Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për shtyp kushtuar arsimit, njoftoi për një plan gjithëpërfshirës për rinovimin e të gjitha shkollave në komunë, duke theksuar se pikërisht shkollat janë themeli i çdo komuniteti të shëndoshë dhe përparimtar.
“Problemi me shkollat është një sfidë e veçantë, dhe këtu planifikojmë rinovimin e plotë të të gjitha shkollave. Shkollat tona rrjedhin nga çatitë, shkollat tona kanë tualete që fëmijët nuk i përdorin, dhe është i domosdoshëm një rikonstruksion i plotë në mënyrë që klasat të jenë sipas standardeve më të reja të teknologjisë, përfshirë edhe inteligjencën artificiale – klasa STEM me të gjitha pajisjet e nevojshme, me oborre të mjaftueshme shkollore, me terrene sportive adekuate dhe me hapësira të mjaftueshme të gjelbra“, theksoi Osmani.
Ai paralajmëroi edhe konceptin e ri “Shkolla, shtëpia jonë e dytë“, një projekt që do t’u mundësojë fëmijëve të qëndrojnë në shkollë edhe pas përfundimit të mësimit dhe të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme brenda saj.
Osmani theksoi se rinovimi i shkollave duhet të ecë dorë për dore me rikthimin e dinjitetit të mësuesve, pasi ata janë shtylla e procesit arsimor.
“Do t’ia rikthejmë dinjitetin profesionit të mësuesit, sepse ata janë ata që e nxisin procesin arsimor. Do t’i stimulojmë ata që organizojnë aktivitete sportive jashtë orarit mësimor, por edhe ata që angazhohen gjatë qëndrimit ditor në shkolla për aktivitete të tjera“, paralajmëroi Osmani.
Ai ndau edhe të dhëna nga një krahasim ndërmjet Çairit dhe Qendrës, dy komuna fqinje që dallohen ndjeshëm për kushtet që ofrojnë në arsim.
“Bëmë një krahasim të shkollave në Çair me ato në Qendër dhe me një shtet të Bashkimit Evropian. Diferenca është më e madhe ndërmjet një shkolle në Çair dhe asaj në Qendër, sesa ndërmjet Qendrës dhe një shkolle në BE. Thjesht nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë. Kjo është një përgjegjësi morale, njerëzore dhe historike – të mos ua marrim fëmijëve vitet më të rëndësishme të zhvillimit“, theksoi Osmani.
Ai nënvizoi se kjo nuk është një premtim politik, por një detyrim personal ndaj fëmijëve dhe mësuesve, si edhe ndaj të gjithë qytetarëve të Çairit, duke i ftuar të gjithë prindërit dhe qytetarët të bëhen pjesë e ndryshimit.
“Nuk e them këtë për fushatë zgjedhore. Arsimi ka qenë pasioni im gjatë gjithë jetës, dhe do të jetë pasioni ynë si lëvizje për ndryshim. Nëse Çairi ka nevojë për ndryshim, atëherë vetëm çështja e arsimit dhe e shkollave fillore është argument i mjaftueshëm për atë ndryshim“, deklaroi Osmani.
Pas përfundimit të konferencës për shtyp, Osmani së bashku me një grup mësuesish dhe mësuese, mbajtën një marsh të ndryshimit dhe shpresës, duke dërguar mesazhin se arsimi cilësor është prioriteti më i lartë i çdo shoqërie.