Në Dibër, gjatë viteve të fundit janë mbyllur shumë institucione që tashmë kanë marrë karakter rajonal, por shuarja e këtij institucioni shëndetësor godet drejtpërdrejt shëndetin e popullatës. Tre të punësuarit e mbetur në njësinë e Dibrës, bashkë me qytetarët, kërkojnë që qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë të ndërmarrin masa për të mos lejuar mbylljen e këtij institucioni
Vjollca SADIKU
Dibër, 10 nëntor – Një nga institucionet themelore dhe shumë të rëndësishme për shëndetin publik, Njësia për Shëndet Publik në Dibër, që funksionon si degë e Entit për Shëndet Publik në Ohër, po shkon drejt shuarjes nga dita në ditë. Kjo gjendje ka shqetësuar jo vetëm të punësuarit, por edhe qytetarët dibranë në përgjithësi.
Në Dibër, gjatë viteve të fundit janë mbyllur shumë institucione që tashmë kanë marrë karakter rajonal, por shuarja e këtij institucioni shëndetësor godet drejtpërdrejt shëndetin e popullatës. Tre të punësuarit e mbetur në njësinë e Dibrës, bashkë me qytetarët, kërkojnë që qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë të ndërmarrin masa për të mos lejuar mbylljen e këtij institucioni, nga i cili varet shëndeti publik, sidomos për çështje që lidhen me sëmundjet infektive, procesin e vaksinimit dhe kontrollin e cilësisë së ujit në Dibër dhe rajonin më të gjerë.
Mjekja specialiste mikrobiologe e njësisë së Dibrës, Violeta Shehu, thotë se nga nëntë të punësuar, aktualisht kanë mbetur vetëm tre. “Kjo situatë de facto tregon se institucioni po shkon drejt shuarjes. Dibra duhet të ketë njësi funksionale, të kompletuar me të gjitha kuadrot e nevojshme për realizimin e detyrave që lidhen me shëndetin publik. Para shumë vitesh, njësia funksiononte me të gjithë specialistët e duhur, ndërsa sot mungojnë shumë kuadro që janë pensionuar apo janë larguar”, thekson ajo.
Këto shqetësime, Shehu i ngriti edhe gjatë një takimi me Ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu, dhe drejtorin e Fondit për Shëndetësi, Sasho Klekovski, ku kërkoi që njësia e Dibrës të mos shkojë drejt mbylljes.
Gjatë procesit të vaksinimit që po zhvillohet këto ditë në ambientet e njësisë, takuam disa pensionistë që po merrnin vaksinat sezonale. Në pyetjen tonë nëse janë në dijeni se në njësi kanë mbetur vetëm tre të punësuar, ata u shprehën se institucioni duhet të mbijetojë dhe të mos vijë dita që dibranët të detyrohen të vaksinohen në Ohër.
Shabani, 68 vjeç, tha se kjo njësi dikur ka funksionuar me shumë sukses. “Jam dibran dhe kam pasur nevojë disa herë për shërbimet e këtij institucioni. Të punësuarit e mëparshëm i kryenin detyrat me përkushtim. Nuk ka logjikë që dikush nga lart të ndërpresë funksionimin e njësisë”, u shpreh ai për gazetën KOHA.
Vite më parë, mostrat e ujit për analiza merren nga Liqeni i Dibrës, lumenjtë dhe përroskat e zonës nga vetë punonjësit e qytetit, ndërsa tani këtë punë e kryejnë punonjës të Entit të Shëndetit Publik nga Ohri. E njëjta gjë ndodh edhe me ujin e ujësjellësit dhe atë të çezmave tradicionale, të cilat analizohen në laboratorët e Ohrit. Bashkëpunimi midis Njësisë për Shëndet Publik në Dibër dhe Spitalit të Dibrës është zbehur, pasi për shumë analiza të sëmundjeve infektive, për shkak të mungesës së kuadrit, mostrat dërgohen tani direkt në Ohër. (koha.mk)




