Shkup, 26 dhjetor – Çështja e ndryshimeve kushtetuese u diskutua në seancën e sotme për pyetje deputetësh. Deputeti Goran Misovski kërkoi sqarim nga ana e ministrit për Eurointegrime, Orhan Murtezani se a do të tërhiqet VLEN nga qeveria, pasi është plotësuar afati gjashtëmujor që përfaqësues të VLEN-it disa herë e kanë thënë se është kusht për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Arben Taravari thoshte se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin në muajt dhjetor-janar, Izet Mexhiti thoshte në dhjetor, kurse ju ishit optimist edhe më i madh se dy të tjerët dhe thoshit ose në dhjetor do të miratohen ndryshimet kushtetuese, ose do të dalim nga Qeveria. Meqë jemi në ditët e fundit të dhjetorit dhe është e qartë se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, a do të tërhiqet VLEN-i nga Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, a luajtët me ndjenjat e shqiptarëve me ato deklarata. A do të keni guxim të respektoni atë që u a keni premtuar qytetarëve tuaj?”, pyeti Misovski.
Ministri Murtezani ndërkohë mohoi të ketë thënë që nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, VLEN do të del nga Qeveria.
“Këtë Qeveri kur e kemi komponuar, nuk e kemi komponuar me një këmbë brenda e me një këmbë jashtë, duke e kërcënuar partnerin tonë se nëse nuk bëhet kjo apo nuk bëhet ajo, kjo është pjesë e së kaluarës e cila tani më është pas nesh”, u përgjigj Murtezani duke thënë se Qeveria aktuale nuk është fajtore për bllokimin e procesit eurointegrues.
Murtezani më tej tha se nuk dëshiron të flasë për afate, por u shpreh se kjo shumicë dhe kjo Qeveri po punon në gjetjet e një zgjidhje të përshtatshme.
“Që Qeveria po punon intensivisht në gjetjen e zgjidhjes, këtë e kanë dëshmuar të gjithë parnerët tanë ndërkombëtarë, vizitat më të larta që nga presidentja Ursula Von der Layen deri te përfaqësuesit më të lartë amerikan të cilët kanë thënë se qeveria e RMV-së nuk është vetëm deklarative, por ndërmerr hapa serioze”, u shpreh më tej në përgjigjen e tij ministri Murtezani. Ai tha se nuk është me rëndësi nëse do të zhvendoset afati i koalicionit VLEN, por me rëndësi është gjetja e një zgjidhje që do të garantojë përfundimin e procesit. (koha.mk)




