Ndërsa Qeveria e Hristijan Mickoskit thekson përparimin e reformave dhe angazhimin për Agjendën Reformuese, opozita dhe analistët paralajmërojnë se vendi mbetet peng i një narrative të bllokuar, ku “propozimi francez” shërben si alibi për të mos kaluar në zbatimin real të Kornizës Negociuese me Bashkimin Evropian. Sipas ekspertëve, kjo gjendje krijon kontradikta të dukshme mes qëndrimeve zyrtare të BE-së dhe deklaratave të politikës vendore
Ersan PAJAZITI
Shkup, 6 shkurt – Dy këndvështrime tejet të kundërta në lidhje me atë se ku po shkon vendi. Përderisa pushteti vlerëson se Maqedonia e Veriut është shteti i cili po zbaton me ritëm më të shpejtë reformat se çdo vend tjetër kandidat për integrim në BE, opozita akuzon qeverinë për mos-zbatim të reformave, ngecje të procesit euro-integrues dhe izolim. Disa herë në konferenca të ndryshme kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka thënë se qeveria po e shtyn vendin drejt izolimit dhe ndikimeve të huaja autoritare, duke përmendur me theks të veçantë ndikimin e kryeministrit hungarez Viktor Orban dhe presidentit serb Aleaksandar Vuçiç.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë një breefingu me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që janë rezidentë në vend, deklaroi se qeveria do të nisë një cikël takimesh dhe informimesh periodike për të prezantuar përparimin e aktiviteteve të saj në kuadër të Agjendës së Reformave. Mickoski theksoi se disa nga reformat janë duke u realizuar, ndërsa të tjera nuk mund të përfundohen për arsye objektive, dhe për këtë janë informuar partnerët ndërkombëtarë. Ai sqaroi se pas zgjedhjeve lokale dhe pauzës së shkurtër të shkaktuar nga mosfunksionimi i plotë i institucioneve, nga nëntori i vitit të kaluar është intensifikuar puna për implementimin e hapave të Agjendës së Reformave. “Ne nuk duam të jemi qeveri që premton një gjë para partnerëve ndërkombëtarë dhe vepron ndryshe pas perdeve. Çfarë mund të realizojmë, do të realizojmë; çfarë nuk mund të realizojmë, do të japim argumentet tona”, deklaroi Mickoski.
Ai gjithashtu njoftoi se nuk do të ketë zgjedhje këtë vit, pasi fokus i qeverisë mbetet zbatimi i reformave dhe vendosja e rendit në vend, duke përfshirë projekte si “Qyteti i Sigurt”, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe ligje të reja për shëndetin dhe turizmin. “Ky vit është i dedikuar për një agjendë reformuese ambicioze. Pas përfundimit të detyrave tona të brendshme, rrjedh çdo vendim mbi integrimin evropian është në duart e vendeve anëtare të BE-së”, shtoi ai.
Megjithatë, ajo që dihet është se kushti kryesor dhe i vetëm për nisur bisedimet me BE-në është miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Në lidhje me këtë temë, javën e kaluar kryeministri ishte decid, ku në foltore të Parlamentit tha se deri sa ai të jetë kryeministër, ndryshime kushtetuese nuk do të ketë, nëse BE nuk plotëson kërkesat e Shkupit.
I pyetur se a po dështon vendi në procesin euro-integrues, meqë edhe kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk do të miratojë ndryshimet kushtetuese, zv/kryeministri i parë dhe ministri i çështjeve evropiane, Bekim Sali, tha se edhe nga partneri VMRO-DPMNE ka vullnet për ndryshimet kushtetuese, por ka nevojë për sqarim dhe garanci shtesë për përfundim të kushtëzimeve ndaj vendit për integrim në BE. Edhe Sali tha se vendin e pret një periudhë intensive në miratimin dhe zbatimin e agjendës reformuese. “Përkrahja është maksimale nga të gjitha institucionet e BE për integrimin tonë të plotë në BE dhe ne si ministri e çështjeve evropiane po punojmë intensivisht në agjendën reformuese, e cila është parimisht në interes të qytetarëve. Çdo ndryshim i ligjit është në interes të qytetarëve dhe në mënyrë intensive tani jemi duke u koordinuar dhe në bashkëpunim me të gjitha institucionet të cilat janë të lidhura me ligjet që ne i kemi pranuar gjatrë marrëveshjeve që i kemi nënshkruar më herët me Komisionin Evropian”, është shprehur Sali.
Analistët vlerësojnë se çështja e integrimit evropian po vonohet qëllimshëm nga ana e faktorit politik në Maqedoninë e Veriut, për faktin se korniza negociuese veç më dihet, por e njëjta nuk po zbatohet. Profesori Murat Aliu vlerëson se miratimi i ndryshimeve kushtetuese janë esenciale për vazhdimin e procesit euro-integrues. Ai vlerëson se miratimi i këtyre ndryshimeve jo që nuk e cenon identitetin apo kauzën kombëtare maqedonase, por e ndihmon. Aliu më tej vlerëson se vendi nuk ka “takat” politik për të imponuar Bashkimit Evropian ndryshime të kushteve për nisjen e negociatave, prandaj narrativën e kryeministrit për kushtëzime ndaj BE-së, Aliu e vlerëson si të palogjikshme. “Partia VMRO-DPME dhe kryeministri Mickovski nuk janë të interesuar për zgjidhjen e këtij problemi dhe vendosja e kushteve duket paksa absurde dhe e palogjikshme, por është një lloj alibi atë për ta prolonguar dhe mos i bërë këto lloj ndryshimesh. Pse është absurde? Është absurde për faktin e thjeshtë që Maqedonia nuk është në pozitë, nuk e ka peshën qoftë ekonomike, qoftë politike, qoftë ushtarake, por edhe gjeopolitike për t’i vendosur kushte Bashkimit Evropian dhe Bullgarisë”, vlerëson profesori universitar, Murat Aliu.
Ish-deputetja dhe analistja politike, Nikica Korubin, nga ana tjetër vlerëson se elita politike në Maqedoninë e Veriut qëllimisht e mban vendin të bllokuar në narrativën e “propozimit francez”, duke refuzuar të kalojë në fazën reale të zbatimit të Kornizës Negociuese me Bashkimin Evropian. Sipas Korubinit, përmes manipulimit me terminologjinë dhe insistimit të vazhdueshëm në “propozimin francez”, krijohet perceptimi i rremë se vendi ende ndodhet në vitin 2022, para miratimit të Kornizës Negociuese, edhe pse ajo është miratuar njëzëri nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. “A mos vallë ‘elita jonë politike’ në të vërtetë nuk mundet (ose nuk dëshiron) të dalë nga faza e ‘propozimit’ (propozimi francez) dhe të hyjë në fazën e ‘zgjidhjes’ (korniza negociuese), sepse ‘gjendja e përkohshme’ në fakt shërben si alibi, e jo si luftë për të arritur ‘gjendjen absolute’? Prandaj, në mënyrë metaforike, propozimi francez është zona e fundit e sigurt për të simuluar negociata pa marrëveshje përfundimtare, si mënyra përfundimtare se si ata i kuptojnë integrimet evropiane”, vlerëson Korubin.
Ajo vë në pah kontradiktën mes deklaratave të politikanëve vendorë dhe qëndrimit zyrtar të BE-së, duke kujtuar deklaratën e ambasadorit të BE-së, Mihalis Rokas, se negociatat mund të nisin menjëherë sapo të përmbushen obligimet nga Korniza Negociuese.
Korubin problematizon edhe deklaratën e ish-presidentit bullgar, sipas së cilës “pala maqedonase” ka tentuar të ndikojë te kryeministri hungarez, Viktor Orban, për të vënë veto ndaj propozimit francez, duke e cilësuar këtë si dëshmi të konfuzionit dhe dyfytyrësisë politike.
Sipas saj, realiteti pas qershorit 2022 është i qartë: “propozimi francez” nuk ekziston më, ekziston vetëm Korniza Negociuese, ndërsa refuzimi për ta pranuar këtë realitet po i mohon qytetarëve të drejtën për progres evropian. “E kaluara nuk mund të ndryshohet, por e tashmja nuk mund të shtyhet pafundësisht”, vlerëson Korubin.
Maqedonia e Veriut u bë zyrtarisht vend kandidat për anëtarësim në BE më 17 dhjetor 2005. Kjo u vendos nga Këshilli i BE-së pas rekomandimit të Komisionit Evropian. Ndërkohë, korniza negociuese, që përcakton kushtet dhe procedurat për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, u miratua më 19 korrik 2022 nga Këshilli i BE-së. Pas miratimit të saj, Maqedonia e Veriut mundi të fillonte zyrtarisht negociatat për anëtarësim. (koha.mk)




