë, kjo strukturë nuk funksionon në mënyrë autonome; ajo ndikohet fuqishëm nga konteksti social, institucional dhe politik. Në kushte varësie institucionale, presioni hierarkik dhe pasiguria profesionale, funksioni kritik i ndërgjegjes mund të dobësohet dhe të zëvendësohet nga mekanizma adaptues të vetëruajtjes.
Një nga shpjegimet qendrore për heshtjen e elitave lidhet me fenomenin e konformizmit social dhe ruajtjen e status quo-së. Individët që operojnë brenda strukturave të pushtetit ose që varen prej tyre, priren të shmangin qëndrimet kritike, veçanërisht kur këto të fundit mund të prodhojnë kosto institucionale apo personale. Në këtë kuptim, heshtja nuk është domosdoshmërisht mungesë vetëdijeje, por shpesh një strategji psikologjike e përshtatjes ndaj rrethanave mbizotëruese.
Në këtë kuadër, Lëvizja Studentore që artikulon kërkesa për respektimin e të drejtave kushtetuese, ligjore dhe gjuhësore, duhet të kuptohet si shprehje e një dinamike normale demokratike dhe si tregues i vitalitetit qytetar. Megjithatë, në praktikë, këto lëvizje shpesh përceptohen nga elitat si faktor destabilizues i rendit ekzistues, çka aktivizon mekanizma mbrojtës psikologjikë të shmangies dhe distancimit.
Një dimension tjetër shpjegues ofrohet nga teoria e “efektit të spektatorit” në psikologjinë sociale, sipas së cilës përgjegjësia individuale reduktohet kur ajo shpërndahet në një grup më të gjerë aktorësh. Në këto rrethana, pritshmëria që “dikush tjetër do të reagojë” çon në pasivizim kolektiv dhe në normalizimin e heshtjes si sjellje shoqërore.
Nga një perspektivë më e gjerë, ky fenomen pasqyron një tension të vazhdueshëm midis ndërgjegjes morale dhe interesit institucional. Kur individi gjendet përballë këtij konflikti, shpesh ndodh racionalizimi i mosreagimit përmes justifikimeve të tilla si neutraliteti profesional apo kujdesi institucional, duke zbehur funksionin kritik të ndërgjegjes publike.
Në këtë optikë, mospërkrahja e lëvizjes studentore dhe heshtja e një pjese të elitës intelektuale dhe akademike nuk mund të interpretohen vetëm si qëndrime politike. Ato përfaqësojnë një simptomë të një gjendjeje më të gjerë strukturore dhe psikologjike, ku ndërgjegjja, konformizmi dhe interesi personal ndërveprojnë në mënyrë komplekse, duke ndikuar në cilësinë e debatit publik dhe në funksionimin e përgjegjësisë intelektuale, pse jo edhe kombëtare, në shoqëri. (koha.mk)




