Me Rregulloren e re të Punës, të miratuar në nëntor 2023, e cila është rezultat i punës shumëvjeçare të pjesëmarrësve në Dialogun “Zhan Mone” të Parlamentit Evropian me Parlamentin e Maqedonisë, parashikohet një afat i saktë se sa do të zgjasë seanca për zgjedhjen e kryeparlamentarit, çështje që nuk ka qenë e definuar më parë
Xhenur ISENI
Shkup, 27 maj – Seanca konstituive e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të fillojë nesër (28.05) në ora 11:00, me katër pika në rendin e ditës, kur deputetët e rinj të zgjedhur nga populli do të ulen në ulëset parlamentare. Pika e parë është zgjedhja e kryeparlamentarit dhe anëtarëve të Komisionit Verifikues të Parlamentit dhe më pas verifikimi i mandateve të deputetëve. Pika e tretë është propozimi për zgjedhjen e kryetarit, nënkryetarit, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre të Komisionit për zgjedhje dhe emërime dhe e katërta – zgjedhjen e kryeparlamentarit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas nenit 9 paragrafi 6 i Rregullores së re të Parlamentit, seanca konstituive zgjat më së shumti tri ditë dhe Parlamenti konstituohet me zgjedhjen e kryetarit të tij.
LEKSIONI I SË KALUARËS
Duket e thjeshtë, por nuk ishte kështu pas zgjedhjeve të dhjetorit 2016. Asokohe Rregullorja nuk parashikonte një afat se sa mund të zgjaste seanca për zgjedhjen e kryeparlamentarit, ndaj çështja u bë objekt i interpretimeve të ndryshme, por mbi të gjitha bllokimeve dhe pengesave të pafundme. Kjo paqartësi çoi në një situatë ku zgjedhja e Talat Xhaferit u shndërrua në një nga situatat më dramatike në vend. Kujtojmë se seanca konstituive e Parlamentit filloi më 30 dhjetor 2016, por u ndërpre dhe rifilloi në fund të marsit. Pati 21 vazhdime, për të përjetuar më në fund “të enjten e përgjakshme” më 27 prill 2017, kur turma u fut në Parlament, pasi deputetët e shumicës së re vendosën të votojnë për një kryetar të ri të Parlamentit. Me një proces që zgjati 152 ditë, ajo u bë seanca konstituive më e gjatë në historinë e parlamentit, por edhe leksion për Parlamentin.
Me Rregulloren e re të Punës, të miratuar në nëntor 2023, e cila është rezultat i punës shumëvjeçare të pjesëmarrësve në Dialogun “Zhan Mone” të Parlamentit Evropian me Parlamentin e Maqedonisë, parashikohet një afat i saktë se sa do të zgjasë seanca për zgjedhjen e kryeparlamentarit, çështje që nuk ka qenë e definuar më parë. Me të parandalohet mundësia e interpretimit dhe zbatimit arbitrar të dispozitave dhe është e pamundur të pengohet puna dhe funksionaliteti i Parlamentit dhe trupave të tij punues.
MË SË SHUMTI TRE DITË
Seanca konstituive mbahet jo më vonë se 20 ditë pas zgjedhjeve të mbajtura, të cilën e thërret kryeparlamentari nga përbërja e mëparshme. Vendimin për thirrjen e seancës konstituive të Parlamentit me rendin e caktuar e ka nënshkruar më 23 maj kryeparlamentari, Jovan Mitreski.
Sipas Rregullores, “deri në zgjedhjen e kryeparlamentarit, seancën konstituive e kryeson deputeti më i vjetër në moshë”. Në mesin e të sapozgjedhurve, Merita Koxhaxhiku është më e vjetra që ka marrë mandat deputeti. Nëse deputeti më i vjetër nuk është në gjendje të kryesojë seancën, kjo e drejtë i kalon deputetit të ardhshëm më të vjetër të zgjedhur. Sipas Rregullores së re, seanca konstituive e Parlamentit zgjat maksimumi tri ditë. Parlamenti mund të konstituohet nëse në seancë marrin pjesë shumica e deputetëve të zgjedhur. Pas vendosjes së kuorumit, zgjidhet kryetari dhe anëtarët e Komisionit Verifikues të Parlamentit, me propozimin e të cilëve Parlamenti verifikon mandatin e deputetëve. Në bazë të raportit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjen e secilit deputet, Komisioni Verifikues i paraqet Parlamentit raport me shkrim me propozim për verifikimin e mandatit të secilit deputet veç e veç. Për raportin e Komisionit Verifikues bëhet një hetim i vetëm, i cili nuk mund të zgjasë më shumë se një ditë. Votimi sipas raportit bëhet pas përfundimit të kërkimit dhe jo më vonë se 24 orë.
Ndërkaq zgjedhja e kryeparlamentarit nuk mund të zgjasë më shumë se një ditë. Votimi për zgjedhjen e kryeparlamentarit bëhet pas përfundimit të kërkimit dhe jo më vonë se deri në mesnatë. Kandidat për kryeparlamentar mund të propozohet nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime ose së paku 20 deputetë.
KUSH DO TA UDHËHEQË PARLAMENTIN
Pas rivotimit të javës së kaluar në shtatë vendvotime, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE mbetet me 58 deputetë, VLEN fitoi një mandat dhe tani ka 14 deputetë, Koalicioni i LSDM-së mbetet me 18 mandate, Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI humbi një mandat dhe tani ka 18, dhe ZNAM dhe E Majta kanë nga 6 mandate parlamentare.
Ajo që nuk dihet deri më sot është se si përfunduan bisedimet mes partnerëve potencialë nga Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Koalicioni VLEN, për atë se kush do të ulet në ulësen e kryeparlamentarit. Askush deri më tani nuk i ka konfirmuar spekulimet se është arritur marrëveshje që lideri i Alternativës, Afrim Gashi, të marrë pozitën e kryeparlamentarit. Madje ai nuk ka dhënë një përgjigje konkrete në paraqitjen e tij të fundit televizive. “Për ne ka qenë e rëndësishme që shqiptarët të vazhdojnë të kryejnë një nga tre funksionet në shtet dhe natyrisht meqenëse dihet se kush do të jetë kryeministër dhe kreu i shtetit, kemi kërkuar që kryeparlamentari t’i përket shqiptarëve. Kontrata ende nuk është përfundimtare, kemi rënë dakord në parim për disa qëndrime. Është e drejtë të presim që ajo që kemi rënë dakord me VMRO-DPMNE-në të kalojë në organet tona partiake dhe besoj se brenda afatit ligjor kushtetues, që është 28 maji, dita kur do të konstituohet Parlamenti, të gjithë do ta kemi të qartë se kush është propozimi i përbashkët i koalicionit për kryetar të Kuvendit”, tha Gashi. (koha.mk)




