Përmirësohet ndriçimi publik në Tearcë

Krahas shumë mangësive, problem në vete është se shumë shtylla elektrike janë të dëmtuara dhe rrjedhimisht është dëmtuar edhe ndriçimi publik. Nga komuna e Tearcës kanë bërë të ditur se kohëve të fundit janë bërë përmirësime në shumë fshatra të ndriçimit publik

 

Urim HASIPI

Tetovë, 1 maj – Ndriçimi publik në shumë vendbanime rurale vazhdon të mos jetë në nivel. Në shumë vendbanime të komunave rurale poçat elektrike që janë vendosur në të kaluarën pothuajse janë dëmtuar dhe qytetarët duhet që në mbrëmje të kenë shumë kujdes për shkak se rrugët nuk janë të ndriçuara. ,Krahas kësaj, në disa vendbanime poçat janë dëmtuar edhe nga qytetarë të pandërgjegjshëm dhe më pas riparimi i të njëjtave ka zgjatur shumë kohë. Tashmë në disa vendbanime veçmë ndriçimi publik është përmirësuar dukshëm kohëve të fundit.

Nga komuna e Tearcës kanë bërë të ditur se kohëve të fundit janë bërë përmirësime në shumë fshatra të ndriçimit publik. Kjo pritet që të përmirësojë dukshëm edhe pamjen nëpër vendbanimet e kësaj komune por edhe qytetarëve t`ju mundësohen lëvizje më e lehtë gjatë orëve të mbrëmjes, thotë kryetari i komunës së Tearcës, Nuhi Neziri.

“Komuna e Tearcës në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut, në kuadër të projektit ‘Smart Led Lighting Project’ bëri zëvendësimin e 900 poçeve elektrike me poçe Smart Led me anë të cilave do të përmirësohet dukshëm infrastruktura e ndriçimit publik në tërë territorin e komunës së Tearcës”, thotë Nuhi Neziri, kryetar i komunës së Tearcës.

Krahas shumë mangësive, problem në vete është se shumë shtylla elektrike janë të dëmtuara dhe rrjedhimisht është dëmtuar edhe ndriçimi publik. Ndërkaq, kohë më parë ndriçimi publik është rregulluar edhe përgjatë rrugës regjionale Tetovë-Jazhincë. Këtyre ditëve është duke u vendosur ndriçimi publik në dalje të Tetovës për në komunën e Tearcës poashtu përgjatë këtij aksi rrugor. Nga ana tjetër, komuna e Tetovës muaj më parë filloi zëvendësimin e poçave të ndriçimit publik. Nga komuna e Tetovës në muajin dhjetor të vitit të kaluar njoftuan se do të vendosen 9000 poça elektrike për ndriçimit publik LED në të gjitha tre bulevardet kryesore të qytetit. “Kjo masë jo vetëm që ul konsumin e energjisë elektrike për rreth 62 për qind, por gjithashtu ndihmon në reduktimin e emetimit të CO2, duke kontribuar kështu në mbrojtjen e mjedisit. Ky projekt ka një ndikim pozitiv të shumanshëm, duke përmirësuar sigurinë për qytetarët dhe cilësinë e jetesës së tyre”, kishin njoftuar nga komuna e Tetovës. Sfidat me ndriçimin publik, komunat i kishin në fillim të vitit 2023 kur u rrit dukshëm çmimi i rrymës elektrike, qeveria u rekomandoi komunave por edhe institucioneve tjera që të kursejnë energjinë elektrike. Kjo, pasi që fatura mujore për ndriçimin publik ishte më e lartë se inkasimi i mjeteve nga taksa. Por, kjo problematikë është tejkaluar, ndërsa sfidë mbeten edhe lagjet perfierike ku ka probleme me ndriçimin publik ende.

Ndryshe, çdo amvisëri, çdo biznes, në faturën e tyre të rrymës elektrike paguajnë edhe taksën rreth 185 denarë për ndriçimin publik, kurse harxhimin për ndriçimin publik në nivel mujor e paguan komuna. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm