Në “Bllatë” kalojnë edhe maunet

Dibër, 4 mars – Problemet e paraqitura në Shqipëri në aksin rrugor që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, për shkak të dëmtimit të rrugës që lidh Qafë Thanën me Tiranën, kanë detyruar që përveç udhëtarëve nga Vendkalimi kufitar Bllatë, drejt Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë të qarkullojnë edhe kamionë. Përveç frekuencës së shtuar të udhëtarëve, në pikën kufitare të Bllatës, në afërsi të Dibrës, janë krijuar edhe radhë kamionësh pas bllokimit të aksit Librazhd–Përrenjas. Fluksi i lartë i trafikut dhe hapësirat e kufizuara po shkaktojnë pritje të zgjatura për transportuesit. Shembja e aksit Librazhd-Përrenjas ka sjellë bllokim të plotë të qarkullimit të mauneve, të cilat tani, pas marrëveshjes mes dy shteteve, kalojnë përmes Vendkalimit kufitar “Bllatë”, çka ka shtuar dukshëm pritjet në kufi.

Në Vendkalimin kufitar “Bllatë”, në të dy anët e kufirit, informojnë se mallrat që hyjnë nga Maqedonia e Veriut ose përmes saj do të kalojnë nga kjo pikë kufitare, ndërsa ato që vijnë nga Greqia ose përmes saj do të përdorin pikën e Kakavijës. Pala maqedonase ka lejuar që nga pika e Bllatës kamionët dhe trajlerët e ngarkuar të kalojnë çdo ditë nga ora 12:00 deri në orën 22:00, ndërsa mjetet e pangarkuara lejohen të kalojnë gjatë gjithë 24 orëve.

Megjithatë, autoritetet maqedonase nuk lejojnë kalimin e produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe as të boteve të naftës, të cilat duhet të devijohen përmes Kosovës. Burime të njëjta bëjnë të ditur se hapësirat e kufizuara të kësaj pike kufitare, së bashku me vonesat në procesimin doganor, kanë sjellë radhë të gjata në orare të caktuara, pavarësisht se nga pala shqiptare dhe ajo maqedonase po punohet me nga dy sportele në hyrje dhe dy në dalje. Problem mbetet edhe mungesa e terminalit në vendkalimin kufitar, gjë që shkakton vonesa në procesin e doganimit. Në bisedë me përfaqësues në të dy anët e kufirit në “Bllatë” u informuam se pritja për procesin e doganimit zgjat disa orë. (koha.mk)

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm