Duket si një spin tipik politik, jo një lëvizje që vërtet dëshiron të kufizojë korrupsionin. Korrupsioni politik është gjithmonë i lidhur me pushtetin politik dhe në një sistem qeverisjeje parlamentare, kabineti i kryeministrit është një nga qendrat më të forta të pushtetit, thonë analistët
Xhenur ISENI
Shkup, 30 gusht – Pasi kryeministri i Maqedonisë, Hristijan Mikoski deklaroi se koha e kriminelëve në politikë ka përfunduar dhe paralajmëroi se në kabinetin e tij do të hapet një linjë ku qytetarët mund të raportojnë “sjellje devijante të administratorëve dhe politikanëve”, por çfarë mendojnë analistët vendor e rajonal për një paralajmërim të tillë dhe nëse do të ishte praktike që liderët nga rajoni të ndërmerrnin një hap të tillë.
Politologu Bllagojçe Atanasoski këtë paralajmërim të Mickoskit e konsideron si spin, sa për t’i hedhur erë e mjegull opinionit.
“Për të pasur një luftë reale kundër korrupsionit, institucionet e sistemit duhet të funksionojnë të pavarura. Domethënë të ketë organe të pavarura, të përbëra nga profesionistë që do ta kryejnë punën e tyre në përputhje me ligjin dhe kushtetutën. Së paku, ato institucione mund dhe duhet të ndjekin penalisht korrupsionin e nivelit të lartë edhe në qeveri. Si do të luftojë një kryeministër apo një ministër i qeverisë kundër korrupsionit të mundshëm, kur ai vetë hipotetikisht i përket. A duhet të presim që një shofer në NQP apo një higjenist në një shkollë fillore, me gjithë respektin e duhur për të gjithë punonjësit, veçanërisht ata që e fitojnë rrogën e tyre me ndershmëri, do të ishte më i korruptuar se një ministër transporti dhe lidhjesh apo një drejtor doganash? Pyetja është e neveritshme. Derisa të krijohen organe efikase dhe të pavarura për të luftuar korrupsionin, gjithçka tjetër po hedh pluhur në sytë e publikut dhe po mbjell erë dhe mjegull”, ka deklaruar për KOHA, Bllagojçe Atanaskoski, politolog.
Davor Xhenero, një analist politik nga Kroacia, beson se koncepti i luftës së supozuar të kryeministrit Mickoski kundër korrupsionit, duke hapur një telefon kontakti në kabinetin e tij, duket se ka dështuar. “Duket si një spin tipik politik, jo një lëvizje që vërtet dëshiron të kufizojë korrupsionin”, thekson ai. Siç shpjegon ai, korrupsioni politik është gjithmonë i lidhur me pushtetin politik dhe në një sistem qeverisjeje parlamentare, kabineti i kryeministrit është një nga qendrat më të forta të pushtetit. “Bartësit e pushtetit nuk do të kufizohen dhe nuk duhet pritur që qytetarët të kenë besim në një kanal të tillë paralajmërimi për korrupsion, apo të ndodhë diçka realisht nga zyra e kryeministrit, me iniciativën e qytetarëve, e cila do të kufizonte korrupsionin”, thekson Xhenero.
Xhenero kujton se Maqedonia është e ndarë në dy blloqe të mëdha politike, të cilët janë në pushtet në mënyrë alternative në koalicion me partitë politike shqiptare dhe Mickoski, partia e të cilit në mandatin e kaluar ishte jashtëzakonisht antievropiane dhe e zhytur në korrupsion, së fundi mori mandatin. “Është e qartë se ai po mbështet në faktin që mbështetësit e tij mund të përdorin këtë kanal për të raportuar korrupsionin ose korrupsionin e pretenduar të bllokut kundërshtar socialist dhe pro-evropian, kështu që ky mund të jetë mjeti i tij anti-konkurrues,” shtoi Xhenero.
Amina Çorbo, redaktore e agjencisë së lajmeve Patria nga Bosnja dhe Hercegovina, thotë se linja të tilla janë zgjidhje të mira vetëm nëse aplikimet trajtohen seriozisht. “Nga ana tjetër, duhet të ketë ekspertë jopartiakë, të cilët do të përgjigjen në mënyrë të paanshme për çdo raport, dhe nuk do të reagojnë për raporte të caktuara, sepse u shkon për shtat politikisht. Fatkeqësisht, ne në BeH jemi përballur me politikanë që nuk donin të pranonin propozimin për të kryer psiko-testim përpara se të emëroheshin në një pozicion”, thotë Çorbo.
Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm, është i befasuar që Maqedonia është e para që ka futur linjën, e cila, thekson ai, është nën VMRO-DPMNE-në konservatore. Në Skandinavi, thotë Popov, do të pritej që të futej një linjë e tillë, por në rajonin tonë, edhe në Kroaci, që është anëtare e Bashkimit Evropian (BE), jo. “Tek ne mund të hapej një linjë e tillë, por përkundrazi – rrallë do të funksiononte dhe do të shërbente për të lavdëruar ndonjë sjellje korrekte të politikanëve tanë. Nëse hapet, njerëzit do të humbasin vullnetin për të telefonuar”. (koha.mk)




